KUR CITY OF LONDON MILITONTE PËR BREXIT
Epoka e financave autoritare

"Çmenduri", "gabim", "lëvizje pokeri" ... Që nga referendumi i vitit 2016, Brexit është paraqitur shpeshherë si rezultat i një kombinimi fatkeq të rrethanave. Megjithatë, ai i përgjigjet në mënyrë të përkryer, pritjeve të një pjese në rritje të sektorit të financave, që ndjehet ende shumë i kufizuar nga rregulloret evropiane.

Në mëngjesin e 24 qershorit 2016, bota zbuloi se në pyetjen: “A duhet që Mbretëria e Bashkuar të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian apo të del prej saj?” 51.9% e votuesve u përgjigjën: « leave » (dalje). Për shumë, ky rezultat ishte një befasi: City i fuqishëm, i përkëdheluri nga të gjitha pushtetet në Londër, dukej i bashkuar në favor të “remain(qëndrim). Ç’ndodhi? A nuk kishin mjete të mjaftueshme punëdhënësit më të fuqishëm financiarë në Evropë që të dëgjohej zëri i tyre në një çështje që ndikonte në të ardhmen e tyre?

E zhurmshme, fushata e udhëhequr nga City në favor të “Remain” maskoi megjithatë një fushatë tjetër, më diskrete, por gjithsesi masive. Në të dhënat e bëra publike nga komisioni zgjedhor britanik gjejmë elemente të cilat shpiejnë në tri përfundime. Së pari, pothuajse dy të tretat e sektorit financiar investuan në referendum për ta mbështetur fushatën “Leave”, ndërsa nga ana e tyre, sektorët industrial investuan pothuajse gjysmën e kapitalit të tyre. Pastaj, 57% e të ardhurave për fushatën “Leave” buruan nga sektori financiar, krahasuar me vetëm 36% për fushatën “Remain”, gjë që tregon se fushata më “e financuar” nga të dyjat nuk është ajo që mendojmë. Në fund, dy grupet e akterëve financiarë adoptuan qëndrime të ndryshme.

Nga njëra anë, i kemi përfaqësuesit e “sektorit të parë të financimit” : bankat, kompanitë e sigurimeve, kompanitë e konsulencave, të komunikimit dhe informacionit financiar, të ndërmjetësimeve, të këmbimeve, të investimeve institucionale (përfshirë fondet e pensionit). Mënyra e mbledhjes së fondeve të kësaj kategorije karakterizohet nga një ofertë publike për kursime, e cila investohet për një periudhë të shkurtër në aksione të blera në tregjet aksionare. Kjo mënyrë e pasurimit nuk nënkupton kontrollimin e ndërmarrjeve nga pronarët financiarë të letrave me vlerë: këta të fundit kryesisht veprojnë në mënyrë pasive, e delegojnë kontrollin e kompanive tek menaxherët.

Nga ana tjetër, i kemi përfaqësuesit e “sektorit të dytë të financimit”: sektorët e menaxhimit alternativ të aseteve, të investimeve në kapital dhe të fondeve mbrojtëse. Këta bëjnë thirrje për investime private për një periudhë mesatare në asete jashtë tregut, të cilat i kontrollojnë. Metoda e tyre e menaxhimit është alternative, do të thotë se është relativisht e ndarë nga tregjet financiare, ose që investimet e tyre janë të palistuara, ose që u përgjigjen vetëm sektorëve shumë të rrezikshëm të tregjeve aksionare.

Të dhënat e financimit të dy fushatave tregojnë një situatë të qartë: fushata në favor të “Remain” u financua kryesisht nga akterët e parë, ndërsa fushata në favor të “Leave” nga ata të dytë (deri në 94% të shumës totale).

Megjithëse rregulloret evropiane shpesh janë përshkruar nga studiuesit kritikë si një formë e ‘kushtetutëzimit’ të neoliberalizmit, si një ndërmarrje për të konfiskuar sovranitetin e popujve në favor të interesave financiare, që do të thotë një operacion shumë i mirë institucional për sektorët financiarë evropianë, ato akoma nuk janë mjaft të përshtatshme për akterët e financimit të dytë. Duke braktisur Bashkimin Evropian, ata shpresojnë të jenë të lirë të investojnë siç e gjykojnë të arsyeshme, pa mbikëqyrjen e Brukselit, të cilin e vlerësojnë si shumë  kufizues.

