SOCIALE
Fantazmat e Peterloo

Manchester, 1819. Mijëra punëtorë protestojnë për ta gëzuar të drejtën universale mashkullore të votës. Represioni është vrasës. Kjo ngjarje jetike e historisë të së majtës angleze, emërtuar "masakra e Peterrlo" nga shtypi i asaj kohe, mbetet objekt interpretimesh të ndryshme : moment vendimtar i demokracisë ose motor i zhvillimit të një vetëdijësimi klasor?

965

Më 16 gusht 1819, në Manchester, një grumbullim – i autorizuar – mblodhi tok gati 60 000 njerëz për të kërkuar të drejtēn e votēs pēr meshkujt. Në radhët e asaj që është, pra, ngjarja më e madhe e organizuar ndonjëherë në qytet, ka disa mijëra gra dhe fëmijë. Me urdhër të magjistratēve, marshimi u shtyp nga milicia mbi kuaj, (Yeomanry), e mbështetur dhe nga ushtria e rregullt. E kufizuar në një terren tē sheshtē trikëndor të quajtur St. Peter’s Field, e rrethuar nga ndërtesa ku ushtria  bllokon nje pjesē tē hyrjeve  të tyre, turma e bashkuar gjendet në mëshirën e shpatave dhe barutit. Ajo është edhe më e dobēt sepse Henry Hunt, një orator i shkëlqyer i kauzës radikale ardhur enkas për këtë tubim, të cilin ai  pranoi ta kryesojë, e ndaloi formalisht të demonstrojë e armatosur. Ai ishte i vendosur të fajësonte autoritetet të frikësuara nga një kryengritje, dhe argumentoi se vetëm pacifizmi dhe ligjshmëria do t’i çojnë përpara kërkesat në kundërshtim me predikimet e liderëve të tjerë radikalë lokalë që këshillonin të mbaheshin hunj mbrojtës – sipas shembullit tē Samuel Bamford, i dënuar më pas me një vit burg – kështu hunjtë  dhe kallamat u shmagën. Turma që nxitonte në St. Peter’s Field, (Fushën e Shën Pjetrit), ishte e armatosur vetëm me banderola dhe degë ulliri, kapele frigjiane dhe ushqim sa për të thyer urinë. Sapo Hunt-i nisi të thotë disa fjali nga tribuna e improvizuar, dy karro të bashkuara, hetuesit, të cilët vëzhgonin skenën nga dritaret e një shtëpie fqinje, dërguan policinë për ta arrestuar, urdhëruan “kryengritësit” të shpërndaheshin dhe lëshuan kundër tyre Yeomanry, të përforcuar vrik nga forcat e kavalerisë. Sulmi dhe përleshja që vijoi shkaktuan gati gjashtëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë të vdekur dhe mbi gjashtëqind e pesëdhjetë të plagosur, nga të cilët gati një e katërta ishin gra. Ndoshta, për shkak se ato u kujtonin spektrin e revolucionareve francezë, ndaj u bënë shënjestra e privilegjuar e milicisë. Ngjarja u quajt menjëherë “Masakra e Peterloo-së” (në referencë të betejës së Waterloo-së) nga shtypi i të gjithë vendit, i cili u prek nga ky sulm brutal ndaj lirisë së tubimit dhe shprehjes. Megjithatë, qeveria i miratoi gjashtë “aktet” e reja që i kufizonin ata më tej dhe rrisnin taksën mbi shtypin – një mënyrë për të vënë gazetat radikale jashtë mundësive të blerjes nga  familjet e punëtorëve. Në këtë kontekst, botuesi radikal Leigh Hunt nuk guxoi të botojë poemën e shkruar për protestuesit e Peterloo-së nga Percy Bysshe Shelley, që ndodhej atëherë në Itali. Rreshtat e fundit të tekstit tingëllonin si nxitje për veprim kolektiv: ” Ngrihuni! Të shumtë, të pathyeshëm / Si zgjohen luanët / Nga gjumi i gjatë dhe shkundni /zinxhirët tuaj të rëndë / ju jeni shumë, ata janë pak. ” 

Botuar në 1832, dhjetë vjet pas vdekjes së poetit, kjo Maskaradë  e Anarkisë kontribuon për ta kthyer “masakrën” në një ngjarje kryesore në historinë e së majtës angleze, siç janë edhe Kujtimet në të cilat Bamford rrëfen për Peterloo -në  e tij, apo gravurat, medaljet, çajnikët dhe shamitë që përjetësojnë kujtesën. Martirët e Peterloos u nderuan që në vitet 1830 gjatë takimeve të  lëvizjes së re Çartiste (e cila kërkonte, mes të tjerash, të drejtën universale te votës së meshkujve) dhe në kolonat e gazetës The Northem Star. Skena e masakrës, e shoqëruar shpesh me vargje të Shelley-it, është përshkruar edhe në pankartat e sindikatave në luftërat e shekullit XX. Slogani i Punës korbinist, ” ju jeni shumë, ata janë pak”, është një jehonë direkte e strofës së fundit tē Maskaradës.

