SERBI
Bendet muzikore neonaziste serbe të përkëdhelura nga shteti

Skena e rockut neonazist e lindur në Serbi gjatë viteve të luftës vazhdon të veprojë nën petkun e ‘patriotizmit’. Këto grupe të supremacisë së bardhë vazhdojnë të përhapin këngët e tyre urrejtëse ndaj hebrenjve, homoseksualëve, minoriteteve dhe refugjatëve, pa u ndëshkuar nga zbatuesit e ligjit në fuqi.

Shpalosin simbolet fashiste pa ndonjë ngurrim duke i konsideruar si shenja mbrojtëse. Hera e fundit ishte të shtunën në mbrëmje, më 10 tetor, në Beograd.

Deri në momentin e fundit nuk dihej nëse policia do ta ndalonte koncertin në nderë të Ian Stuart Donaldson (1957 – 1993), themeluesin e organizatës ndërkombëtare neonaziste “Blood&Honour” (Gjaku dhe Nderi), e cila ka degën e saj edhe në Serbi. Në fund, megjithatë u ndalua koncerti i planifikuar të mbahej në ndërtesën e BIGZ të kryeqytetit serb.

“Blood&Honour” është një nga organizatat e këtij lloji, e cila përmendet shpesh në publik. Sipas hulumtimit nga Radio Evropa e Lirë (REL), grupe të tilla, si ‘Sorab 28’, ‘Providence’, ‘Crystal Night’, ‘Terror 88’ dhe ‘From the Revolt’ kanë performuar me koncerte të mbyllura për publikun e gjerë, në gjithë vendin, përgjatë katër viteve të fundit.

Mesazhet e tyre janë mishërim i fashizmit, jotolerancës nacionaliste, shovenizmit serbomadh dhe sipas aktualitetit, edhe qëndrimeve kundër migrantëve. Nuk gjejnë frymëzim vetëm te nazistët, por edhe te udhëheqësit serbë nga luftërat e viteve ‘90, shumë prej të cilëve tashmë janë edhe të dënuar për krime lufte. Ndikimi i grupeve të tilla në Serbi mund të hetohet pjesërisht, por mbetet për t’u interpretuar arsyet pse shteti nuk i zbaton ligjet e veta që ndalojnë këtë lloj veprimtarie.

Glorifikimi i antisemitizmit dhe ksenofobisë

Shumica e grupeve që Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar që janë ende aktive, nuk kanë llogari zyrtare në rrjetet e popullarizuara sociale, si Facebook, Instagram ose Twitter. Megjithatë, ata po gjejnë mënyra për të përhapur muzikën e tyre në platformat e internetit.

Një prej tyre është platforma ‘Bitchute’, që është një alternativë ndaj YouTube, që nuk i fshin përmbajtjet që promovojnë gjuhë të urrejtjes. Në këtë platformë është aktiv bendi hard core nga Serbia, ‘Terror 88’. Numri 88 përfaqëson ekuivalentin numerik të shkronjave H H në alfabetin latin duke përfaqësuar përshëndetjen naziste “Heil Hitler”. ‘Terror 88’ ka pak më shumë se 30 ndjekës në rrjetin social VKontakt i cili është ekuivalenti rus i Facebook. Ka edhe webfaqen e tij që tregon se bendi ka publikuar një përmbledhje të këngëve të përzgjedhura nga aktiviteti 15 vjeçar. Në mesin e tyre është edhe kënga e titulluar “28”, që është simboli numerik që shpërfaq shkronjat B dhe X, të cilat përfaqësojnë inicialet e organizatës “Blood and Honor”.

Në njërën nga këngët e interpretuara në gjuhën serbe, në frymën e antisemitizmit që kulmoi në shekullin XX, kur Gjermania naziste kreu Holokaustin kundër këtij grupi etnik, hebrenjtë paraqiten si “kërcënim për racën e bardhë”: “Hebrenjtë duan përmbytjen tonë / ne do t’ruajmë krenarinë dhe racën / do t’fillojmë revolucionin e bardhë “.

Sipas të dhënave nga bllogu neonazist ‘Rock against communism’ (Rock kundër komunizmit), ky grup ka pasur disa performansa në Serbi më 2016, duke përfshirë edhe një koncert në një vend të panjohur për nderim të Donaldson.