Më 14 maj 2016, ekonomisti Savvas Savouri i fondit ‘Toscafund Asset Management’ pohoi në gazetën ‘Le Monde’ se ai ishte “ngopur me retorikën anti-Brexit” të përhapur në fushatën e referendumit. « Të gjitha këto kërcënime më duken të pakuptimta, vazhdon ai. Ne kemi gjysmë miliard paund të investuara në patundshmëri dhe biznese në Mbretërinë e Bashkuar. Sikur të shqetësoheshim për pasojat ekonomike të largimit nga Britania, do ta thonim. Përkundrazi, kjo do të jetë një mundësi e artë për rritjen e vendit ». Sipas tij, rreziku kryesor financiar afatgjatë nuk është largimi nga Bashkimi, por bllokimi brenda tij. Z.Roger Bootle, themelues i ‘Capital Economics’, një zyrë private për konsulencë makroekonomike dhe kolumnist i përjavshëm për Daily Telegraph, ndanë këtë analizë: « Largimi nga Bashkimi do të thotë hapje ndaj botës. Shikoni performancën katastrofike ekonomike të Evropës gjatë dy dekadave të fundit krahasuar me ne, me Shtetet e Bashkuara ose me pjesën tjetër të botës ». Z. Bootle është anëtar i një grupi ekonomistësh të pavarur, ‘Economists for Free Trade’ (i quajtur më parë Economists for Brexit), i cili kritikon shpenzimet dhe kufizimet e vendosura nga Brukseli dhe Brexit-in e konsideron si kusht për vazhdimin e heqjes së rregulloreve financiare në Mbretërinë e Bashkuar.

Projekti i financuesve pro-Brexit paraqitet në këtë mënyrë: City do të shndërrohet në një lloj platformë offshore. Bankieri dhe ish-trader Marc Fiorentino shpjegon : « Financuesit ëndërrojnë që Londra të bëhet një Singapor në një shkallë globale, një zonë krejtësisht lirë nga çdo kufizim rregullues  evropian, ku të gjitha fuqitë ekonomike dhe financiare në zhvillim do ta zhvillojnë lirisht biznesin e tyre, të pastërt apo deri dikund të pastër, domethënë një tokë e gjerë e azilit fiskal ». Një projekt i emërtuar nga shtypi britanik « Singapore-on-Thames ».

Një shenjë e kohës, bosët e financimit të dytë kanë filluar të vendosen në Westminster me ardhjen e z.Boris Johnson në zyrën e tij, në adresën 10 Downing Street në vitin 2019. Sikurse në tridhjetë vitet e fundit janë të mirëpritur në atë adresë përfaqësuesit e sektorëve tradicionalë të financave, siç janë zonja Andrea Leadsom, bankiere investimesh në bankën Barclays dhe sekretare e shtetit për biznes, energji dhe strategji industriale, ose z.Sajid Javid, bankier investimesh në Deutsche Bank dhe kancelar i Thesarit (ministër i financave) deri në muajin shkurt 2020. Por tani ata janë në konkurrencë me përfaqësuesit e financave të reja. Z.Richard Tice, menaxher në sektorin e patundshmërisë, u zgjodh eurodeputet në vitin 2019. Udhëheqës historik i grupit Leave Means Leave, ai u emërua të njëjtin vit kryetar i Brexit Party nga z.Nigel Farage. Bashkëthemeluesi i fondit mbrojtës (hedge fund) ‘Somerset Capital Management’, z Jacob Rees-Mogg mori pozitën e Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Dhe në fund, z.Rishi Sunak, ish-menaxher i fondit mbrojtës ‘The Children’s Investment Fund Management’ u emërua Kancelar i Thesarit, duke zëvendësuar z.Javid në shkurt të vitit 2020.