Në të vërtetë, këto janë dy versione konkurruese të episodit. Nga njëra anë, është Peterloo-ja politike e Hunt dhe Shelley, çasti vendimtar në demokracinë angleze si një luftë e popullit kundër një qeverie despotike dhe të korruptuar, për mbrojtjen e lirisë së tubimit dhe  të shprehjes dhe reformimin e sistemit parlamentar. në një kontekst ku vetëm 4% e popullsisë ka të drejtë të votojë dhe ku Manchesteri, rritja e të cilit është e re, ende nuk dërgon asnjë deputet në Parlament. Peterloo-ja, në këtë këndvështrim, është sigurisht një betejë e humbur, por, në luftë për votën, e cila, në fund të fundit, do të triumfojë. Është një kthesē e përkohshme qē vendoset midis botimit të të Drejtave të Njeriut  të Thomas Paine, në 1791 dhe “Reformës së Madhe” të vitit 1832, e cila shtrin të drejtën e votës për borgjezinë para se reformat e tjera (në 1867, 1884 dhe 1918) ta bēnin gradualisht tek punëtorët dhe, më pas, te gratë. Nga ana tjetër, kemi Peterloo-në  e banderolave ​​të sindikatës, përkujtuar si një episod themeltar i historisë së klasēs punëtore angleze. Sepse protestuesit, në thelb, janë punëtorë të tekstilit, në një rajon që është një nga vatrat e revolucionit industrial i cili ka parë zhvillimin e prodhimit të mekanizuar të pambukut në uzina që nga fundi i shekullit të XVIII. Disa janë të punësuar si punëtorë; të tjerët, si Bamford-i janë artizanë të kërcënuar nga zhvillimi i kësaj industrie, pasi kushtet e punës dhe të jetesës përkeqësohen në vazhdën e përfundimit të luftërave Napoleoniane, që sollēn ngritjen e çmimeve, taksave dhe papunësinë e ushtarëve të çmobilizuar. Peterloo, gjithashtu, është shprehja e kësaj pakënaqësie të punëtorëve, që zgjati në një formë më paqësore dhe kushtetuese, trazirat e urisë dhe revoltën e bandave shkatërrimtare të makinerive që shënjuan fillimin e viteve 1810. Sipas dëshmitarëve, milicia tregoi më shumë zell se ushtarēt për të ndjekur protestuesit. Duhet thënë se ajo ishte formuar dy vjet më parë me nismēn e fisnikëve të qytetit që përbëhej nga industrialistë, avokatë dhe tregtarë. Shtypja, pra, kundērvuri qartazi borgjezēt ndaj punëtorëve dhe kontribuoi, si e tillë, në zhvillimin e një vetëdijeje të klasave, specifikisht, punētore. Betejē për të drejtën e votës apo luftë e klasave, kjo pëzierje ndjenjash e Peterloo-së është e lidhur me ngjarjen. Në një kohë kur sindikatat, të asimiluara në shoqëritë sekrete, e kanë të ndaluar (t’u përkasin atyre, ia vlen mē mirē tē transferohen në Australi) dhe ku lëvizja radikale, e cila mbledh në federatë të përjashtuarit nga përfaqësimi parlamentar, po bën fushatë për reformën e Parlamentit, protesta e punëtorëve, shpesh, merr format e një kërkese politike për të drejtēn e votës dhe demokracinë. Aq më tepër që Peterloo-ja, si çartizmi në dekadat në vijim, paraqet aspektin e veçantë të një demonstrimi të punëtorëve që nuk shpreh asnjë kërkesë të vërtetë të punëtorëve. Kjo dyanësi ishte qartësisht e dukshme në interpretimet kontradiktore që lindën nga përkujtimi i dyqindvjetorit të ngjarjes në verën e vitit 2019. Padyshim që Mançesteri i bën gjërat me bujë. Atje ku, deri më tani, vetëm një pllakë blu (tashmē e kuqe) dhe disa vitrina të Muzeut të Historisë Popullore ruanin kujtesën e Peterloo-s, një monument i qe porositur skulptorit Jeremy Deller, ndërsa të gjithë muzetë dhe bibliotekat në qytet hapën ekspozita kushtuar “masakrës”. Mbi posterat që njoftojnë këto ngjarje, Peterloo është shkruar me shkronja të bardha në një sfond të zi dhe “o-ja” e parë u zëvendësua nga një kafkë, e cila i jep të gjithës pamjen e një flamuri piratēsh. U organizua projeksioni i Peterloo -së, një film historik me regji të Mike Leigh (vendas i rajonit), shfaqur  disa muaj më parë, që tregon historinë përmes syve të një familjeje të trilluar, të punëtorëve Mançesterit. Sidoqoftë, në këtë përpjekje për t’u sjellë britanikēve kujtimin e Peterloo-së, ne dëgjojmë dy tinguj shumë të dallueshëm të kambanës. Leigh thekson ashpërsinë e jetës së punëtorëve, të cilët duket se e shndërrojnë skamjen e tyre në motorrin e kundërshtimit politik (duke i dhënë të drejtë Bamford- itt dhe jo Hunt-it pēr mbajtjen e hunjve).

