VËSHTRIM
Pse e kemi të vështirë ta shkruajmë historinë tonë?!

Për fat të keq, sot, trajtimi dhe shkrimi i historisë, në jo pak raste, fryrë edhe nga media bëhet jashtë vëzhgimit të institucioneve zyrtare të histori-shkruarjes, ku ato janë jo pak fajtore. Dhe, në Shqipëri ka gati dhe anektoda ashtu si ka segmente kohore, ku individë që merren me histori t’i tregojnë Hyjnitë e Antikitetit, sikur të jenë personazhe të gjalla dhe rritur aty, apo këtu qyteteve të Shqipërisë (lexo vetëm aty), shtuar me faktin se Shtëpitë Botuese, që mund t’u bëjnë një barrierë fillestare, bashkë me një redaktim shkencor nuk binden për këtë, në emër të fitimit, pa menduar për pasojat që kanë lënë te formimi i një pjesë jo të vogël të qytetarëve.

1518

Pak ditë më parë, një profesori të Universitetit të Gjirokastrës i duhej ta bënte një përçapje të madhe ndër mediat tiranase për ta përshfaqur një problem. Pas një reportazhi të një kolegut lidhur me identitetin e banorëve grekë në zonën e Dropullit në Jug të vendit edhe me prononcime profesorësh të nderuar, problemi që ngrinte ishte të dëgjohej e vërteta edhe prej zërave të tyre apo të shqyrtohej dhe një dokumentacion më i gjerë, që hidhte realisht dritë ndryshe. Në fakt, shkrimi u botua me vështirësi për të humbur në morinë e lajmeve boshe apo atyre që tashmë mbushin median në Tiranë. Pak ditë më vonë, gjithçka u fashit, ashtu si ndodh rëndom në Shqipëri. Po pse ndodh vallë që akademikë, profesorë dhe hulumtues shkencorë nuk e kanë autoritetin e duhur për një balancë normale apo më shumë akoma nuk mund të bindin se janë zëra autoritarë?! Dhe, kur ndodh që përfaqësues të ndryshëm sillen kështu me minorancën, atëherë e kupton realisht nivelin e tolerancës në vend, insistonte profesori minoritar.

Historia e Shqipërisë është shkruar për periudha të ndryshme, në kohë të ndryshme, e nga përfaqësues të njohur vendas e të huaj. Një nga kujtimet më të mëdha të këtyre përpjekjeve lidhet me kontributin e Milan Shuflajt, historianit kroat, që iu çel një fond nga parlamenti shqiptar i Para Luftës së Dytë Botërore, në shenjë nderimi dhe besimi, për të bërë një histori akademike të plotë të vendit. Fatkeqësisht, nisja e punës do të përfundonte me mbarimin tragjik të jetës së tij, njërit prej historianëve më të njohur të Mesjetës për vendin tonë. Paradoksalisht, jo pak nga historitë më të pranueshme, shkruar për vendin tonë, e të cilat janë pranuar prej të gjitha palëve janë hartuar dhe vazhdojnë të bëhen nga të huajt. Ajo që i bën ato të dallueshme dhe të respektueshme është fakti se janë të pajisur me një aparat shkencor të lavdërueshëm dhe kanë metodika të mira bashkëkohore, ashtu si edhe kanë përcjellë nivelin e lartë të autorëve të tyre për anësi, duke na treguar se paraardhësit tanë ishin banorë interesantë autoktonë dhe me shumë veçanësi, kurse ngjarjet në këtë vend kanë pasur njësoj ngarkesat historike edhe të hapësirave e organizimeve shtetërore të tjera fqinje.

Përcaktimi “histori” përdoret për disiplinën shkencore që e hulumton të kaluarën e shoqërisë njerëzore, qysh nga dëshmitë, provat dhe gjurmët e krijimit të njeriut deri më sot. Ata, që marrin përsipër ta bëjnë shkencën e historisë, kanë mundësinë që jo vetëm ta studiojnë por edhe të hedhin dritë të plotë mbi ndodhitë dhe dukuritë në të kaluarën, duke i krahasuar me kujdes dhe lidhur me logjikë, por edhe duke gjetur e zbuluar apo abstraguar sa i përket lidhjeve të tyre të ndërsjella. Teorikisht kjo njihet, por ideologjizimi, shuarja dhe humbja e dokumenteve të tërë me qëllim zhdukje apo fshehje, më keqazi dhe kontrabanduar e kanë rënduar shumë pozicionin tonë për të. 

Këtu është edhe filli që mungon e humbet për shumë nga historianët tanë, të cilët abstragojnë me shumë probleme por shpesh duke u ngërthyer e humbur në tema nacionaliste dhe kjo duket se u ka dhënë një avantazh historianëve të huaj, që kanë shkruar disa nga historitë më të besueshme për vendin. Mes tyre do shquhen në vitet e fundit Fischer, Schmitt, Nadin e pak të tjerë, pesha e të cilëve është treguar me argumentet e sjella por edhe me trajtesën moderne të periudhave që kanë marrë në shqyrtim.

