BALLKANI MIDIS FRYMËS SË NDRYSHIMEVE DHE (MOS)PERSPEKTIVËS EVROPIANE
Udhëkryqi i vendnumërimit ballkanik

Ndonëse fitorja e Joe Biden dhe ndryshimi i pushteteve në disa nga shtetet e rajonit shihen si mundësi e re për Ballkanin Perëndimor, integrimi evropian dhe paqja rajonale mbeten perspektiva të largëta.

Përderisa rënia e Donald Trump nga pushteti pritet ta ritkhejë bashkëpunimin transatlantik dhe koordinimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, perspektiva evropiane e Ballkanit perëndimor mbetet e zymtë, edhe për shkak të vetë Bashkimit Evropian. Paralelisht, një frymë e ndryshimeve politike po fryn në vendet e rajonit. Pas Maqedonisë së Veriut dhe Malit të zi, Kosova është në prag të ndryshimit të establishmentit njëzetëvjeçar qeveritar, ku pritet fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo pasi dështoi arritja e një marrëveshje të “madhe” politike, të paralajmëruar midis Kosovës dhe Serbisë.  Se çfarë nënkuptojnë këto zhvillime aktuale dhe çfarë pritet në të ardhmen e afërt, bashkëbiseduam me dy specialistë ndërkombëtarë të Ballkanit; Florian Bieber, profesor dhe drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit  Austri; si dhe Jean-Arnault Dérens nga Parisi, historian, gazetar dhe kryeredaktor i portalit frankofon për Ballkanin, “Le Courrier des Balkans”.

– Si e shihni perspektivën e sotme të procesit të anëtarësimit të Ballkanit Përëndimor në Bashkimin Evropian? 

Jean-Arnault Dérens : Objektivisht ‘nulë’. Bashkimi Evropian nuk po del nga krizat e saj të shumëfishta. Nuk mund ta marrë parasysh në asnjë mënyrë integrimin e anëtarëve të rinj të zhvilluar dobët, të korruptuar, klientelistë dhe me institucione të dështuara. As nesër, as për pesë vjet, as për dhjetë vjet. Nëse çështja e anëtarësimit duhet të shqyrtohet realisht, kjo do të jetë në një Bashkim Evropian plotësisht të ripërtërirë, të rithemeluar; por kjo perspektivë nuk është për momentin në horizont.

Jean-Arnault Dérens

Megjithëkëtë, të gjithë sillen « sikurse », thuajse kjo perspektivë është ende reale, e sikurse ajo mund të ndryshojë ndonjë gjë…Nga ana e liderëve të korruptuar të Ballkanit, kjo shpjegohet lehtë : Vuçiqët, Dodikët, Edi Ramat dhe autokratët e tjerë të rajonit e kanë kuptuar mirë se procesi i integrimit është një iluzion tashmë që një kohë të gjatë. Andaj, ky proces nuk përfaqëson asnjë rrezik për ta dhe pushtetet e tyre. Nuk iu kërkohet asgjë, përpos që ta mbajnë një diskurs pro-evropian…Gjë që nuk është për ta ndonjë kosto e lartë!  Autokratët e këndojnë këngën që Brukseli dëshiron ta dëgjojë dhe gjithkush mbetet i lumtur. Në qarqet evropiane, nuk janë më naiv se gjëkundi, por meqë Bashkimi Evropian nuk ka asgjë konkrete për t’i propozuar shteteve të Ballkanit, atëherë mjaftohen më këtë shfaqje të zymtë teatrale. Mendohet së paku të « shmanget më e keqja », përderisa autokratët ballkanikë vazhdojnë të vetëquhen « pro-evropian » dhe nuk gjuhen plotësisht në krahët e Kinës, Turqisë ose Rusisë. Më pëlqen analiza e Branko Millanoviqit i cili thotë se Mali i zi është ndoshta shteti i vetëm i rajonit që do të mund të anëtarësohej në Bashkimin Evropian në një të ardhme më të afërt. Mali i zi nuk është shtet i madh dhe është anëtar i NATO-së. Anëtarësimi i tij nuk do të kushtonte shtrenjtë dhe do të mundësonte t’ia kthente pak besueshmërinë perspektivës evropiane, për ta bërë së paku ende të besueshme…Por sigurisht se edhe kjo do të ishte vetëm një lojë. Fundja, edhe nëse Mali i zi do të anëtarësohej në BE më 2025 ose 2030, ç’do të ndryshonte kjo për vendin, për rajonin dhe për vetë Bashkimin Evropian? Jo shumë gjëra. Në realitet, çështje e rëndësishme është të kuptohet pse dhe si procesi i anëtarësimit ka humbur dimensionin e tij performativ, apo kapacitetin e tij për t’i ndryshuar institucionet dhe shoqëritë e vendeve ballkanike.     

