
Të paktë janë kandidatët e zonës « Schengen » që e dinë se ky emër i përket një fshati luksemburkez, në mes të vreshtave, fqinj sa me Francën aq dhe me Gjermaninë. Konventa e parë që organizoi qarkullimin e lirë të personave në Europë u nënshkrua në Moselle, në bordin e anijes Princesse Marie-Astrid, në vitin 1985. Në anën e majtë të lumit, pas një relikeje të murit të Berlinit, Muzeu europian festoi këtë fshirje të kufijve. Njëzet e katër pllaketa, një për çdo gjuhë zyrtare të Bashkimit, rrëfejnë një legjendë të artë e cila shmang përfitimin kolosal që Luksemburgu merr nga një liri tjetër qarkullimi, nga ajo e kapitaleve… Këtij koleksioni i mungon edhe një pllaketë në gjuhën kombëtare, lëtzebuergesch, emergjenca aktuale e së cilës qartëson rrugëtimin e pazakontë të dukatit të madh.
Një ag vjeshte në kryeqytet, tridhjetë kilometra më në veri. Nën nje shi të ftohtë, me dhjetëra njerëz janë drejtuar nga Instituti Kombëtar i Gjuhëve (IKGJ). Ora e parë e gjuhës luksemburgeze e semestrit fillon pas disa minutash. « Unë njoh tashmë pesë gjuhë, na thotë një suedeze, kjo gjuhë do të jetë një plus për ndërmarrjen time ». Më pak të sigurtë, një polak dhe një rus tregojnë « respektin » që kanë ndaj vendasve: « Gjithsesi ndodhemi në Luksemburg! » Një marokene ankohet, sepse duhet të paguante 400 euro në vit për të mësuar një idiomë që « nuk shërben askund tjetër përveçse këtu ». Frëngjishtja dhe gjuha luksemburgeze monopolizojnë tre të katërtat e orëve të mësimit. Këtë vit, « është hera e parë që gjuha luksemburgeze e parakalon frëngjishten, shpjegon z. Luc Schmitz, zëvendësdrejtor. Listat e pritjes u mbushën plot, kemi mungesa mësuesish ». Instituti kombëtar i Gjuhëve lëshon çertifikata të çmuara që kërkohen gjithmonë e më shumë nga punëdhënësit dhe nevojiten për të marrë kombësinë luksemburgeze. Që në vitin 2000, më shumë se një banor në dhjetë fitoi natyralizimin, pothuajse 67 000 persona.
Në një kafene në Place des Armes, në qendër të qytetit, Zonjat Rita Schmit dhe Christine Schmit (1), të Shoqërisë së përkthyesve dhe interpretëve luksemburgezë pohuan zhvillimin e fundit të gjuhës: « Në librat për fëmijë, p.sh. ka pak dhe kjo praktikisht nuk ekzistonte ». Ose në sektorin tregtar. « Gjithmonë e më shumë, klientë të huaj duan një manual për produktet e tyre. Ndonjëherë na kërkojnë të përkthejmë në « gjermanishten luksemburgeze » ose në « frëngjishten luksemburgeze », duke imagjinuar sikur bëhej fjalë vetëm për një variant, të një dialekti, siç është gjuha e Quebek-ut p.sh », zbaviten dy bashkëbisedueset tona. A munden ato të ndiejnë habinë e vizitorëve që vinë nga Hexagone-i ndërsa përshkojnë la Ville-Haute, qëndrën historike të Luksenburgut. Frëngjishtja zë vendin e parë në sinjalistikë, por përveç gjuhës luksemburgeze, shfaqen pa pushim propozime në gjermanisht, anglisht, portugalisht apo dhe italisht – gjithashtu edhe katedralja Notre-Dame predikon meshat në të gjitha këto gjuhë. Duket sikur gjithsecili kalon lehtësisht nga një idiomë në tjetrën, ndonjëhërë brenda së njëjtës fjali, ndonjëherë në funksion të bashkëbiseduesve.
Anketat ndërkombëtare e konfirmojnë këtë përshtypje: më shumë se katër luksemburgezë në pesë vetëdeklarojnë se flasin tre gjuhë, dhe më shumë se tre persona në pesë, flasin katër gjuhë(1). Kjo shumëllojshmëri gjendet në praktikat kulturore. Në teatër, shfaqjet në gjuhën frënge janë më të shumta, ndërsa për letërsinë, librat në gjuhën luksemburgeze mbajnë vendin e parë. Përsa i përket shtypit, dy gazetat e mëdha të përditshme, Luxemburger Wortet, Tageblatt, janë hartuar në gjuhën gjermane, por i kanë lënë shumë faqe frëngjisht; numri më i madh i ekzemplarëve i është lënë gazetës frankofone L’Essentiel që shpërndahet falas. Në radio dhe në televizion, operatori privat historik RTL ka audiencën më të mirë me programet e tij në gjuhën luksemburgeze. Faqja e internetit e këtij kanali është shndërruar gjithashtu në median e parë të shkruar.