Ai propozon njē përfundim shumë tē errët për të cilin thotë se shpreson që do të provokojë indinjatë dhe zemërim. Në Muzeun e Historisë Popullore në Mançester, Peterloo-ja është rivendosur në historinë e gjatë të protestës së punëtorëve: ekspozita paraqet shumë flamuj sindikalistë dhe shkon deri në “vitet e Thatcher -it” dhe grevën e minatorëve të 1984-1985. Biblioteka John Rylands, e menaxhuar nga Universiteti i Mançesterit, dhe Portico Library, një bibliotekë private ku shkonin në shekullin XIX kampionët e tregtisë së lirë të angazhuar kundër ligjeve tē drithrave proteksioniste (si dhe nga kapiteni i Yeomanry që drejtoi betejën e St. Peter’s field), zgjodhēn të tregonin Peterloo-në nga këndvështrimi i shtypit. Ato paraqesin gazeta të kohës dhe japin për të lexuar raporte me kontraste lidhur me  ngjarjen, duke kujtuar rolin që ajo luajti në krijimin e Guardian, i titulluar atëhere The Manchester Guardian. Në të vërtetë, kjo gazetë u themelua nga John Edward Taylor, biznesmen, i cili, i tronditur nga masakra dhe mbulimi i saj në shtypin konservator, u hodh të propozojë një kundërburim të besueshëm. Peterlooja u pa kështu si një betejë mediatike që parapriu epokën e “informacionit viral” dhe lajmeve të rreme, dhe nga ku gazetaria, liria dhe demokracia do të dilnin përfundimisht fitimtare. Divergjenca të njëjta u shfaqën në Kongresin Ndërkombëtar të Romantizmit, të bashkorganizuar në gusht nga Universiteti i Mançesterit dhe kushtuar posaçërisht Peterloo-së. Nëse disa, si historianët Catherine Hall dhe Robert Poole3, nxjerrin në pah karakterin e punëtorëve dhe të kryengritjes së ngjarjes, të tjerët, në vend të   prizmit të luftës së klasave preferojnë atë të individëve të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar menaxhimin modern të turmës dhe mediave nga oratorēt e viteve 1810 ose rehabilituar, në emër të kompleksitetit psikologjik, “tē kēqinjtë” e 16 gushtit. Shefi i policisë, i famshëm për egërsinë dhe ashpërsinë  e tij, bëhet kështu një lloj Javert-i (Zhaveri) anglez, duke mbajtur një marrëdhënie dashurie-urrejtjeje me Bamford-Valjean, gjē që nuk mund të ishte më romaneske se kaq. Peterloo-ja ishte, madje, subjekt i një shfaqjeje muzikore për orkestër dhe kor. The anvil “kudhra”, porositur te kompozitorja britanike Emily Howard, me premierë në 16 gushtin e vjetshëm në Royal Albert Hall si pjesë e Proms, një festival i muzikës klasike që zhvillohet në Londër çdo verë. Padyshim që duhet të gëzohemi se një episod i historisë së punëtorēve anglezë u riintegrua, kështu, në kujtesën kolektive, edhe pse është për të ardhur keq që një tubim i shtypur ashpër nga borgjezia përfundoi i tregtuar në tote bags – trasta lecke, me talent  promovues

*Lektore e lēndēs sē qytetërimit britanik në Universitetin e Artois