Florian Bieber :Kam frikë se procesi aktual do të vazhdojë të ngecë dhe se nuk do të ketë shumë lëvizje. Vetoja e parë franceze në vitin 2019 dhe vetoja bullgare vitin e kaluar dërgojnë një pamje të kthjellët dhe sugjerojnë që bllokimet e së ardhmes mund ta vonojnë zgjerimin për vite me radhë, edhe nëse vendet në rajon po bëjnë punën e tyre. Sidoqoftë, edhe në rajon ka progres të kufizuar dhe duket se reformat e nevojshme janë prioritete të ulëta. Kështu që nuk shoh shumë shpresë pa një angazhim politik, përtej deklaratave që liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të japin. Për më tepër, procesi duhet të reformohet. Kjo përfshin eliminimin e të drejtës së vetos për anëtarët individualë në të gjitha hapat e procesit të zgjerimit. Sigurisht që ka disa pika, si ratifikimi i traktatit të pranimit, të cilin të gjithë anëtarët duhet ta pranojnë, por pse për fillimin e bisedimeve? Së dyti, ekziston një nevojë për sundimin e ligjit dhe kushtëzimin e demokracisë brenda BE-së. Nëse Bashkimi Evropian mund të merret dhe merret me shkeljet në Hungari dhe në vendet e tjera, shumë anëtarë do të shqetësohen më pak për pranimin e vendeve të reja anëtare. Mbi të gjitha, ka mënyra për t’i adresuar shkeljet. Tani, pozicioni i Francës dhe të tjerëve ka qenë shumë përpjekje për t’i zgjidhur të gjitha problemet e mundshme para anëtarësimit, gjë që është e pamundur. Asnjë vend nuk mund të jetë i sigurt nga shkeljet dhe nëse ndonjë vend duhet ta arrijë atë, ai nuk do të anëtarësohet kurrë. Në të njëjtën kohë, ekziston nevoja për një shtytje rajonale, idealisht nga baza kundër kapjes së shtetit dhe dominimit të partive autoritare.  

Ballkani si terren eksperimentimi

 – Çfarë flasin për ju politikat e Viktor Orbanit, Janez Janshës, apo edhe të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, në kuptim të marrëdhënieve BE-Ballkan Perëndimor?

