
Afërsisht 450 të vdekur dhe 20 000 të plagosur midis 1 tetorit dhe gjysmës së dhjetorit: bilanci është i tmerrshëm. Që nga sheshi Tahrir, në zemër të Bagdatit, deri në qytetet në jug të Irakut, me mijëra manifestues protestojnë kundër qeverisë dhe ushtrisë që e mbështet duke shpallur fundin e sistemit politik që drejton vendin që në vitin 2003, e cila është dhe data e rënies së regjimit të diktatorit Sadam Hysein. Dialogu midis pushtetit dhe protestuesve në rrugë duket se është ndërprerë. Kryengritjet dhe vrasjet e të rinjve militantë vazhdojnë edhe pas masakrës së natës së 6 dhjetorit, kur 24 persona (20 manifestues dhe 4 policë) që ishin vendosur në parkingun me kate, një vend konvergjence për protestuesit, u vranë nga milicë të paidentifikuar. Që pas dorëheqjes së kryeministrit Adel Abdel-Mahdi, më 29 nëntor, klasa drejtuese qëndroi e shurdhër ndaj pretendimeve të rinisë së saj dhe kërkoi që të zgjidhej një kryetar i ri qeverie, pasi i vjetri po nxitonte të mbyllte pa kujdes të gjitha çështjet. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas rënies së Bagdatit, që erdhi si rrjedhojë e pushtimit të vendit nga trupat amerikane dhe aleatët e tyre, veçanërisht ata britanikë, vendi përjetoi një krizë të paparë deri më tani.
Kjo faqe e re e historisë irakene u hap më 27 shtator. Atë ditë, dy ngjarje ndezën zjarrin e zemërimit. Fillimisht shpërbërja e dhunshme dhe e pajustifikuar e një grumbullimi të diplomuarish që ishin të papunë, para zyrave të kryeministrit. Më pas shkarkimi e një njeriu të konsideruar si një hero kombëtar për rolin e tij në betejën kundër Organizatës së Shtetit Islamik (OEI): Zëvendës-gjenerali Abdel Wahab Al-Saadi, komandant i dytë i Shërbimit iraken të luftës kundër terrorizmit (CTS). Një numër i caktuar irakenësh ishin të mendimit se pas këtij shpërthimi qëndronte dora e Iranit. njeriu që ishte njeri i amerikanëve dhe i CTS-së, ku në fakt ishte shefi i tyre, përbënte një pengesë përballë ambicieve hegjemonike të Hachd Al-Chaabi, dhe Bashkimit të mobilizimit popullor. I krijuar në vitin 2014 për të vazhduar luftën e shenjtë kundër OEI-së, pas rënies së Mosulit, ky koalicion i përbërë nga shumë milicë paraushtarakë, me shumicë shiite, është financuar nga Irani dhe është stërvitur nga gardianët e revolucionit, që është dhe krahu i armatosur i Teheranit në atë zonë. Ndërshkimi i të diplomuarve dhe lënia mënjanë e një heroi kombëtar për të kënaqur Teheranin. Këto dy fakte përmbledhin motivimin e dyfishtë të Hirakut: zemërimi kundër një situate ekonomike dhe shoqërore të degraduar dhe neveritje nga ndikimi iranian. Edhe pse spontane, kryengritjet aktuale, të fundit si datë në një seri të gjatë protestash që në vitin 2003, nuk janë tjetër veçse pasojat e gjashtëmbëdhjetë viteve premtimesh të pambajtura. Problemet endemike që ekzistonin në vitin 2003 u fshinë: korrupsioni, klientelizmi, papunësia, dhuna e armatosur, sistemi politik jo efikas dhe gati i mbaruar. Ose vendi nuk ka qenë kurrë kaq i pasur, buxheti i shtetit ka përfituar nga të ardhurat e çmimeve të mira të naftës, që për vitin 2019, shkuan në 112 miliardë dollarë (hidrokarburet zinin 99% të eksporteve). Paralelisht, ngritja e korrupsionit shtetëror u thellua akoma më shumë. Në fillim të vitit 2019, një komision i Parlamentit pohoi se në gjashtëmbëdhjetë vjet, ky korrupsion kishte përlarë 200 miliardë dollarë, ose dyfishin e prodhimit të brendshëm bruto (PBB).