Këngët e bendit ‘Luger’, të emërtuara sipas modelit gjerman të armës, mund të gjenden në platformën YouTube. Kënga e tyre e fundit u publikua në gjuhën serbe një muaj më parë duke përhapur publikisht  ksenofobi kundër refugjatëve dhe migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Azia. Teksti jep mesazhin vijues:

“Nuk keni çfarë kërkoni këtu / ky vend e nënqiell nuk është i juaji /shporruni jashtë, talibanë të ndyrë / kjo është Serbia, vend qiellor “, thuhet në këngën të cilën sipas të dhënave në YouTube e kanë dëgjuar deri tani më pak se 100 persona.

Marija Gjoriq, eksperte për ekstremizmin dhe  bashkëpunëtore kërkimore në ‘Institutin për studime politike’, shpjegon se muzika “White Power” ose muzika “fuqia e bardhë”, është një shembull i propagandimit të racizmit përmes muzikës. “Unë do të thoja që racizmi në këtë kontekst nuk duhet të nënvlerësohet, për arsyen e thjeshtë që Shekspiri pohoi se muzika është ushqim i shpirtit. Nëse rinia jonë ‘ushqehet’me muzikë dhe me përmbajtje të tillë ideologjike, atëherë kjo është shumë e rrezikshme”, thotë Gjoriq për REL.

Marija Gjoriq shpjegon po ashtu se kjo skenë në Serbi është modeluar kryesisht duke imituar ngjarje nga rajone të Evropës perëndimore, ndërkohë që dominon filiali i grupit ‘Blood and Honor’. “Ata kanë degë në gjithë botën, përfshirë edhe në vendin tonë, ku kanë shtëpi botuese, radiostacione dhe një produksion shumë të pasur që po reflektohet edhe në vendin tonë. Kjo muzikë përdoret për një rekrutim perfid të rinisë dhe për këtë arsye ndikimi i saj duhet të merret parasysh”.

Muzika si mjet propagande

Me rastin e themelimit të  ‘Blood and Honor’ më 1987, Ian Stuart Donaldson vendosi përhapjen e ideve neonaziste përmes muzikës, si një nga qëllimet e organizatës. Udhëheqësi ideologjik i këtij rrjeti neonazist ishte edhe këngëtar i grupit ‘Skrewdriver’ për një dekadë. Ky grup është sot sinonim i rokut neonazist.

Bendi u shpërbë dy vjet pas publikimit të albumit të tij të parë “All Skrewed Up” (1977) i cili nuk kishte gjurmë të ideologjisë neonaziste. Donaldson solli muzikantë të rinj në bend dhe më vitin 1982 publikoi ​​një album tjetër: ‘Hail the new down’ (‘Lavdi agimit të ri’), me të cilin Skrewdriver filloi një udhëtim muzikor duke i qëndruar besnik Donaldsonit deri në vdekjen e tij gjatë një aksidenti automobilistik më 1993, kur edhe ky bend u shpërbë.

Bendi ishte një nga simbolet kryesore të lëvizjes ‘Rock Against Communism’ (RAC – Roku kundër komunizmit) i cili u shfaq në fund të viteve 1970 si një kundërvënie ndaj fushatës “Rock Against Racism” (Roku kundër racizmit) të inicuar nga disa muzikantë rock dhe rege në Mbretërinë e Bashkuar që kundërshtonin ksenofobinë dhe racizmin në rritje. Albumi i tretë i Skrewdriver, “Blood & Honor” i publikuar më vitin 1985 ishte edhe njoftim për formimin e organizatës me të njëjtin emër. Donaldsoni e gjeti frymëzimin për këtë emër në sintagmën e rinisë hitleriane (“Blut und Ehre”). Kjo organizatë shpesh përfaqësohet nga numri 28 që tregon numrat rendorë të shkronjave B dhe H në alfabetin latin.

Këngët që himnizojnë spastrimin etnik

Kjo organizatë ka publikuar deri më sot kompilime të shumta bendesh që glorifikojnë racën e bardhë, ideologjinë naziste dhe udhëheqësit e Rajhut të Tretë.

Dega serbe “Krvi i časti” (“Gjaku dhe Nderi”) u themelua më 1995, të njëjtin vit kur përfunduan luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku Serbia mbështeste palën serbe në ato luftëra, e ku ndër të tjera realizuan spastrimin etnik masiv të popullsisë joserbe dhe kryen gjenocidin në Srebrenicë.