Projekti Brexit nuk frymëzohet aq nga idetë neoliberale themeltare të konstruksionit evropian sa nga ideologjia libertariane. Libertarianizmi mund të përkufizohet si një doktrinë ekonomike e cila synon të kufizojë çdo formë të ndërhyrjes së shtetit jashtë garancisë së pronës private kundër kolektivizmit dhe etatizmit. Kjo ideologji ka të bëjë edhe me marrëdhëniet ndërmjet vendeve. Ajo i nxit promovuesit e saj të marrin pozicione izoluese, por jo proteksioniste. Kundërshtimi ndaj çdo institucionalizimi të marrëdhënieve ndërshtetërore i përgjigjet refuzimit të rregullimit të shtetit. Forma e këtij kundërshtimi i lihet vlerësimit vetëm të palëve që bëjnë marrëveshje tregtare sipas interesave të tyre ekonomike.

Libertarianizmi mbështet një kapitalizëm plotësisht jonormativ si sistem i vetëm shoqëror, i bazuar në njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të individit, dhe si një opsion politik që mënjanon çdo detyrim në marrëdhëniet shoqërore. Ai synon të krijoj një shoqëri bazuar vetëm në sovranitetin moral, politik dhe ekonomik të individëve. Në dhjetor të vitit 2019, Chris Hattingh, analist për ‘Free Market Foundation’, një think tank libertarian i themeluar në vitin 1975, shkroi: « Është rrënjësore t’u ipet njerëzve liri të tregtisë. Është rrënjësore t’u lejohet krijimi i ndërmarrjeve të reja, pa kurrfarë rregullore. Është rrënjësore që njerëzit të njihen si individë të ndryshëm, të cilët janë të aftë për ta kërkuar lumturinë e tyre siç e përcaktojnë vetë ». Siç shkruan Gilles Dostaler, libertarianët shkojnë më larg se neoliberalët kur bëhet fjalë për zvogëlimin e rolit të shtetit, « pasi që roli i shtetit duhet të largohet jo vetëm nga arsimi dhe shërbimet e disa infrastrukturave siç është transporti, por edhe nga funksionet sovrane. David Friedman, djali i Milton, propozon të privatizojë policinë, drejtësinë, mbrojtjen. Lëvizja anarko-kapitaliste parashikon shuarjen totale të shtetit me privatizimin e të gjitha funksioneve të tij, duke përfshirë ato që ia rezervonte Adam Smith: ushtrinë, policinë, drejtësinë ».

Libertarianizmi nuk propozon një artikulim sistematik midis veprimeve individuale dhe një forme të së mirës së përbashkët. Liberalizmi Smith-ian e kuptonte interesin e përgjithshëm si rezultat i bashkimit të interesave individualë sipas kornizës së ligjeve të miratuara në mënyrë demokratike nga individët sovranë. Neoliberalizmi i Friedman, Friedrich Hayek ose Ludwig von Mises e rivendosi të mirën e përbashkët në fushën ekonomike, por vazhdoi ta llogariste si një qëllim të doktrinës ekonomike. Mbrojtja rrënjësore e pronës private dhe liria për t’u pasuruar supozonte rritjen e përgjithshme të pasurisë dhe prandaj progresin shoqëror. Libertarianizmi, përkundrazi, mbron një qasje etike ndaj lirisë pa marrë parasysh efektet e saj në të mirën e përbashkët: promovimi i lirisë është i drejtë dhe i dëshirueshëm mbi të gjitha, pa marrë parasysh pasojat. E arsyeton kapitalizmin pa kufizime, ngase e konsideron si i vetmi sistem ekonomik që përputhet me etikën libertariane, dhe jo ngase beson në epërsinë e kapitalizmit, i cili gjeneron më shumë pasuri se çdo mënyrë tjetër e prodhimit. Ndryshe nga liberalët dhe neoliberalët, të cilët ndjekin një qëndrim konsekuencialist ndaj lirisë, libertarianët kanë një qëndrim deontologjik ndaj saj: liria për të akumuluar bëhet vetarsyetimi i saj.