Veçantia linguistike e këtij vendi që për nga madhësia është afërsisht sa departamenti i Rhone, e ka origjinën e saj në situatën midis dy fqinjëve të bezdisshëm, Francës dhe Gjermanisë. Kjo veçori shpjegohet edhe nëpërmjet pushtetit tërheqës të dukatit të madh dhe nga dinamizmi i tij ekonomik si rézultat i një politike fiskale të ulët vendosur qysh në vitet 1970 për të ndryshuar faqen e metalurgjisë. Gati gjysma e 613 000 banorëve (1) janë të huaj (47% e popullsisë totale në vitin 2019, dhe 70% e popullsisë së kryeqytetit), pa numëruar këtu 200 000 punëtorët që kapërcejnë kufirin çdo ditë – gjysma vjen nga Franca, një çerek nga Belgjika dhe një çerek tjetër nga Gjermania (2). Në total, të huajt prodhojnë më shumë se tre të katërtat e pasurisë kombëtare.
Një banor në gjashtë është portugez
« Baza e kësaj marrëveshjeje miqësore, përbën një shpërndarje të misionit midis gjuhëve, na thotë sociolinguisti Fernand Fehlen. Secila ka rolin e saj për të luajtur dhe nëse doni të jeni pjesë e plotë e këtij konteksti kombëtar, duhet të pranoni përdorimin e një gjuhe të caktuar në një kontekst të caktuar dhe të keni mundësi ta bëni një gjë të tillë. Por të thuash që njerëzit flasin nga tre gjuhë, kjo është fiksion, sepse ata vetëm sa i zotërojnë pak a shumë mirë, këto gjuhë ». Studimet paraqesin një fotografi me kontraste midis shtëpisë dhe punës. Gjuha “që zotërohet më mire” ngelet gjuha luksemburgeze, por vetëm për 42% të rezidentëve (jashtë kufinjve) (horsfrontaliers), dhe renditet para frëngjishtes me (20%) dhe gjuhës portugeze me (14%) – më shumë se një banor i Luksemburgut në gjashtë të tillë është portugez ose me origjinë portugeze. Ndërsa në tregun e punës, frëngjishtja ngjitet në majë. E folur nga katër rezidentë në pesë të tillë, kjo gjuhë zë vendin e parë në të gjithë sektorët, përveç sektorit të administratës, ku parakalohet nga gjuha luksemburgeze, dhe atij financiar dhe i sigurimeve, ku anglishtja është mbreti. (1) Gjuha luksemburgeze dominon tek personat që janë më shumë se 50 vjeç dhe tek ata që janë më pak se 30 vjeç. Shumë e përdorur në të folur deri më tani, kjo gjuhë ka njohur një përhapje të papritur në të shkruar falë shfaqjes së rrjeteve sociale dhe shumëfishimit të mbështetësve të komunikimit. « Një nga sekretet e rëndësisë që ka marrë gjuha luksemburgeze është fakti se në mediat sociale, pranohet gjerësisht se mund të bëhen gabime në të shkruar, pohon z. Jean – Lou Siweck, drejtor i grupit Editpress (Tageblatt, Le quotidien, L’Essentiel). Kjo gjë e bën jetën më të lehtë. Në gjermanisht, nuk do të pranohej një gjë e tillë. Në frëngjisht akoma më pak ». Do të asistonim kështu në emergjencën e një « gjuhe 2.0 » ku cilësia stilistike ka më pak rëndësi sesa liria e shprehjes.