Jean-Arnault Dérens : Natyra politike urren gjithnjë vakumin. Përderisa « qendra » e Bashkimit Evropian – kjo qendër e papërcaktueshme të cilën nuk arrijmë kurrë ta emërtojmë, duke mos qenë as Komisionin Evropian dhe as boshti Berlin/Paris – nuk kishte asgjë për t’i propozuar vendeve të Ballkanit kandidate për anëtarësim në BE; grupi i Vishegradit e mori përsipër plotësimin e këtij boshllëku, duke e propozuar vizionin e tij për Evropën, një Evropë etnike dhe të bardhë, të mbyllur në vetvete… Nuk them kurrë se Viktor Orban është « anti-evropian ». Kjo do të ishte e pasaktë. Ai është plotësisht pro-evropian, por ka një vizion për Evropën që nuk është i imi! Viktor Orban ka propozuar modelin e tij ksenofob, që i ka mundësuar të ndërtojë rrjete të rëndësishme të ndikimit në tërë Ballkanin. Janez Jansha është një aktor i rëndësishëm i këtyre rrjeteve, por Kryeministri hungarez ka marrëdhënie shumë të mira edhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq! Në muajin korrik të vitit të kaluar, François-Xavier Bellamy, drejtuesi i së djathtës franceze në Parlamentin Evropian, bashkonte në një panel Viktor Orbánin, Aleksandër Vuçiqin dhe Janez Janshën për një zoom-konferencë publike me temën : « Europe uncensored » (Evropa pa cenzurë). Ata ishin ftuar të debatonin mbi kërcënimin kryesor që rëndon sipas tyre Evropën në këtë periudhë pandemie dhe krize ekonomike : « marksizmi kulturor » ! Pra, Ballkani shërben edhe si terren eksperimentimi të një konvergjence të re midis rrymave ksenofobe, nacionaliste dhe ultrakonservatore. Kryeministri bullgar Boiko Borisov është po ashtu një eksperimentues i rrezikshëm : shumë vite para Viktor Orban, ai ngriti një « muri » me tela kundër refugjatëve në kufijtë e shtetit të tij (përfshirë edhe në kufirin me Turqinë). Borisovi ishte po ashtu drejtuesi i parë i një partie anëtare e Partisë Popullore Evropiane që hynte në koalicion me të djathtën ekstreme.  Kjo në vitin 2017 dhe të djathtët ekstrem bullgarë nuk janë aq të butë! Por, Boiko Borisov është më i kujdesshëm se Viktor Orban. Ai di të qëndrojë diskret dhe t’i shmanget provokimeve. Për më tepër, për arsye historike dhe gjeopolitike, ai tregon një besnikëri atlantike absolute përballë Rusisë, gjë që i jep atij një çek të bardhë për gjithçka tjetër, duke filluar nga korrupsioni sistematik të regjimit të tij e deri të provokimet ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Sigurisht se shohim rikthimin e të ‘vjetërve’ nga administrata Clinton, të cilët e kanë ruajtur një lloj ‘ndjenje’ për Ballkanin, veçanërisht për Kosovën, por nuk jemi në kohëra të njëjta dhe prioritetet e Shteteve të Bashkuara nuk janë po ashtu të njëjta. Çështjet serioze vazhdojnë të diskutohen në Berlin” – Jean-Arnault Dérens 

Florian Bieber :Të tre burrat e fortë ndjekin politika të ndryshme, por asnjëri nuk është dashamirës. Orban mbështet zgjerimin, por është skeptik kryesisht për të njëjtën arsye si Franca dhe Hollanda. Ai dëshiron më shumë Orbanë, dmth. udhëheqës të tipit Vuçiq dhe Gruevski, të cilët do ta mbështesnin atë dhe do ta forconin po ashtu një pamje më nacionaliste të Evropës. Jansha është bërë një aleat i kësaj pikëpamje. Borisovi është një lloj i ngjashëm sundimtari me dy të tjerët, por më pak ideologjik dhe më i kujdesshëm për të mos e sfiduar BE-në si të tillë. Ai shtiret kinse luan në bazë të librit evropian liberal, por vetoja e qeverisë së tij ndaj Maqedonisë së Veriut tregon gatishmërinë e tij për ta përdorur BE-në që ta shtyejë përpara një agjendë nacionaliste dhe për t’i fituar luftërat e brendshme të pushtetit. Në të tre rastet, qeveritë e tyre nuk po sillen si miq të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, por përkundrazi mbështesin liderë autoritarë dhe nacionalistë. Në këtë mënyrë, ata po e ndihmojnë ruajtjen e status-quosë.  

– Përgjatë administratës Trump është vërejtur një shpërputhje në qëndrime midis Brukselit/Berlinit dhe Washingtonit rreth Ballkanit Perëndimor. Çfarë prisni në këtë kuptim nga administrata Biden?