Libertarian në rrafshin ekonomik, regjimi politik i akumulimit i promovuar nga financuesit e dytë është gjithashtu autoritar në rrafshin politik. Në kundërshtim me çdo mekanizëm rishpërndarës që i garanton kushtet elementare të ekzistencës për popullatën (shëndetësi, arsim, mbrojtje), ky regjim e shndërron shtypjen e lëvizjeve shoqërore dhe zvogëlimin e lirisë publike-  në veçanti duke forcuar kontrollin e lëvizjeve dhe shprehjes – në metodën e privilegjuar të krijimit të një rendi shoqëror. Kjo është vetëm në dukje kontradiktore me ideologjinë libertariane. Edhe pse nuk përfshihet në bazën e parimeve të saj, ajo është pasojë praktike e saj. Pasi që nuk ekziston një sistem për justifikimin sistematik dhe me mekanizma material për t’i kompensuar pabarazitë dhe varfërimin e një pjese të popullsisë, mbetet vetëm përdorimi i forcës si një mënyrë e rregullimit të jetës shoqërore. Liritë flijohen për hir të ruajtjes së lirisë më të rëndësishme: lirinë e pronës dhe e akumulimit.

Gjatë viteve 2010, këto ide u përhapën në veçanti përmes një grupi think tank zakonisht i quajtur “Tufton Street”, duke iu referuar Westminster Street, në Londër, ku gjinden selitë e  shumicës së tyre. Në numrat 55 dhe 57 të kësaj rruge, gjinden Adam Smith Institute, TaxPayers’ Alliance, Leave Means Leave, Global Warming Policy Foundation, Center for Policy Studies dhe Institute for Economic Affairs. Këto think tanks financohen kryesisht nga sektorët e financimit të dytë, si dhe nga sektorë të tjerë ekonomikë partnerë (siç është sektori i ndërtimit dhe i shërbimeve publike, industria e energjisë fosile dhe e duhanit). Ky rrjet nuk është vetëm  britanik: Tufton Street është pjesë e labirintit transatlantik të Atlas Network (“Rrjeti Atlas”). Këto katërqind organizata formojnë një galaktikë koherente politikisht, të përcaktuar nga libertarianizmi i tyre dhe nga lidhjet e tyre me “të djathtën alternative” amerikane (alt-right) si dhe me konservatorët pro-Brexit të Mbretërisë së Bashkuar. Ato grumbullojnë një sërë idesh që përbëjnë projektin politik të financimit të dytë: libertarianizëm, vazhdimi i veprimtarisë së Thatcher, euroskepticizëm, atlanticizëm, autoritarizëm dhe skepticizëm lidhur me ndryshimet klimatike.

Për të qeverisur, duket se promovuesit e ‘financimit të dytë’ nuk kanë më nevojë për demokracinë. Kështu, ata kundërshtojnë idenë marksiste, sipas së cilës republika demokratike është forma e qeverisjes më e përshtatshme për dominimin borgjez. Pjesërisht nga fakti se këta pushtues të rinj nuk kërcënohen nga një elitë tjetër konkurruese në ushtrimin e pushtetit. Në fillimin e shekullit XIX, ka qenë jetësore që borgjezia në rritje të fitonte një legjitimitet tjetër përveçse legjitimitetin nga lidhja e gjakut përballë interesave të grupeve feudale dhe aristokratike, që ende ishin shumë të popullarizuara në disa fshatra. Borgjezisë iu desh të luftonte kundër reformimit të mundshëm të koalicionit të interesave midis aristokracisë së tokës dhe klasave fshatare, që kishin dominuar për gati një mijë vjet. Në këtë kontekst, rishpikja demokratike e mbështetur në idenë e një populli sovran mbështeste revolucionin borgjez. Por, për momentin, borgjezia nuk është në konkurrencë me ndonjë klasë tjetër që është kandidate për pushtet. Dhe, në mungesë të një kërcënimi monarkik ose socialist, a ka ende interes për demokraci?

* Sociologë, autorë të La Finance autoritaire. Vers la fin du néolibéralisme (Raisons d’agir), 2021, prej nga është marrë ky tekst.