
“Një krizë këmbëngulëse është një sprovë, të fuqishmit kalojnë nëpër të, të dobët i nënshtrohen. Qendra nuk kriset çdo herë. Përkundrazi… Prej vitesh tashmë, ne përjetojmë një krizë globale e cila premton të jetë e fortë dhe e qëndrueshme. Nëse New York do të nënshtrohej– gjë të cilën nuk e besoj fare – bota duhet të gjejë ose të shpikë një qendër të re; nëse Shtetet e Bashkuara rezistojnë (…), ato mund të dalin më e forta nga kjo sprovë, sepse ekonomitë e tjera ka të ngjarë të vuajnë shumë më tepër nga situata armiqësore ekonomike që po kalojmë, sesa Amerika.”
Kjo është ajo çka shkroi historiani Fernand Braudel në vitin 1977 (1), në një reflektim mbi lëvizjet e ngadalta të decentralizimit dhe rifokusimit të ekonomisë evropiane që nga shekulli XIV, dhe më pas të ekonomisë kapitaliste botërore në shekujt XIX dhe XX. Të dyja të shkaktuara nga “krizat e tejzgjatura të ekonominë së përgjithshme”. Gjykimi i tij nuk është hedhur poshtë që nga ajo kohë.
Gjatë krizës financiare botërore të viteve 2007-2008, qendra nuk u kris, edhe nëse autoriteti ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara, tashmë të përfshirë në luftërat e viteve 2000, do të shfaqej i dobësuar. A besohet se këtë herë Shtetet e Bashkuara do të dobësohen për shkak të pandemisë Covid-19 dhe se Kina do të jetë në gjendje të përfitojë nga një krizë e paprecedentë? Disa analistë thonë se po, duke i parë dëmet e mëdha të shkaktuara përtej Atlantikut nga një administrim dhe sistem ekonomik e social i dështuar. Kriza mund ta përshpejtojë riekuilibrimin Lindje-Perëndim, një fenomen strukturor, por kapacitetet dhe dobësitë e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës përkatësisht, nuk parashikojnë një përmbysje. Përkundrazi, ne mund të dëshmojmë një ristrukturim të sistemit të kapitalizmit në favor të një segmentimi më të madh dhe të një përforcimi të rivalitetit.
Valë shoku e dyanshme
Pandemia është duke shkaktuar një tronditje ekonomike dhe sociale, e cila bëhet më e mprehtë me kalimin e kohës. Transmetimi global i tronditjes së dyfishtë të ofertës dhe kërkesës ishte i mprehtë dhe intensiv për shkak të zhvendosjes së zinxhirëve të prodhimit, të cilët kanë ndërtuar ekonominë kapitaliste që nga fundi i viteve 1980, më pas nga rënia universale e kërkesës që solli tkurrjen e ekonomive kryesisht pas izolimit (më shumë se katër miliardë njerëz janë izoluar, në një formë ose në një tjetër). Depresioni i ardhshëm global premton të jetë i gjatë dhe i thellë. Shkalla e lartë e ndërvarësisë së ekonomive shpjegon natyrën e përgjithshme të shokut. Zinxhirët e prodhimit dhe të vlerave globale çojnë në një segmentim transnacional të fazave të prodhimit – hulumtim dhe zhvillim, projektim, prodhim të lëndëve të para, prodhim të përbërësve, montim, tregtim – në nyje të specializuara industriale dhe gjeografike sipas përparësive.
Apple, një rast paradigmatik, me burime nga dyqind nënkontraktorë kryesorë, shumica e origjinës aziatike – Kina (39%), Tajvani dhe Azia Juglindore (23%), Japonia (16%) -, është e vendosur në njëzet e katër vende. Nënkontraktorët gjithashtu marrin nga tregu botëror lëndët e para dhe përbërësit. Kjo skemë është e vlefshme, me disa variacione, për të gjitha kompanitë në sektorët elektronikë, elektrikë, automobilistikë dhe tekstile.
Nike, për shembull, ka fabrika nënkontraktimi në dyzet vende, furnizohet me lëndë të parë në njëmbëdhjetë të tjerë, në të gjitha kontinentet, por me një përqendrim më të lartë në Kinë, Vietnam dhe Indonezi.