Sipas informacionit nga portali “Discogs”, që është një platformë në internet me të dhëna për muzikantët dhe diskografitë e tyre, “Krv i čast – Srbija” më 1998 publikoi albumin e tij të parë të titulluar “Athems of ethnic cleansing” (Himnet e spastrimit etnik).

Albumi përfshin ndër të tjera edhe bendin ‘Kristalna Noć’ (Nata e Kristaltë) nga Kragujeci, një grup që ishte paralajmëruar në koncertin për përkujtimin e Donaldsonit që zhvillohej në Beograd më 10 tetor.

Ky grup publikoi albumin e tij të parë më 1998 me titullin “Vojnik revolucije” (“Ushtari i revolucionit”). Ai përfshinte, ndër të tjera, edhe këngën “Rudolf Hess”, ku grupi nderon njërin prej nazistëve kryesor në Gjermaninë e Hitlerit dhe njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Adolf Hitlerit. “Pusho në paqe, Rudolf Hess / Njësia SS po lëviz përsëri”, është një nga vargjet e kësaj kënge.

“Nata e kristaltë”, emri i së cilës i referohet ngjarjes së nëntorit 1938, kur u shkatërruan dhe u dogjën qindra sinagoga, shtëpi dhe dyqane hebrenje në Gjermani dhe Austri dhe kur u vranë më shumë se 90 njerëz, nuk ka asnjë llogari në ndonjë platformë të njohur në internet. Në bllogun neonazist “Rock against communism” u publikuan foto nga disa shfaqje të këtij grupi gjatë vitit 2016.

Sipas raportimeve nga ky bllog, ‘Kristalna Noć’ performoi në nëntor të atij viti me një ngjarje kushtuar Ian Stewart. Vendi i koncertit nuk ishte specifikuar, mirëpo u publikuan fotot me nënshkrimet e bendeve ‘Iz Revolta’ (Nga Revolta), “Sorab 28”, “Terror 28”. Bendi i vetëm nga Serbia që mungoi ishte ‘italijanski Katastrof’ (Katastrofa Italiane).

Sipas të njëjtit bllog,  në korrik të po këtij viti u mbajt “Jagodina Fest”. Përveç ‘Kristalnu Noć’ në koncert kishin performuar edhe bendet ‘Proviđenje’, ‘Terror 88’ dhe ‘Sorab 28’. E gjithë ngjarja u shoqërua edhe me një reportazh përmes fotografive, me fytyra të fshehura të pjesëmarrësve.

Marija Gjoriq sqaron se të rinjtë hyjnë shpesh në botën e muzikës së tillë, jo vetëm për shkaqe ideologjike, por edhe për të shokuar: “Ajo që i tërheq ata në këtë rast është aventurizmi dhe rebelimi. Megjithatë, me kalimin e kohës, ata indoktrinohen dhe duke përsëritur parullat toksike naziste dhe raciste, atëherë edhe fillojnë t’ju besojnë”.

Janë edhe dy grupe të tjera nga Jagodina që gjetën vendin e tyre në albumin ” Krv i čast ” nga viti 1998. Këto janë ‘Terrormachin’e dhe ‘Proviđenje’. Nuk dihet nëse bendi ‘Terrormachine’ është akoma aktiv, por bendi ‘Proviđenje’ ishte paralajmëruar në koncertin për përkujtimin e Donaldsonit më 10 tetor në Beograd. Bendi është aktiv nga mesi i viteve 1990, ndërsa shtatë muaj më parë ata publikuan një album përmbledhës në platformën muzikore ‘Soundcloud’ me këngë të xhiruara brenda periudhës 1996 – 2012. Aty ka këngë që glorifikojnë Holokaustin, gjenocidin e Srebrenicës dhe ish-udhëheqësin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiqin i cili u dënua me burg të përjetshëm nga Haga, për krime të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në refrenin e këngës “Konačno rešenje” (Zgjidhja përfundimtare), e cila gjindet në ‘Soundcloud’, ata ju drejtohen hebrenjve (formulimi që përdorin është “hebrenj të ndyrë”) duke thënë: “Njeriu i bardhë e di me ju / se shkatërrimi i racës tuaj në Evropë / zgjidhja përfundimtare”.