A mund të tregohet diku gishti i fajtorit, pse historiografia jonë përball probleme të pazgjidhshme dhe ngre ide të çartura?! Duket se deri më sot, institucionet kanë qenë të paafta, pasi dhe problematikat e tyre të brendshme ishin të mëdha prej reformimeve të shpeshta dhe futjes së partive në sinoret e tyre. “Problemi qëndron në mënyrën si zhvillohet debati. Fatkeqësisht në Shqipëri trajtimi i historisë bëhet kryesisht jashtë institucioneve zyrtare të histori-shkruarjes, pjesërisht edhe për fajin e tyre. Shembulli më ilustrues për këtë fenomen është rritja e botimeve me karakter historik nga autorë të cilët nuk kanë formim historiani”, mendon historiani i njohur i shekullit XX, Maringlen Kasmi, në një intervistë dhënë pak kohë më parë. Për këtë sqarohet por edhe ngrihet si shqetësim që mungojnë një varg i tërë institucionesh, të cilat duhet ta bënin si duhet këtë punë, por që nuk arrijnë prej kufizimeve dhe problematikave të tjera. Ndaj, dua të them se ekzistonin bazamente të rëndësishme për shkrimin e historisë zyrtare të Shqipërisë deri në vitin 1944”, sqaron Prof. Romeo Gurakuqi, historian i të njëjtës periudhë dhe shton se megjithatë: “Aleks Buda, Hasan Ceka, Skënder Anamali, Çesk Prendi, Selim Islami, Injac Zamputi, Selami Pulaha, Zija Shkodra, Kolë Kamsi, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Bep Jubani e sa e sa të tjerë kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në shkrimin pa nevojë ndërhyrjesh themelore të Historisë Zyrtare të vendit”. Sipas, tij, problemi ka mbetur me atë që bëri diktatori Enver Hoxha me direktivat e tij në lëmin e historisë.

Vallë a është vetëm rasti i Shqipërisë i tillë? Koha dhe përvoja e Ballkanit, e jo vetëm na kanë treguar se shpesh edhe vende të tjera janë hasur me problematika të tilla dhe mbi të gjitha nevoja për të ngritur paradigma në interes të pushteteve të ndryshme, kanë arritur të ndryshojnë deri edhe shumë rrjedha historike në vende të ndryshme. Në këtë rast ka qenë arti, kinematografia, libri që kanë hedhur dritë ndryshe, si në rastin e Oliver Stoun me intervistat e tij me personazhet më të mëdhenj të shekullit XX, por edhe filmat, ku ka treguar të panjohurën jo të vogël e shumë ngjarjeve të SHBA-së. Kuptohet se aksioma, sipas të cilës, historinë e bën më i forti është gati një postulat, që në vendet me nivele demokracie që lënë për të dëshiruar si vendi ynë, ndryshojnë varësisht politikës.

Si në Irlandë?!

Autori ka përmendur shpesh rastin e një ngërçi të tilla, që ka ndodhur dhe në vende të tjera, ku një nga më të spikaturit ka qenë e mbetet ai irlandez. Për shkak të statusit ndërkombëtar të Irlandës së Veriut, por jo vetëm, debati mes Anglisë dhe pjesës tjetër të Irlandës, i kalon shekujt. Por, bash këtë kaloi një moment një legjislaturë parlamenti largpamëse në Irlandë, e cila vendosi të ndërmerrte një hap të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund sherreve në vend: Ajo ia besoi hartimin e historisë së saj moderne Universitetit të Oksfordit. Duke ditur se palët në Irlandë me kundërshtime të mëdha mesveti nuk lëshonin pe, u pa më e arsyeshme, që historia t’i besohej një autoriteti historik siç ishte universiteti shekullor, flamur i studimeve të kësaj disipline. Por, studiuesi Kasmi përmend edhe një rast tjetër shumë interesant, ashtu si vepruan në fillimvitet 1990 edhe Gjermania dhe Çekia. “Referuar përvojës së tyre tepër delikate gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kryesisht problematikës së krahinës së Sudeteve, u krijua një komision i përbashkët historianësh gjermanë dhe çekë, të cilët punuan një version zyrtar të historisë së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Pra, unë besoj se historinë e një vendi e shkruajnë institucionet vendase. Sigurisht që bashkëpunimi me institucione të tjera të huaja, palë në konflikte apo ngjarje të caktuara është i rëndësishëm. Ky bashkëpunim fillon prej konsultimit të dokumentacionit të huaj arkivor e deri në shkëmbimit në nivel ekspertësh, në organizimin e tryezave shkencore e botimeve të përbashkëta etj. Por, delegimin e shkrimit të historisë kombëtare zyrtare në një institucion të huaj, sado prestigjioz qoftë ai, e shikoj si jo gjënë e duhur”.