Zinxhirët transkontinentalë përbëjnë gjithashtu tregun farmaceutik botëror. Edhe sektorët strategjikë si aeronautika, me sisteme prodhimi që më parë ishin më pak të shpërndara gjeografikisht, janë bërë mjaft të segmentuar. Airbus punëson një mori nënkontraktuesish dhe posedon uzina montimi në Kinë (Tianjin) dhe Shtetet e Bashkuara (Mobile, Alabama). I njëjti fenomen gjendet tek Boeing, në të cilin kërkesa për nënkontraktim është rritur në mënyrë të vazhdueshme: në mesin e viteve 1960, 727-a u prodhua pothuajse tërësisht në tokën amerikane; pesëdhjetë vjet më vonë, 70% e punës së projektimit dhe prodhimit për 787-ën iu besuan partnerëve të jashtëm. Kina është në zemër të zinxhirëve rajonalë dhe globalë.
Platformë në vitet 1990 për montimin e produkteve nga kompani të huaja të destinuara për tregun botëror, është kthyer që nga fundi i viteve 2000 në “qendrën e furnizimit botëror për produkte me vlerë të shtuar”, e lidhur me “pole të tjera të mëdha (ekonomike) rajonale”, shpjegon Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) (2). Kështu, mbyllja e papritur e fabrikave që prodhojnë përbëres të ndërmjetëm dhe montojnë produktet përfundimtare, ndërpreu të gjithë zinxhirët e furnizimit dhe të prodhimit në nivel rajonal (Azia Lindore) dhe global. Ky ishte rasti, në veçanti i provincës së Hubeit, popullsia e të cilit ishte e para në botë që u izolu dhe një nga qendrat e fluksit të investimeve të huaja direkte (IHD), ku kanë investuar 167 nga 500 kompanitë më të mëdha amerikane.
Vala e shokut shkon në të dyja anët pasi që në një hap të dytë, aksesi i inputeve të importuara të nevojshme për rimëkëmbjen e ekonomisë kineze dhe eksporteve, është frenuar nga politikat e kontrollit sanitar dhe mbylljen e kufijve jashtë vendit. Një rimarrje e kërkesës globale për produkte të fabrikuara në Kinë, ose diku tjetër, nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Në rajonet më të pasura të botës, frikës së infektimit i shtohet spektri i degradimit i klasave sociale dhe varfëria. Padyshim që ky është edhe rasti i Kinës, ku statistikat zyrtare të papunësisë urbane të kohëve të fundit (6.2% për një popullsi aktive urbane prej 440 milion) nuk përfshijnë as zonat rurale dhe as migracionin e brendshëm. Sipas disa llogaritjeve, numri i të papunëve është në të vërtetë rreth 205 milion (3), ose një e katërta e popullsisë – një normë ekuivalente me atë që njohu SHBA-ja (22% në fund të prillit).
Një ristrukturim rrënjësor i zinxhirëve të vlerës është bërë i pashmangshëm. Shtetet do të përpiqen ta zvogëlojnë ekspozimin e tyre ndaj goditjeve dhe ç’rregullimeve të jashtme përmes qarqeve rajonale më të forta dhe më lehtësisht të kontrollueshme, të cilat duhet të privilegjohen për arsye sigurie (ekonomike, ushqimore, shëndetësore). Implikimet politike të këtyre zhvillimeve do të jenë domethënëse. Emmanuel Macron shprehet se « është çmenduri t’i delegojmë të tjerëve ushqimin, mbrojtjen, aftësinë për t’u kujdesur,mjedisin ku jetojmë. Ne duhet ta rimarrim kontrollin “(12 Mars 2020). Për vendet e pasura, kriza ka hedhur dritë mbi kundërshtinë midis strategjive të transnacionalizimit të kompanive dhe sigurisë se tyre. Gjithashtu, nënvizoi rrezikun e varjes vetëm nga Kina për furnizimet e tyre.