Në lindje të kryeqytetit, në Strassen, leksikografi Alexandre Eckert rrëshqet gishtat mbi tastierën e tij. Me një zë të ëmbël dhe të vendosur, ai shpjegon funksionimin e fëmijës së tij, një fjalori online. « Gjuha burimore është gjuha luksemburgeze, dhe janë katër gjuhë shënjestra që i referohen: gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe portugalishtja. Nuk ka përkufizim të fjalëve në gjuhën luksemburgeze, por vetëm elementë të çdyzimit të gjuhëve shenjuese, referuese, që bëjnë të mundur dekodimin, zbërthimin e kuptimit të fjalës ». Në anën e tij rreshtohet dhe z. Luc Marteling, drejtori i parë i qendrës për gjuhën luksemburgeze, që sapo është krijuar. Ai na orienton me gisht drejt korpusit të Lëtzebuerger Online Dictionnaire, me 27 000 prurje. Të dy burrat drejtojnë një ekip prej dhjetëra njerëzish të cilët verifikojnë fjalët një e nga një, në kontekstin e botimit, në këtë nëntor, me një ortografi « të kompletuar » të gjuhës luksemburgeze. « Ja një shembull i mirë, thotë z. Marteling: fjala “plateau” (pllajë). Shkruhet parimisht, si në frëngjisht, me një « t », dhe « e, a, u ». Por në gjuhën luksemburgeze, rrokja e parë e fjalës është e shkurtër. Për të vënë në dukje këtë shkurtësi duhen vënë dy bashkëtingëllore: dy « t ». Po përse duhen shkruar « e, a, u », në vend që të shkruhet « o »? Që fjala të jetë vërtet në rregull sipas ortografisë luksemburgeze, duhej shkruar « platto: Por a do ta vendosim ne këtë gjë? »
Përpunimi i fjalorit në përmirësim e sipër që prej pesëmbëdhjetë vjetësh, ka nxjerrë në pah një problem specifik të vendit: përmes zgjedhejs së një ortografie, a nuk e tërheqim gjuhën drejt origjinave gjermanike apo ndikimeve franceze? Kufijtë janë shumë delikatë për t’u përcaktuar dhe prej ndjeshmërisë së lartë: të shkruash « Kuraasch » dhe jo më « courage » (guxim), u ngrihen qimet e kokës përpjetë brezave që janë mësuar me grafinë franceze, për shembull. Zotërinjtë Marteling dhe Eckert e pranojnë se ndonjëherë konsiderohen si shejtanë budallenj. « Ne rekomandojmë një përqasje tolerante, nuk duam të diktojmë. Jemi këtu për të marrë përgjegjësinë e zgjedhejve; por nëse një fjalë nuk gjendet në fjalorin tonë nuk do të thotë se ajo nuk ekziston », përfundon z. Marteling.
Nëse gjuha e shkruar, ose më mirë të themi « ortografia », siç përdoret gjerësisht këtu – dhe përse jo? – u përcaktua me një vendim ministror për herë të parë në vitin 1975, pak persona e zotërojnë atë. Spellchecker.lu, që është një korrigjues online falas, edhe i shkarkueshëm për programet e zyrave, u vendos për të lehtësuar këtë mungesë që s’ka një konkurent industrial serioz. Të gjithë bashkëbiseduesit tanë thonë se e përdorin për të dërguar ndonjë e mail të rëndësishëm, për të korigjuar ndonjë artikull, apo raportuar ndonjë mbledhje… Konceptuesi i logjistikut, z. Michel Weimerskirch, një informaticien i cili krijoi në vitin 2013 një ndërmarrje të re për zhvillimin e faqeve në internet, duket pothuajse i habitur nga roli pilot që ai luajti në standartizimin grafik të gjuhës luksemburgeze. Sitin « Spellchecker.lu, e krijova për vete! E nisa në universitet, në vitin 2008, si një sfidë. Në fakt është një hobi që u kthye në një karte-vizitë, një vitrinë ». Falë mjeteve informatike, vetëm në disa vite ai ka mundur të bëjë ekuivalentin e punës së disa dekadave për Akademinë franceze… « Faqet e internetit përbënë korpusin tim të parë. Shkrova algoritma, dhe mundësia për të automatizuar më lejoi që të përparoja shumë shpejt ». Linku Spellchecker.lu përmban me shumë se 80.000 fjalë për formatet kryesore, përfshirë dublat franceze dhe gjermane dhe variantet ortografike. Është trefishi i fjalorit online luksemburgez! Një përparësi e padiskutueshme, por edhe një burim i thellë mosmarrëveshjesh. Por kjo është një periudhë bashkëpunimi: z. Weimerskirch po e përshtat këtë mjet për të përdorur ortografinë e përditësuar.