Sipas raportimeve nga bllogu “Rock against communism”, bendi “Proviđenje” performoi në qershor 2016, në festivalin e grupeve neonaziste “Europe Awake”, në Poloni. Ata ndanë skenën me bendin britanik ‘Section 88’, grupet polake ‘Obled’, ‘Odwet’, ‘M.A, T. Project’ dhe me grupin tjetër nga Serbia, ‘Sorab 28’. Bendi ‘Iz Revolta’ i cili është i vetmi që ka faqe zyrtare në rrjetin social Facebook me rreth 300 ndjekës, ishte menduar të performonte në ngjarjen e diskutueshme të BIGZ.

Në identitetin e tij vizual ata kanë një “rrotë tjerrëse”, si simbol nga kultura e hershme sllave, që quhet ndryshe ‘svastika’ sllave, si dhe një variacion të shqiponjës dykrenare që u përdor gjatë qeverisë kuislinge të Millan Nediqit në Serbi përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave nga faqja ‘Discogs’, grupi publikoi ​​albumin e tyre të fundit “Naša scena” (Skena jonë) para dy vjetve.  Mes këngëve të këtij albumi është edhe kënga “Jedan narod” (Një komb) ku thuhet: “Tani mjafton, ngre dorën / mbarë kombi tubohet / legjione të reja, për një botë më të mirë të bardhë”.

Në skenë me identitete të fshehura

Shumica e grupeve që performojnë në manifestimet neonaziste përpiqen ta fshehin identitetin e tyre dhe të anëtarëve të tyre. Ngjarje të tilla, si tubimi përkujtimor për Ian Stewart, janë të mbyllura për publikun e gjerë. Njoftimet për kohën dhe vendin e saktë merren direkt nga organizatorët, zakonisht me postë elektronike.                                                                                                                                           

Prandaj, nuk është për t’u habitur që në fotot e rralla nga ngjarja, të cilat mund të gjenden në forumin neonazist ‘Stormfront’ ose në bllogun “Rock against communism”, fytyrat e anëtarëve të bendit, por edhe të pranishmit në publik janë të mbuluara në mënyrë që të mos zbulohet identiteti i tyre.

Sipas hulumtimit të REL, një nga aktorët në skenë është Boris Saviq, i cili në Instagram ka shumë fotografi që e tregojnë duke performuar në skenë me një banderolë ku shkruhet “Club 28 Serbia”, që ishte vendi ku në tetor parashihej të mbahej një koncert i grupeve neonaziste në Beograd.

Gjithashtu, në profilin e tij, Saviq mban llogon e bendit “Kristalna Noć”, elementi i së cilës është edhe një variacion i stemës nga koha e qeverisë kuislinge të Millan Nediqit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më vitin 2012, Saviqi përmes rrjetit social Facebook shprehu publikisht mbështetjen për të djathtën ekstreme norvegjeze dhe terroristin Anders Breivik, i cili u dënua me 21 vjet burg për vrasjen e 77 personave, kryesisht anëtarë të të rinjve të Partisë së punëtorëve.  Mesazhe si “Serbia për serbët” dhe “Vdekje shërbëtorëve të sionizmit” gjinden po ashtu në profilin e Saviqit.

Bendi ‘Sorab 28’ i cili quhej fillimisht ‘Sorab 18’ është ende aktiv në skenën serbe. Ai është ekuivalent numerik i shkronjave A dhe H, që në në gjuhën e kodit neonazist përfaqëson inicialet e Adolf Hitlerit. Krijuesi ideologjik i bendit të themeluar më 1994 në Gërbavica të Sarajevës është një njeri që në qarqet e nëntokës njihet me pseudonimin Jules.

Në një intervistë me bllogun neonazist “Hail the New Down” më 2011, Jules thotë se e themeloi bendin e parë të quajtur ‘White Riot’ (Rebelimi bardhë) më 1987, një vit pasi ishte bërë anëtar i lëvizjes ‘Skinhead’. Ai thekson se në atë kohë, jo të gjithë anëtarët e këtij grupi subkulturor ishin përkrahës të nacional-socializmit:

“Fuqia e vërtetë që bashkoi të rinjtë nga Serbia dhe Republika Srpska që respektojnë idenë e supremacisë të të bardhëve ndodhi në fillim të viteve 1990 me formimin e degës serbe ‘Krv i čast’. Merita e madhe i takon ekipit nga Jagodina (Serbi). Mendoj se lëvizja ishte në kulmin e saj më 1999, e pas kësaj ndodhën disa trazira që nuk i sillnin asgjë të mirë askujt, e për pasojë shumë njerëz u larguan nga lëvizja”.