Një senator amerikan aq pro-tregtise së lirë sic eshte Marco Rubio thotë : “Vendi ynë vendosi tridhjetë vjet më parë që shpërndarja më efikase e kapitalit çonte në delokalizimin e prodhimit tonë jashtë vendit. Ishte më lirë në Kinë, por jo vetëm atje. Epo, tani është vërtetuar vulnerabiliteti që shkaktoi kjo zgjedhje për ne. (…) Ndonjëherë shpërndarja më efikase e kapitalit është kundër interesit tonë kombëtar (4). “
Shqetësimet mbi varësitë e jashtme, si dhe depërtimi kinez në sektorët strategjikë të teknologjisë, datojnë që para krizës aktuale. Në vitin 2019, Komisioni Europian publikoi një raport në të cilin shkruhet se “Kina është njëkohësisht një partner bashkëpunimi me të cilin Bashkimi Evropian ka objektiva të përafërta, një partner negociator me të cilin Unioni duhet të gjejë një ekuilibër interesash, një konkurrent ekonomik në kërkim të leadership-it teknologjik dhe një rival që promovon modele alternative të qeverisjes (5) ”. Sidoqoftë, mbi këto cështje si për shumë të tjera, Europa tregon inkoherence: dymbëdhjetë vende europiane kanë, për shembull, privatizuar plotësishtose pjesërisht portet e tyre, dhe kanë nënshkruar koncesione me ndërmarrjet shtetërore kineze.
Në Shtetet e Bashkuara, ku shqetësimet për fuqizimin e pushtetit të Kinës janë në rritje që nga fillimi i viteve 2000, administrata Trump po punonte për larguar Kinën nga lidhja me ekonominë amerikane dhe globale shumë kohë përpara epidemisë. Diplomacia ekonomike e tij (“lufta tregtare”) synon të shkurtojë kanalet, të zvogëlojë qasjen kineze në teknologji dhe të shtyjë kompanitë transnacionale të rivendosen në Amerikë (6). Në mënyrë më diskrete, Japonia dhe Tajvani po i shtyjnë kompanitë e tyre të zhvendosin hapsirat e prodhimit jashtë Kinës: shteti japonez ka planifikuar të subvencionojë 2.2 miliardë dollarë (2 miliardë euro) për zhvendosjen e ndërmarrjeve japoneze që ndodhen në Kinë.
Pandemia nuk ka ndryshuar politikën e washingtonit. Përkundrazi, janë duke u përgatitur ligje për t’i detyruar kompanitë farmaceutike të prodhojnë dhe të furnizohen në Shtetet e Bashkuara, si dhe një seri kufizimesh të reja për eksportin e komponentëve teknologjikë në Kinë. Retorika e administrimit është veçanërisht agresive, sekretari i Shtetit Michael Pompeo dhe shumë zyrtarë të zgjedhur në të dy Dhomat e Kongresit akuzojnë hapur Pekinin për fshehjen e burimeve të pandemisë – madje edhe se e ka lejuar atë të zgjerohet qëllimisht, në mënyrë që Kina të mos jetë viktima e vetme ekonomike. Disa prej tyre, siç është senatori republikan Lindsey Graham, kryetar i Komitetit të Gjyqit të Senatit, kërkojnë anulimin e borxhit amerikan ndaj Kinës, aplikimin e një “tarife pandemie” për mallrat kineze dhe sanksione ndaj funksionarëve kinezë për “neglizhencë dhe mashtrim të qëllimshëm” në administrimin e epidemisë.
Përgjigja diplomatike e Kinës nuk është më pak agresive, e cila kërcenime me reprezalje ekonomike, veçanërisht ndaj vendeve të varura nga tregu kinez, siç është Australia, të cilat në ketë terren mbështesin Washingtonin. Fushata presidenciale e SHBA-së ka kundërvënë dy kampe, ku secila akuzon tjetrën se është ka më shumë marrëdhënie me Pekinin. Më 29 prill, Presidenti i Shteteve të Bashkuara pretendoi se “Kina do të bëjë çmos që ai të humbasë këto zgjedhje“. Dy ditë më vonë, një nga figurat në rritje të Partisë Demokratike, u përgjigj: “Përkundrazi, Trump është kandidati që Kina ëndërron,e që do të dëshironte të kishte si bashkëbisedues te saj për katër vite të tjera. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump nuk e ka ulur Kinën në gjunjë, ai e ka bërë atë edhe më të fuqishme (7)”.