Me 50% të papunë, rinia është viktima e parë e këtij shpërdorimi. Vetëvrasja e aprovuar nga feja muslimane, nuk përbën më një temë tabu. Midis viteve 2016-2018, Komisioni shumëzyrtar i të drejtave të njeriut të Parlamentit njohu një rritje prej më shumë se 30% vetëvrasjesh, dhe që shkoi nga 383 në 519 raste. Edhe pse në të vërtetë e nënvlerësuar, këto shifra shkaktuan një emocion të madh në popullatë. Më e rënda: në vitin 2019, shumë nga këto akte të dëshpëruara u kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale. Që në vitin 2013, arsimi qe lënë në harresë nga shumë qeveri. Sot mungojnë më shumë se 20 000 shkolla; në vetëm një klasë mblidhen rreth 80 nxënës. Më alarmante akoma: 130 000 fëmijë nuk janë shkolluar në arsimin fillor gjatë vitit shkollor 2017-2018 (1). Nëse flasim për gjithë territorin e Irakut, problemi është akoma më i thellë në zonat e pushtuara nga OEI. Pikërisht për të kërkuar me ngulm një ndryshim, rinia zbriti në rrugë.
« Ky brez nuk ka mundësi për të udhëtuar, por është shumë i lidhur me mediat e reja. Ai shikon së jashtë shtetit, moshatarët e tyre jetojnë shumë mirë, dhe ndonjëherë në vende më të varfëra sesa Iraku. Të jetosh në një vend ku nuk zbatohet drejtësia, ku ka ushtarë të armatosur gjithandej, nuk është më diçka e pranueshme. Kjo krizë është akoma më e thellë sesa të parat. Kësaj herë denoncohet një sistem i tërë, dhe pikërisht për këtë arsye përgjegjësit politikë qëndrojnë të heshtur. Kjo ndodh sepse kërcënohen interesat e tyre “personale”, shpjegon Moustafa Saadoun, themelues i Observatorit iraken të të drejtave të njeriut. Ky gazetar që jetonte në Bagdad ishte një prej liderve të manifestimeve në sheshin Tahrir në vitin 2015. Protestuesit i kërkonin reforma sociale qeverisë së kryeministrit Haidar Al-Abadi. «Në vitin 2015 ishte shumë më pak e dhunshme sesa sot. Pastaj ne mblidheshin vetëm të premteve. Ndërsa sot, sapo u bënë dy muaj protesta, kemi pothuajse 500 të vrarë! Të gjithë qenë paqësorë: askush prej tyre nuk ishte i armatosur », revoltohet Saadoun.
Përveç gjendjes së keqe social-ekonomike të vendit, prania e gjithanshme iraniane është një prej karburanteve të revoltës. Me premtimin për demokraci nga pushtuesit e tij amerikanë në vitin 2003, Iraku u zu në morsë. Prania e trupave të huaja në tokën e tij, çmontimi i strukturave të regjimit të vjetër, zhdukja e shumë institucioneve, sektarizimi i atyre që mbetën, ndikimi mbizotërues i një numri kundërshtarësh që kishin jetuar për një kohë të gjatë jashtë vendit dhe që nuk e njohin akoma realitetin e dobësuan në mënyrë të konsiderueshme aparatin shtetëror. Kjo u hapi rrugën ndërhyrjeve të Iranit dhe të Shteteve të Bashkuara.
Por, që në vitin 2011, data e tërheqjes së trupave amerikane, gjë që u vendos nga administrata e z. Barack Obama, fqinji pers fitoi autoritet ndaj rivalit të tij. Nëntorin e kaluar, faqja e internetit The Intercept publikoi telegramet iraniane duke zbuluar atë që për pjesën më të madhe të irakenëve nuk ishte tjetër veçse një sekret polishineli (sekret që gjithkush e di por nuk e tregon), përhapje e infiltrimit iranian në të gjitha shtresat e qeverisë. Mund të flasim për një entrizëm kombëtar me flamuj të shpalosur, aq i madh ishte ndikimi, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Ndikimi është i tillë saqë elementë irakenë që bashkëpunonin me Central Intelligence Agency (CIA) u rekrutuan menjëherë nga shërbimet iraniane menjëherë pas ikjes së trupave amerikane. Burimet që lejuan daljen e këtyre dokumenteve ishin irakene, gjë që qartëson zemërimin e një kordoni të rëndësishëm të shërbimeve të sigurisë.