Jean-Arnault Dérens : Në parim, pritet që Biden t’i kthehet një politike ndërkombëtare më « klasike », sidomos kur kemi të bëjmë me marrëdhëniet transatlantike. Por do të ishte krejtësisht iluzore të mendohet se administrata Biden do t’i kthehet politikave të Barack Obama ose Bill Clinton! Bota ka ndryshuar radikalisht dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë më të “vogëla” se para dhjetëra vjetësh, apo së paku janë më të kthyer drejt vetes. Pasojat e pandemisë mbeten ende vështirë të llogaritshme, por sigurisht se Shtetet e Bashkuara të Joe Biden do të përqendrohen në problemet e tyre ekonomike dhe sociale, e se do të jenë më pak të angazhuar në sfidat ndërkombëtare. Sigurisht se shohim rikthimin e të “vjetërve” nga administrata Clinton, të cilët e kanë ruajtur një lloj « ndjenje » për Ballkanin, veçanërisht për Kosovën, por nuk jemi në kohëra të njëjta dhe prioritetet e Shteteve të Bashkuara nuk janë po ashtu të njëjta. Çështjet serioze vazhdojnë të diskutohen në Berlin.

“Administrata Biden me siguri do ta braktisë qasjen transaksionare të administratës Trump dhe ka shumë njerëz në administratë që e njohin mirë rajonin, kështu që Ballkani mund të jetë një vend ku testohet bashkëpunimi i ripërtërirë transatlantik” – Florian Bieber

Florian Bieber :Sigurisht se do të ketë shumë më tepër bashkëpunim transatlantik dhe koordinim më të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Pikëpyetja e vërtetë është nëse do të kemi “vetëm” një kthim në vitet e Obamës, që do të thotë se BE-ja udhëheq dhe SHBA-ja mbështet përpjekjet e BE-së dhe përdor fuqinë e saj rajonale për t’i zgjidhur krizat, apo nëse do ta kemi një angazhim të ri më serioz. Administrata Biden me siguri do ta braktisë qasjen transaksionare të administratës Trump dhe ka shumë njerëz në administratë që e njohin mirë rajonin, kështu që Ballkani mund të jetë një vend ku testohet bashkëpunimi i ripërtërirë transatlantik. Pikëpyetja është nëse BE-ja është gjithashtu e gatshme, edhe duke mos injoruar SHBA-në, por duke punuar së bashku. Unë pres tone më kritike nga Washingtoni drejt Beogradit, në veçanti për thyerjet demokratike në Serbi, që duket se do të jenë në agjendë. Presioni për një dialog thelbësor do të rritet gjithashtu nëse Kosova zgjedh një qeveri të qëndrueshme. Në anën tjetër, leva perëndimore është më e ulët se para 4-5 vjetëve për shkak të një Kine më aktive, një Turqi më antagoniste dhe aktorëve të tjerë.

– Është thënë shpesh se kryeqendrat perëndimore kanë parapëlqyer “stabilokracinë” kundrejt “demokracisë” në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, edhe pas rënies nga pushteti të Millo Gjukanoviqit, e sidomos të Nikolla Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, nuk është se po ndjehen ndryshime përmbajtësore demokratike, si brenda republikave të tyre, ashtu edhe në marrëdhëniet e tyre me fqinjët?   

Florian Bieber

Florian Bieber :Maqedonia e Veriut është bërë dukshëm më e hapur dhe demokratike. Shenjat në Mal të Zi tregojnë edhe drejtime pozitive, edhe negative. Duhet bërë dallimi midis sundimit të një udhëheqësi autoritar e partisë së tij dhe rrënjëve më të thella të kapjes së shtetit. Këto nuk ndryshojnë brenda natës dhe shpesh nevojiten vite, jo vetëm për t’i ndryshuar institucionet, por edhe mënyrën sesi sillen individët. Ekziston gjithashtu rreziku që partitë e reja në pushtet t’i përdorin strukturat e pushtetit dhe mjetet e qeverisë së mëparshme. Kështu që është një proces i vështirë. Kjo vështirësohet nga mjedisi ndërkombëtar i de-demokratizimit në vitet e fundit, nga SHBA-ja në Poloni dhe në Hungari. Në këtë kuptim, tendencat më të mëdha globale pasqyrohen në rajon. Nëse ka një ringjallje të demokracisë liberale, ajo do ta rrisë edhe presionin në rajon.