Një miksim i bashkëpunimit dhe rivalitetit
Më e fuqishme? Shteti kinez ka kapacitete të forta ndërhyrje, por dobësitë e tij nuk duhet të nënvlerësohen. Qasja e vazhdueshme në tregun botëror është një çështje thelbësore për Kinën, madje më shumë sesa për Shtetet e Bashkuara, ekonomia e së cilës është më pak e ndërkombëtarizuar (raporti i tregtisë me prodhimin e brendshëm bruto [PBB] është 38% për Kinën, krahasuar me 28% për Shtetet e Bashkuara). Vartësia e saj nga energjia dhe bujqësia e jashtme është rritur në mënyrë të vazhdueshme në dekadat e fundit. Siguria e saj ushqimore, një problem i lidhur me kufizimet ekologjike, përbën një sfidë të madhe: 20% e tokës së punueshme në Kinë është degraduar ekologjikisht nga agrikultura intensive (8). Edhe pse pjesa e eksporteve në PBB ka rënë – nga një mesatare prej 28.4% ndërmjet viteve 2000 dhe 2009 në 20.9% ndërmjet 2010 dhe 2018 – ato mbeten një burim i rëndësishëm i rritjes teknologjike përmes multinacionalëve të huaj të pranishëm në Kinë. Megjithë rritjen e përgjithshme, Kina nuk është ende në kufirin teknologjik në shumë fusha, siç është aeronautika (9). Prandaj, fundi i « botës së hapur » nuk duket se do të forcojë pozicionin e Kinës. Nuk duket se do të forcojë as Shtetet e Bashkuara. Edhe pse janë më autonome në shumë nivele, veçanërisht teknologjike dhe ushtarake, Amerika gjendet e dobësuar ekonomikisht.
Në pasigurinë e momentit, ne mundemi vetëm të bëjmë supozime mbi transformimin e ardhshëm global. Hipoteza e një bashkëpunimi më të ngushtë, përmes institucioneve ndërkombëtare përgjegjëse për furnizimin e të mirave publike ndërkombëtare, të tilla si politika globale efikase për shëndetin, mjedisin, ushqimin dhe uljen e varfërisë.
Në të kundërt, do të kishte një situatë decentralizimi rrënjësor, të karakterizuar nga një konkurrencë e intensifikuar në të cilën shtetet do të kërkonin të maksimizonin fuqinë e tyre dhe të minimizonin pasigurinë në një lojë ku askush nuk do të fitonte apo humbte. Ne do të ktheheshim kështu në logjikën e rivalitetit dhe në atë të « secili për vete » të fundit të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të, një tjetër moment kolapsi.
Më në fund, mund të lindë një konfigurim hibrid në të cilin mund të përzihet bashkëpunimi dhe rivalitetet në fusha të ndryshme të politikës ndërkombëtare. Nga këto tre hipoteza, kjo duket më e besueshme. Dinamikat aktuale nuk favorizojnë hipotezën e parë. Edhe pse është e imagjinueshme, ajo e një kthimi në anarki ndërkombëtare në një formë kimikisht të pastër duket e pamundur, edhe nëse ajo i entuziazmon disa njerëz. Në hipotezën e tretë, ne do të gjendeshim në një botë të përafërt me atë që kemi njohur pas vitit 1947, por më të segmentuar, pa autoritete të njohura dhe të decentralizuara.
(1) Fernand Braudel, La Dynamique du capitalisme,Arthaud, Paris, 1985.
(2) « Global value chain development report 2019. Technological innovation, supply chain trade, and workers in a globalized world», Organisation mondiale du commerce, Genève, 2019.
(3) Shih Frank Tang, « Coronavirus : China’s unemployment crisis mounts, but nobody knows true number of jobless », South China Morning Post, Hongkong, 3 avril 2020.
(4) Fox News, 17 mars 2020.
(5) « Communication conjointe au Parlement européen, au Conseil européen et au conseil sur les
relations UE-Chine. Une vision stratégique », Commission européenne et haute représentante de
l’Union pour les affaires étrangères et la politique de sécurité, 12 mars 2019.
(6) Lexo « Entre les États-Unis et la Chine, une guerre moins commerciale que géopolitique », Le Monde diplomatique, octobre 2019.
(7) Peter Buttigieg, « China wants four more years of Trump », The Washington Post, 1 maj 2020.
(8) Shih Marie-Hélène Schwoob, « Progrès et contraintes de l’écologie : l’exemple des chemins de dépendances de l’agriculture chinoise », Monde chinois, n° 56, Paris, 2018.
(9) Shih Jean-Paul Maréchal, « Le C-919, un A300 chinois ? », Choiseul magazine, n° 9, Paris, janar-prill 2020.