Po pse duhet të vazhdojmë ende me ngërçe dhe me mosrespektimin e shumë ngjarjeve dhe personazheve apo me trajtesa me ekuivoke?! Për fat të keq, sot, trajtimi dhe shkrimi i historisë, në jo pak raste, fryrë edhe nga media bëhet jashtë vëzhgimit të institucioneve zyrtare të histori-shkruarjes, ku ato janë jo pak fajtore. Dhe, në Shqipëri ka gati dhe anektoda ashtu si ka segmente kohore, ku individë që merren me histori t’i tregojnë Hyjnitë e Antikitetit, sikur të jenë personazhe të gjalla dhe rritur aty apo këtu qyteteve të Shqipërisë (lexo vetëm aty), shtuar me faktin se Shtëpitë Botuese, që mund t’u bëjnë një barrierë fillestare, bashkë me një redaktim shkencor nuk binden për këtë, në emër të fitimit, pa menduar për pasojat që kanë lënë te formimi i një pjesë jo të vogël të qytetarëve.

Pozicioni “i armikut”

Profesori Barka, i përmendur në fillim të këtij artikulli, për shqetësimin që ngriti lidhur me problemin e minoritetit  do përmendte se: “Për një temë të tillë të rëndësishme, autori është i detyruar t’i referohet edhe palës tjetër. Aq më tepër kur ajo përbën pakicë dhe detyrimi për të promovuar mendimin e saj, përbën normë të Civilizimit Perëndimor. Pra, autori duhet të ballafaqonte idetë e tij me ato të përfaqësuesve të vërtetë të historisë dhe kulturës së  Minoritetit Kombëtar në Dropull. Dhe të tillë Dropulli ka më shumë se çdo krahinë tjetër e Shqipërisë”. Kjo nuk ndodhi, ashtu si vazhdimisht në qëmtimin e pakujdesshëm të historisë tonë gjen shumë elementë, të cilët jo vetëm e kundërshtojnë njëri-tjetrin, por që realisht ndikojnë në atë që ne njohim dhe që mund ta përflasim. Si p.sh. duke menduar për një pjesë jo të pakët si “tjetri”, që jo pak herë u trajtua si armiku ne kemi pësuar trauma, me të cilat lidhet stigma për shumë personazhe të sotëm dhe të djeshëm. Teksa ndryshimet e sotme dhe idetë nga shumë autorë përcillen jo vetëm me vështirësi por edhe me shumë problematika. E megjithatë, sido që të ndodhë, një historian i huaj i kohëve moderne, sado që mund të jetë ekspert, shpesh është parë se nuk mund të ketë kapacitetin dhe ndjeshmërinë e një vendasi. Kjo e kërkon sot investimin dhe reformimin e institucioneve shqiptare.

“Po ashtu ato janë të lidhura me pamjaftueshmërinë e strukturave të reja shtetërore të tranzicionit në procesin e rikapjes së fillit të këputun dhe mungesën e një vullneti të saktë në ringritjen në nivelet e kohës sonë, të Shkollës së Përgatitjes së Historianëve, financimit jo adekuat të Institutit të Historisë dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike. Kushdo që ka arritur të spikasë me modernitetin e vet profesional në këtë periudhë, është bërë vetë në pikëpamje të shkollimit, plotësimit të shkollimit, përgatitjes autodidakte metodologjike dhe filozofike, zotërimit dhe shfrytëzimit të burimeve arkivore të pamata që ekzistojnë për vendin tonë, kuptuar si treva të banueme nga shqiptarët”, referon Romeo Gurakuqi, që sjell edhe historinë shumë të rëndësishme të institucioneve shqiptaretë Ministrisë së Arsimit të para vitit 1944.

Por, ai “Tjetri”, që ne e përcjellim sot gjerësisht edhe falë trashëgimisë së kinematografisë së dikurshme, identifikohet si dikush krejt tjetër realitetit tonë. Jo më kot, Nacionalistët me Komunistët, sot pinjollët e tyre, shkojnë deri në ekstrem me njëri-tjetrin. Përpjekja e historiografisë sonë është ende e pamjaftueshme për të zgjidhur shumë problematika të vendit, duke i lënë terren amatorëve dhe panegjirikëve jo të pakët për t’u futur në lëmë, që nuk i rrokin dot.

Anipse , kjo të sjellë sërish ndërmend atë modelin irlandez, që jo thjesht rezultoi i duhuri, por që duke ditur besueshmërinë që publiku ynë ka për të huajt, të mund të provohet. A është thjesht imagjinatë? Jo, mbase një kërkesë për të futur në hulli, një nga problemet e shumta të historisë së shqiptarëve, e cila pret prej dekadash të ndahet nga jo pak trajtesat amatore.  Mbase kjo nuk do e lodhë me profesorin dhe të tjerë si ai për të trajtuar problemet e identitetit, e jo vetëm, ndër shqiptarë.