– Një nga arsyet e “përkëdheljes” ndërkombëtare të pushtetit së Aleksandër Vuçiqit në Serbi është edhe përceptimi se ai mund të jetë lideri serb që do ta njeh pavarësinë e Kosovës. Përderisa kjo nuk po ndodhë, Serbia është sot pothuajse pa opozitë parlamentare dhe me demokraci të kontestuar. Si e komentoni?    

Jean-Arnault Dérens : Sigurisht se Kosova është aseti kryesor, madje edhe siguria e jetesës politike të Aleksandër Vuçiqit. Duhet të shprehet dhe të bindë sikurse vetëm ai është në gjendje ta pranonte një “kompromis” për Kosovën që do ta refuzonin kundërshtarët e tij politikë, por këtë kompromis nuk duhet ta bëjë kurrë… Çfarë karta do të kishte ende në dorë Vuçiqi ditën që do ta nënshkruante marrëveshjen për Kosovën? Pra nuk do të ketë asnjë marrëveshje të kënaqshme, asnjë evolucion të vërtetë, përderisa Vuçiqi është në pushtet.

“Çfarë karta do të kishte ende në dorë Vuçiqi ditën që do ta nënshkruante marrëveshjen vendimtare për Kosovën? Prandaj edhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje të kënaqshme, asnjë evolucion të vërtetë, përderisa Vuçiqi është në pushtet” – Jean-Arnault Dérens 

Florian Bieber :Aleksandër Vuçiqi ka qenë shumë i aftë ta paraqes veten si feneri që mund t’i jep zgjidhje çështjes së Kosovës. Me këtë e ka fituar një mbështetje të madhe perëndimore. Mbështetja e tij për marrëveshjen e Brukselit dukej se i jepte atij të drejtë, por kanë kaluar gati 8 vjet dhe Vuçiqi nuk ka dhënë asnjë indikacion se është vërtet i gatshëm t’i zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën. Në fakt, ai e ka bërë edhe më të vështirë duke inkurajuar zëra nacionalistë dhe ksenofob në Serbi. Sot, çështja e Kosovës është më e rëndësishme dhe niveli i gjuhës së urrejtjes antishqiptare është më i madh. Derisa vazhdon të dërgojë sinjale se është i gatshëm të bëjë kompromis në Perëndim, ekziston ende iluzioni se Vuçiqi mund të jetë tregtari i mundshëm. Qeveritë e paqëndrueshme të Kosovës ia kanë bërë atij më të lehtë, meqë sinqeriteti i tij nuk është testuar. 

(Mos)marrëveshja e largët Kosovë-Serbi 

– Në raportin e tij të fundit, International Crisis Group (ICG) ka përmendur disa opsione të mundshme për zgjidhjen e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë : njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi në shkëmbim të ndihmës financiare dhe të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian; autonomi për serbët në Kosovë dhe për shqiptarët në Serbi; apo ndryshime të kufijve nëpërmjet shkëmbimit të territoreve? Sa janë reale këto zgjidhje, apo jemi më shumë në fazën e status quo-së të « durimit strategjik » deri në momentin e palës « që lodhet e fundit »? 