Më 2014, grupi publikoi ​​këngën “Sloboda za Zlatnu zoru” (Liri për Agimin e artë), duke iu referuar organizatës neonaziste greke Agimi i Artë, udhëheqësit e së cilës u dënuan nga Gjykata e Apelit në Athinë më 7 tetor 2020, për udhëheqjen e një lëvizje kriminale. Tekstet e bendit ‘Sorab 28’, të cilat i kushtohen asaj organizate, ndër të tjera thonë: “Ne e dimë të vërtetën pse po arrestoheni, pse po ju vrasin … Mbrojeni vendin tuaj”.

Në mbrojtje të “Evropës së bardhë”, këndon edhe bendi hard core nga Jagodina ‘Savršenstvo kroz patnju’ (Përsosuria përmes vuajtjeve). Ky bend i themeluar më vitin 1994 është aktiv në rrjetin social Facebook, ku ka rreth 600 ndjekës. Në këngën “Slobodna Evropa” (Evropa e Lirë) ata e përcaktojnë veten kundër “të keqes sioniste”, “Masonëve të lirë” dhe “majmunëve afrikanë”, e ku në refrenin e njërës prej këngëve të tyre  thuhet: “Evropa e Lirë – Shtëpia Ariane/ Evropa e Lirë – Njerii i bardhë në të veten / Dhe do të jetë vetëm e jona, sepse kështu duhet të jetë: Evropa e Lirë për njerëzit e lirë”. Kjo këngë ka edhe video në platformën YouTube me rreth 1400 shikime.

Në të njëjtën platformë gjindet kënga që ky bend ia kushton Millan Nediqit, kryetarit të qeverisë kuislinge serbe gjatë pushtimit gjerman të Jugosllavisë. “Ai e donte Serbinë, Evropën dhe Rusinë / Në Serbinë e bashkuar , ai ishte shpëtimi / Kundër të keqes së komunizmit / Me forcat e nacional-socializmit / Në Evropën e re kishte vend edhe për ne”, janë fjalët e këngës “Mi te pozdravljamo, Nediću Milane” (Ne të përshëndesim, Nediq Millan).  “Slava đeneralu” (Lavdi gjeneralit) dhe “Živela pobeda” (Rroftë fitorja) janë disa nga komentet që mund të lexohen poshtë këngës. Sipas informacionit në faqen e tyre zyrtare, deri më tani, koncerti i fundit i grupit u mbajt më 2015 në klubin jagodinas ‘Talir’.

“Gjithçka u lejua nën petkun e patriotizmit”

Dashko Milinoviq, drejtues i radios në internet “Daško & Mlađa.com” dhe këngëtar i grupit antifashist ‘Red Union’ thotë për Radio Evropa e Lirë se ‘Rock Against Communism’ dhe bendet neonaziste janë aktive në Serbi që nga mesi i viteve 1990, e se ato janë të lidhura me grupe simotra në nivel ndërkombëtar. Kjo ka qenë gjithmonë histori e nëntokës që përcillet nga goja në gojë dhe me promovim minimal. Kjo skenë ishte në kulmin e saj në fund të viteve 1990, kur numëronte rreth 300-400 ithtarë. Një nga bastionet e skenës rock neonaziste ishte në Jagodinë (Serbi). Por edhe në Nish, Beograd dhe për një kohë në Novi Sad”, shpjegon Milinoviq.

Sërgjan Knezheviq, ish-këngëtar i bendit punk ‘Hoću?Neću!’ (Dua?S’dua!)) nga Kraleva i cili filloi të performojë në fillim të viteve 1990 dhe që mbajti qëndrime të qarta anti-nacionaliste gjatë gjithë karrierës së tij, i tha Radios Evropa e Lirë, se grupe të ekstremit të djathtë, në qytetin e tij, filluan të shfaqeshin në fillim të viteve 1990, kur skena u nda në të majtët dhe të djathtët. “Ata bën skenën e tyre, me bendet e tyre dhe koncertet e tyre. A kishin ndikim në mjedisin shoqëror? Padyshim që po. Në një moment, ata ishin numerikisht më shumë se pankerët”, kujton Knezheviqi. Sipas tij, grupeve të tilla iu dha hapësirë ​​për t’i përhapur idetë e tyre.