« Ne duam një komb »
« Gjatë historisë së tij, Iraku ka përfunduar duke u ngritur kundër pushtuesit, ose kundër çdo forme shtypjeje. Sulmet e qeverisë kundër arsimit, korrupsioni endemik, menaxhimi i keq i politikës së vendit, nxitën zemërimin e rinisë », analizon z. Mountadhar Nasser, vëzhgues dhe militant i të drejtave të njeriut që ka marrë pjesë në të gjitha manifestimet në sheshin Tahrir që në vitin 2015. Më 1 tetor 2019, një nga parrullat e para popullore nuk kishte të bënte me ndërprerjen e energjisë elektrike, as me vendet e punës, por kishte të bënte me një vizion kombëtar, i cili nëpërkëmbej që në vitin 2003: « Noreed Watan » (Ne duam një komb). « Për të ndërtuar të ardhmen e vendit, baza është arsimimi. Dhe motorri i tij është autonomia politike e një qytetarie të rigjetur, shpjegon z. Hatem Al-Zaidi, një protestues i sheshit Tahrir. Ne nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje të huaj në punët e Irakut, nuk duam as nga Irani dhe as nga Shtetet e Bashkuara… »
Gjatë ditëve të para të revoltës, qeveria nguli këmbë që mos të dëgjonte njerëzit në rrugë. Ajo e ndërpreu lidhjen me internetin dhe turbulloi komunikimin. Padyshim që kjo sjellje e zgjeroi më tej lëvizjen. Të izoluar nga pjesa tjetër e botës, manifestuesit i bënë ballë vdekjes dhe milicëve të afërt me pushtetin, ndonjëherë të mbështetur nga elementë iranianë, identiteti i të cilëve u zbulua në rrjetet sociale. Zemërimi kundër Iranit është ushqyer rregullisht nga peripecitë e jetës politike, që mundohen të tregojnë se Bagdati është nën ndikimin e Teheranit. Në prill të vitit 2019, deputetë që ishin pranë Republikës Islamike paraqitën me urgjencë një projekt-ligj që kërkonte me ngulm tërheqjen e trupave amerikane që ishin të pranishme në Irak që në vitin 2014 në kuadrin e luftës kundër OEI-së. Edhe pse nuk i ka shpëtuar askujt fakti që ajatollahu Ali Khamenei sapo kishte kërkuar këtë tërheqje kryeministrit Mahdi duke e pritur në Teheran. Një hetim këmbëngulës që koincidonte me një kulmim tensioni midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pas vendimit të administratës së z. Donald Trump për të shënuar gardianët e revolucionit në listën e organizatave terroriste. Këtë instrumentalizim të vendit të tyre nga fqinji, e përçmonin më tepër një numri irakenësh se Bagdatit lindor, i cili është gjithmonë gati të denoncojë ndërhyrjet perëndimore.