Jean-Arnault Dérens : Siç e thash më sipër, Aleksandër Vuçiqi nuk e ka asnjë interes të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje vendimtare për Kosovën, sidomos në këtë moment, ku do të mund pastaj të përballet me një kundërshtar politik të papritur, siç është Kisha Ortodokse Serbe….Pra, nuk do të ndodhë asgjë. Të jemi të qartë, ky raport i International Crisis Groupi publikuar vetëm disa ditë pasi Joe Biden mori detyrën e Presidentit, kishte për qëllim vetëm t’ia dërgojë një porosi partnerëve evropianë të Shteteve të Bashkuara…Shkurt, të përkëdhelet Mirosllav Lajçak, që mund tash të qëndrojë i qetë. Por, ky raport nuk do të ketë asnjë pasojë praktike, meqë Kosova dhe Ballkani nuk do të jenë prioritet i administratës Biden dhe meqë Gjermania po hyn në një vit zgjedhor.

Florian Bieber :Ka një problem me opsionet. Askush nuk mund t’i premtojë anëtarësim të shpejtë Serbisë në Bashkimin Evropian, që kërkon pëlqimin e 27 vendeve dhe që do t’i minonte standardet demokratike të BE-së. Serbia nuk mund të bashkohet me BE-në shpejt nën qeverinë e Vuçiqit. Një autonomi për serbët në Kosovë tashmë ekziston dhe një autonomi e stilit “Republika Srpska” nuk do t’i shërbente askujt. Pastaj, ndryshimet e kufijve janë të rrezikshëm së pari për serbët në Kosovë, ngase shumica prej tyre nuk jetojnë në zonat pranë Serbisë, por pastaj edhe për rajonin. Kështu që asnjë nga opsionet nuk duket realist dhe i dëshirueshëm. Status quo-ja është më e mirë, se zgjidhjet e tilla të nxituara. Mendoj se opsioni i parë është i pamundur pasi vendet kryesore anëtare të BE-së nuk do të jenë në favor të anëtarësimit të Serbisë me shpejtësi dhe nuk jam i sigurt se ky është një shpërblim i mjaftueshëm për Vuçiqin. Opsionet e tjera duken joreale nga perspektiva e një qeverie të udhëhequr nga Kurti. Të dy opsionet e tjera janë problematike.  

– Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi nuk përfunduan si dy liderë që do ta firmosin “paqen historike” midis Kosovës dhe Serbisë. Sa i besoni një marrëveshje të tillë në të ardhmen e afërt dhe a mendoni se kjo mund të arrihet me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiqin ose me opozitarët e tij të sotëm në Serbi?

Jean-Arnault Dérens : Mendoj se Albin Kurti është shumë i vetëdijshëm për veprimin strategjik të Aleksandër Vuçiqit, i cili luan gjithnjë lojën se kinse po e kërkon një marrëveshje “historike” për Kosovën, por që nuk duhet ta gjejë kurrë dhe aq më pak ta përfundojë. Kështu që shpresoj se Albin Kurti nuk do ta humb kohën e tij në dialogje të padobishme. Besoj se prioriteti i vërtetë i tij duhet të jetë krejt tjetër: është ta fitojë besimin e serbëve dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë. Nëse ka sukses në këtë ndërmarrje, ai do të mund t’i ndryshojë rrënjësisht kushtet e ekuacionit të Kosovës.

“Nuk mendoj se do të ketë një marrëveshje midis Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit. Ky i fundit do të jetë shumë i fuqishëm brenda vendit për ta pranuar një marrëveshje si ajo që Vuçiqi përpiqej ta nxjerrte nga Hashim Thaçi” – Florian Bieber

Florian Bieber :Nuk mendoj se do të ketë një marrëveshje midis Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit. Ky i fundit do të jetë shumë i fuqishëm brenda vendit për ta pranuar një marrëveshje si ajo që Vuçiqi përpiqej ta nxjerrte nga Hashim Thaçi. Në anën tjetër, Vuçiqi mund të jetojë me status quo-në. Rrethana e vetme në të cilën mund ta imagjinoja Vuçiqin duke bërë një marrëveshje është ajo ku ai do ta shpëtonte veten për ta siguruar një mbështetje të fortë perëndimore, nëse nuk do të kishte ku të drejtohej në rast të ndonjë presioni të fortë të brendshëm. Nëse në Serbi ekziston një opozitë nacionaliste dhe nëse partitë reformuese opozitare vazhdojnë presionin, atëherë ekziston mundësia që Vuçiqi ta shqyrtojë njohjen e Kosovës si një mënyrë për ta bërë veten të domosdoshëm për Perëndimin, nëse paralelisht e siguron mbështetjen për vazhdimin e qeverisjes së tij jodemokratike.