“Djathtistët u përpoqën ta paraqitnin veten si pjesë të skenës alternative. Kjo i është lejuar nga organizatorët e festivaleve të kitariadës në atë kohë, sepse ata performonin në festivalet e kitarës. Më vonë, me kalimin e kohës, ata organizuan koncertet dhe tubimet e tyre. Kjo iu shkonte dorësh, sepse ata ishin të mbuluar me petkun e ‘atdhedashurisë’ i cili ishte i dëshirueshëm, edhe nëse krahas nacionalizmit të pastër dhe shovinizmit shquheshin shijet naciste”, thotë Knezheviqi. Ai shton se gjatë viteve ‘90, as shteti dhe as shoqëria nuk bën asgjë për t’i penguar veprimet e grupeve ekstremiste.

“Ata shprehin pikëpamjet e tyre naciste në koncerte krejtësisht të hapura. Nuk ngurronin të njiheshin si të tillë në shoqëri dhe në rrugë. Gjithçka ishte transparente. Posterat ishin publik dhe nuk ishte sekret se kush dhe kur paralajmëronte ardhjen e tyre në qytet”, shpjegon ai.  Policia nuk ndërhynte.

Pse hesht policia?

REL kërkoi një bashkëbisedues ose një përgjigje me shkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), për pyetjet rreth grupeve që janë ende aktive, por nuk morëm përgjigje deri në përfundimin e këtij teksti.

Sipas Marija Gjoriqit, shteti duhet ta ndalojë promovimin e gjuhës së urrejtjes, sepse Kushtetuta e ndalon nxitjen e urrejtjes dhe jotolerancës mbi baza nacionale, racore dhe fetare. “Besoj se MPB ka kapacitete për ta luftuar këtë lloj ekstremizmi. Ata kanë mjaftueshëm njerëz të edukuar që dijnë t’i interpretojnë simbolet neonaziste dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mirëpo, institucionet nuk mund t’u përgjigjen të gjitha kërkesave ngase këto koncerte janë kryesisht me karakter privat, e caktohen përmes forumeve duke mos qenë të njohur për publikun e gjerë”, shpjegon Gjoriqi. Fakt është që shërbimet kompetente duhet të përcjellin ngjarje të tilla, thotë ajo, sepse nga ato shkëndija mund të ndizet një zjarr i tërë.  “Dukuri të tilla në shoqërinë tonë janë margjinale, por ato nuk duhen nënvlerësuar”, shtoi Gjoriq.

Ç’thotë ligji?

Neni 49 i Kushtetutës së Serbisë ndalon qartësisht “çdo nxitje të pabarazisë, urrejtjes dhe jotolerancës racore, kombëtare, fetare ose tjetër”. Përveç kësaj, që nga viti 2009 është në fuqi Ligji për ndalimin e manifestimeve të organizatave dhe shoqatave neonaziste ose fashiste dhe ndalimin e përdorimit të simboleve neonaziste dhe fashiste.

Neni tre i këtij ligji thotë: “Ndalohet prodhimi, riprodhimi, ruajtja, paraqitja, glorifikimi ose shpërndarja, apo çfarëdo mënyrë tjetër e materialeve propagandistike, simboleve ose shenjave që nxisin, inkurajojnë ose përhapin urrejtje ose jotolerancë ndaj përcaktimeve të lira të qytetarëve; që nxisin dhe inkurajojnë urrejtje dhe jotolerancë racore, kombëtare, fetare, si dhe që përhapin ose justifikojnë ide dhe organizata neonaziste dhe fashiste; apo që në ndonjë mënyrë tjetër rrezikojnë rendin ligjor”.

Përhapja e simboleve dhe propagandës neonaziste e fashiste përmes sistemeve kompjuterike është po ashtu e dënueshme. Për personat fizikë që e shkelin ligjin, dënimet variojnë nga 5000 deri në 50.000 dinarë (nga 40 në mbi 400 euro), ndërsa për personat juridikë dënimet shkojnë nga 100.000 deri në 1.000.000 dinarë (nga rreth 850 deri në 8500 euro).