9 dhjetor, ambasadorët e Gjermanisë, Kanadasë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar u mblodhën në Ministrinë e Punëve të Jashtme pasi kryeqytetet e tyre i bënë thirrje qeverisë për të ndaluar milicët të përdornin dhunën kundër manifestuesve. Popullsia shqetësohet, gjithashtu, për ndikimin progresiv të Hachd Al-Chaabi, i cili ishte integruar tashmë të paktën në teori, në aparatin e sigurimit, por që falë mbështetjes së Teheranit, vepruan si një Shtet brenda Shtetit, duke e ftuar në debat politik. Pas masakrës së 6 dhjetorit, kryetari i tyre u ka kërkuar njerëzve të tij që të mos u afroheshin manifestuesve. Por ky urdhër që rëndoi dyshimet përsa i përket përgjegjësisë së milicëve në këto vrasje, nuk pati gjithmonë efekte, anëtarë të shumtë të këtyre njësive ishin të pakontrollueshëm. Pa asnjë surprizë, protestuesit dolën kundër interesave iraniane. Më 4 nëntor, konsullata e Iranit u sulmua në Kerbala. Më 27 nëntor, konsullatës së një qyteti tjetër të shenjtë të shiizmit, nadjafi iu vu flaka nga një turmë e zemëruar. Gjithçka ishte shkruar në sfondin e slloganëve që u shndërruan në himnet e revoltave : « Iran, Iran, jashtë, Bagdati do të jetë i lirë! » Motoja e përsëritur më 9 dhjetor në Kerbala gjatë funeralit të Fahem Al-Tai, një figurë emblematike e manifestuesve, i cili u qëllua të nesërmen para shtëpisë së tij nga disa qitës me motorr. Për rininë e revoltuar, të kërkoje « një vend të lirë » ishte një kthim natyror drejt nocionit të humbur që të nesërmen e rënies së regjimit të Huseinit: Identiteti irakian.
Sunitët janë akoma të heshtur
« Po përjetojmë një moment që e kemi pritur prej shumë kohësh. Kjo është historike. Kemi qenë të izoluar dhe të ndarë që prej vitit 2003. Identiteti irakian u përbuz, dhe mbi të gjitha u deformua nga qeveria, që e ka asimiluar gjithmonë me nostalgjinë e regjimit të Sadam Hyseinit. Ndërkohë që shumica e të rinjve manifestues nuk e kanë njohur fare këtë epokë! Ajo që ne kërkojmë sot, është që ky identitet të jetë motorri i vetëm i Shtetit iraken; ne duam vetëm që të njihemi si qytetarë », ankohet z. Nasser.
Në mes të dhjetorit, zemërimi popullor prekte vetëm kryeqytetin dhe qytetet e mëdha shiite si Nassiriyah, Kerbala, Nadjaf, Amarah, Bassorah. Në jug, me shumicë shiite, të rinjtë shprehin dëshirat e tyre për t’i dhënë fund regjimit të ngritur në raport me forcat sektare, ku feja është çelësi i qemerit të jetës politike. Këto aspirime janë të njëjtat me ato të bashkëpatriotëve të tyre sunitë, që për momentin po qëndrojnë në heshtje. « Sipas meje, për aq kohë sa lëvizja nuk bazohet në asnjë vullnet për reforma nga ana e qeverisë, dhe për aq kohë sa Hachd Al-Chaabi do të kontrollojnë rrugët, sunitët do të qëndrojnë në pritje. Por, në një moment, do të ketë zgjerim të manifestimeve edhe në krahinat e tyre », parashikon z. Mohanad Al-Aleani, një banor i Falloujah, ku sunitët janë shumicë. Banorët e këtij qyteti nuk kanë harruar se manifestimet e tyre paqësore të dhjetorit 2012, që kërkonin të denonconin përjashtimin e tyre, u shtypën fuqimisht nga forcat e ardhura me nxitim të qeverisë. Kjo shpjegon se përse, edhe pse në sheshin Tahrir janë parë delegacione me studentë sunitë që janë bashkuar me manifestuesit, pjesa më e madhe e qyteteve të Perëndimit dhe të veriut qëndruan të kujdesshëm, dhe të shqetësuar në lidhje me hakmarrjet e mundshme të milicisë.
E shmangur për vite me radhë nga një sistem politik që u ishte mirënjohës dy fuqive të huaja që ndërhynin hapur, kërkesa ndaj respektit të identitetit kombëtar varet nga një mobilizim që shkonte përtej copëtimit fetar.
* Gazetar. Autor së bashku me Léonard Cohen i veprës Parfumi i Irakut. Botimet Nova, 2018.
[1] «Programi shkollor në Irak, një pasqyrim në mes të shkatërrimit » (arabisht) Daraj, Beyrouth, 10 mars 2019.
[2] James Risen, Tim Arango, Farnaz Fassihi, Murtaza Hussain dhe Ronen Bergman, «A spy Complex revealed», The Intercept (me The New York Times), 18 nëntor 2019, https://theintercept.com