– Derisa në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës pritet fitorja e Vetëvendosjes së Albin Kurtit, po mbetet mjaft e panjohur se çfarë do të prodhojë e nesërmja qeverisëse e tij. Çfarë prisni nga qeverisja e tij duke pasur parasysh profilin e sotëm ideologjik të tij që noton midis së majtës dhe nacionalizmit, si dhe të partisë së tij që ka prirje të mishërojë pothuajse të gjitha ideologjitë e mundshme?

Florian Bieber :Unë pres që Albin Kurti do të qeverisë në mënyrë pragmatike, siç e ka sinjalizuar viteve të fundit. Me pozicione të forta majtiste ose nacionaliste, Kurti do ta humbte mbështetjen, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Nëse Kurti ka një shumicë solide, ai e ka dorën e lirë për ta luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar institucione të pavarura. Nëse do të ketë ndonjë sukses me këtë, Kurti do të jetë mjaftueshëm popullor dhe nuk do të ketë nevojë për të tjerë. Sigurisht se do të jetë e rëndësishme një strategji e mirë për tejkalimin e izolimit të Kosovës, veçanërisht nëse dialogu me Serbinë nuk çon askund. Për të fituar levë, Kosova duhet të jetë negociatore e besueshme dhe të tregojë mungesën e përkushtimit nga Serbia. Rreziku kryesor për Vetëvendosjen, si për çdo parti tjetër e cila mund ta fitojë një shumicë të madhe mbetet prirja autoritare. Shpresoj që partia e Albin Kurtit do ta ruajë pluralizmin e saj të brendshëm dhe që nuk do të bjerë në grackën e përdorimit të mekanizmit të kapjes së shtetit për agjendën e saj. Nuk po them se do e bëjë, por me institucione të dobëta dhe me histori të keqe të partive që e përdorin shtetin për agjendën e tyre, rreziqet janë reale.  

– Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit perceptohet edhe si organizatë anti-establishment. Sado të ndyshme, edhe për nga konteksti, shumë shembuj të tillë, si edhe ato në rajon, si Syriza në Greqi, nuk janë treguar të suksesshëm pasi e kanë marrë pushtetin. Çfarë pritni në këtë kuptim nga qeveria e Albin Kurtit duke e marrë parasysh kontekstin e Kosovës?