Dashko Milinoviqi beson se Serbia ka një kornizë të mirë ligjore, por që ajo zbatohet në mënyrë selektive. “Përderisa aktivistët e majtë ose antinacionalistë arrestohen për postime ironike, duhet të ndodhë një e keqe e madhe dhe që publiku të bëjë zhurmë shtatë ditë për temat e neonacizmit që të njoftohen shërbimet shtetërore. Sepse thjesht, nuk duan të merren me ata”, thotë Milinoviq.

Epokë e re, zhanre të reja muzikore

E djathta ekstreme është futur edhe në zhanre të tjera muzikore në skenën globale të muzikës, si në neofolk, muzikë elektronike ose heavy metal. Në Evropën Lindore, ka një numër grupesh që kombinojnë zhanrin black metal me idetë e nacional-socializmit.

Grupi black-trash metal ‘Wolf’s Hunger’ nga Novi Sadi i themeluar në fillim të viteve 2000 u desh të anulonte performancat e tij në disa raste, pas presionit të publikut ndaj organizatorëve për të mos lejuar koncertin e një bendi neonazist.

Ky grup ka edhe këngën “Great Serbia” (Serbia e madhe) me tekstin e mëposhtëm:  “Forward to war for a greater Serbia, forward to war for a White Europe!” (Përpara në luftë për një Serbi të madhe, përpara në luftë për Evropën e bardhë). Në një përgjigje me shkrim për Radio Evropa e Lirë, ky bend thotë se nuk përhap “asnjë lloj ideje të nacional-socializmit ose fashizmit”.

“Kënga është krijuar 20 vjet më parë, ndësa ajo që përmendni është mënjanuar në çdo kuptim, ngase vet anëtari i tij është përjashtuar nga bendi me rastin e paraqitjes. Ne ishim fëmijë, ku kënaqeshim duke performuar dhe duke mos e ditur se çfarë thuhej në tekst, andaj grupi në atë kohë ishte në formacionin demo”, thuhet në përgjigjen e bendit.

Deri sot, grupi ka publikuar dy albume zyrtare – “Osveta u krvi” (Hakmarrja në gjak) më 2007 dhe “Bež’te živi vraćaju se mrtvi” (Ishin të gjallë, ktheheshin të vdekur) më 2016, ku këndohej kryesisht për mitologjinë e vjetër sllave dhe historinë e Serbisë nga Lufta e Parë Botërore.

Në pyetjen nëse bendi i tyre ka kontakte me organizata neonaziste, ata përgjigjen negativisht duke theksuar se kurrë nuk “kanë shprehur një interesim të tillë ose nuk kanë performuar në vende të tilla, dhe as që kanë qenë në rrethin e njerëzve të tillë”.

Rreziku për sigurinë e shtetit

Sipas Marija Gjoriqit, ka disa mijëra ekstremistë të djathtë në Serbi, të cilët janë të pranishëm në nivelin e simpatizantëve dhe në nivelin e anëtarëve aktivë.

Kur bëhet fjalë për shembuj të praktikës së mirë, Gjoriqi përmend Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilat kanë përparuar në luftën kundër huliganizmit dhe që po përpiqen të përballen me të djathtën ekstreme në ushtri. Mirëpo, sipas saj, edhe këto vende nuk po munden ta izolojnë ekstremizmin. “Është një bari i keq që vështirë çrrënjoset dhe kjo është arsyeja që duhet të punojmë më shumë në parandalim se në sanksionim”, përfundon Gjoriqi.

Si përgjigje ndaj veprimeve të organizatave të ekstremit të djathtë, grupi i quajtur ‘Antifašisti Beograda’ (Antifashistët e Beogradit) organizuan një aktivitet rrugor në fillim të nëntorit, siç thonë ata, për ta identifikuar lokacionin në periferi të kryeqytetit, ku anëtarët e ekstremit të djathtë shkruanin mesazhe urrejtje dhe pikturonin murale me figurat e  komandantëve çetnikë nga koha e Luftës së Dytë Botërore: Pavle Gjurishiq, Millan Nediq si dhe simbolet e organizatës fashiste ‘Zbor’ të themeluar nga Dimitrije Llotiqi. Muralet u rivizutuan brenda 48 orësh.

(Ky artikull është publikuar në ‘Slobodna Evropa’)