Para emergjencës së digjitalizuar, dhe që në vitin 1929, përçuesi kryesor në fushën e gjuhës nuk ishte tjetër veçse … një radio, RTL Radio Lëtzebuerg, ku punonte z. Marteling deri korrikun e shkuar. Media zotëruese e vendit, që shpërndan dy orë televizive në ditë, e ka zyrën e saj në pllajën e Kirchbergut, që mbledh tok në qytetin lart institucionet financiare, europiane dhe selitë e shoqërive të mëdha në një dekor futurist. Ajo i përket të njëjtit grup si edhe dega e saj franceze, me të cilën ajo ndan imazhe nëpërmjet agjensisë Enex, por gëzon një status special, përftuar nga një ndihmë e Shtetit në dukatin e madh. Përgjegjës i transmetimit online i kanalit, Olivier Treinen shprehet me sqimë: « Është një gjuhë akoma e re. Filma, filma vizatimorë, programe audiovizuale… po ndërtohet një identitet i ri në çastin kur luksemburgezët do të bëhen minoritarë në popullsinë e vendit. Tek gjuha vërehet një tension politik. »
Edhe pse gjuha luksemburgeze nuk ka pasur kurrë kaq shumë folës, ky tension manifestohet në tregti, si te ky dyqan buke në qendër të qytetit ku një person i moshuar mezi kuptohet me një punëtor të ardhur nga një vend tjetër kufitar Kjo mund të jetë më sikletuese kur bëhet fjalë për çeshtje intime të shëndetit, me personelin e spitalit apo në një shtëpi të moshuarish. Por ky promovim i gjuhës « kombëtare » i shërben klasës politike si diversion dhe influencë sqaron z. Siweck. Debati publik mbi çështjet e identitetit u ashpërsua gjatë referendumit të qershorit 2015, ku u propozua që t’u lejohej të huajve që ishin vendosur në vend, për të paktën 10 vjet, të votonin në zgjedhjet kombëtare – kjo e drejtë ekzistonte tashmë për zgjedhjet lokale. « Kjo ide vinte, kryesisht, nga bota ekonomike, shton ai. Shumë pak luksemburgezë punojnë në sektorin privat (1). Drejtuesit e ndërmarrjeve ndihen gjithmonë e më pak të përfaqësuar nga institucionet, meqënëse elektorati vjen kryesisht nga funksionet publike dhe zotëron një sindikatë të fuqishme. Mjediset drejtuese nuk e durojnë një gjë të tillë. Qartazi, ambicia e tyre ishte që të ndryshonin dinamikën politike.» Rezultati pati efektin e një shuplake të fortë për gjithë elitën e vendit: 78% votuan « jo » !
Për zgjedhjet e tetorit 2018, të gjitha partitë morën në mbrojtje gjuhën. Koalicioni midis liberalëve, social-demokratëve dhe ekologjistëve që përmbysën Partinë e pandërrueshme popullore kristiano-sociale në vitin 2013 (7), u bazua në premtimin se do të vendoste një « strategji për të promovuar gjuhën luksemburgeze » në njëzet vitet e ardhshme. « Ne kemi ambicien se ajo luan rolin e vektorit të përbashkët në një shoqëri gjithmonë e më tepër të larmishme, plurikulturore, me njerëz, gjithnjë e më shumë që nuk e flasin gjuhën luksemburgeze në shtëpi ose që nuk e kanë gjuhë amtare”, – shpjegon z. Claude Meisch, ministër i arsimit kombëtar, përgjegjës i dosjes së gjuhëve. “Me shpejtimin e emigrimit dhe të një tregu pune shumë të hapur, tepër ndërkombëtar, pozita e qeverisë, madje dhe ndjenjat e popullsisë, kanë ndryshuar. Tani jemi të bindur se duhet promuvuar gjuha luksemburgeze në një mënyrë shumë më aktive.” (8)
[1]Pa lidhje gjaku.
[2] « Europeans and their languages », Eurobarometër, Komisioni europian, Bruksel, qershor 2012.
[3]. Përveç një mocioni të kundërt, të dhënat vijnë nga Instituti kombëtar i statitikës dhe studimeve ekonomike (Statec), janar 2019.
[4] «Bashkimi i profesionistëve në Luksemburg, me banim në Francë, Gjermani, apo dhe Belgjikë», Inspektimi i përgjithshëm i sigurisë sociale, dukati i madh i Luksemburgut, 2019.
[5] Revista Regards, n° 9, Statec, maj 2019.
[6] Në fund të marsit 2019, sipas Inspektimit të përgjtihshëm të sigurisë sociale, luksemburgasit zënë 87% të vendeve në administratë, dhe vetëm 19% në tregti dhe 9, 4% në ndërtim.
[7] Figura kryesore është Z. Jean-Claude Junckler, kryeministër që nga janari 1995 deri në dhjetor 2013 dhe president i Komisionit europian nga nëntori 2014 deri në nëntor 2019.
[8] Lexo online intervista e plotë që na dha.