Jean-Arnault Dérens : Fitorja e mundshme e Vetëvendosjes ngjall shpresa të mëdha në Kosovë dhe në rajon. Duhet kuptuar se po çahet kudo sistemi stabilokratik i vendosur në vitet 2000 dhe 2010. Sigurisht se shembulli më i mirë është ai i Malit të Zi, me humbjen e DPS të Milo Gjukanoviqit, por shikoni edhe Bosnje dhe Hercegovinën, ku SDA pësoi në zgjedhjet komunale përgjatë nëntorit të kaluar, e veçanërisht në Sarajevë. Aleksandër Vuçiqi dhe Edi Rama ndjehen ende të plotfuqishëm, por mendoj se radha e tyre do të vijë shumë më shpejtë sesa që po mendohet… Për më tepër, ka të ngjarë që pandemia do ta përshpejtojë frymën e ndryshimeve. Për arsye të thjeshta sociologjike, ngase jo pak të rinj të diasporës kanë mbetur të ngujuar në vendlindjet e tyre dhe po votojnë më shumë se zakonisht. Kundër regjimeve në pushtet, natyrisht. Ç’mund të bëjë Albin Kurti në momentin e marrjes së detyrës në pushtet? Situata do të jetë shumë e vështirë, kryesisht për shkak të kolapsit ekonomik të shkaktuar nga pandemia. Por mendoj se duhet bërë dallimin midis dy çështjeve. Ajo e çlirimit të shoqërive dhe aparateve shtetërore, si dhe ajo e rindërtimit të një modeli të ri shoqëror. Merrni shembullin e Malit të Zi, ku koalicioni i ri i qeveritar është veçanërisht heterogjen: megjithë dallimet e mëdha ideologjike midis partnerëve, ky koalicion po merret me këtë punë çliruese. U shkarkuan për disa javë, shefi i policisë dhe shefi i shërbimeve sekrete, e Prokurorja e Përgjithshme dha dorëheqje…Mali i Zi ka qenë një shtet i privatizuar për 30 vjet, plotësisht në shërbim të Millo Gjukanoviqit dhe miqve të tij. Pra, ka shumë punë. Po kështu, unë pres nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja që të fillojnë ta çlirojnë Kosovën nga pushtimi i rrjeteve politiko-mafioze që e kanë dominuar pasfidueshëm Kosovën që nga përfundimi i luftës, që ta depolitizojnë shërbimin publik dhe t’i japin drejtësisë frymë autonomiste… Kjo punë parësore është thelbësore, por nuk është e lehtë për t’u realizuar. Pastaj do të duhet ndërtuar diçka të re, por në një kontekst rajonal dhe evropian që do të jetë gjithashtu në ripërkufizim e sipër.

Florian Bieber :Shembuj të tjerë tregojnë sesa është e vështirë të shkëputesh nga kapja e ngulitur e shtetit. Kjo do të jetë sfidë për Vetëvendosjen. Është e lehtë të dëshpërosh. Nga ana tjetër, niveli është i ulët në Kosovë, duke e marrë parasysh keqqeverisjen e koalicioneve të mëparshme. Do të jetë më e lehtë se për Syrizan, ngase Vetëvendosja është më pak ideologjike dhe po vjen në pushtet jo në një moment krize të krahasueshme me krizën e Eurozonës që përfshiu Syrizën në pushtet. Syriza pati pak përzgjedhje të mundshme dhe kjo e kufizonte aftësinë e saj për ta ndryshuar dinamikën në vend. Pastaj, Syriza nuk pati mbështetje të jashtme. Kjo bëri që ajo të luftonte me trojkën dhe të humbte shumë energji në këto beteja. Në fund, Syriza ndoqi rrugën që socialistët e PASOK-ut kishin ndërmarrë dekada më parë. Në Kosovë, ka më pak politikë ideologjike në lojë. Kjo do ta bëjë punën më të lehtë për VV-në, pa harruar se ajo ka më shumë mbështetje ndërkombëtare se Syriza. 

Bashkëpunimi rajonal si dalje nga periferia e dominuar

– Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë shihej më shumë rezultat i politikave gjeostrategjike të administratës Trump. Si pritni të sillet administrata Biden me marrëveshjen e 4 shtatorit, e veçanërisht në raport me Rusinë, Kinën, BE dhe Turqinë, në Ballkanin Perëndimor? 

Jean-Arnault Dérens : Cilat janë pikat konkrete të marrëveshjes? Dëbimi i ‘Huaiwei’ nga Ballkani? Jemi larg kësaj…Transferimi i ambasadës serbe në Jerusalem? Mendoj – dhe shpresoj – që nuk do të ndodhë kurrë…Ç’kishte tjetër në këtë marrëveshje? E dini ju? Unë jo…

Florian Bieber :Marrëveshja ishte kryesisht ajër i nxehtë. Disa pika të marrëveshjes, si zyra e investimeve e SHBA ka të ngjarë që do të mbetet, apo edhe disa angazhime financiare të SHBA në rajon, gjë që nuk do të shkaktojnë dëme. Duket po ashtu se do të mbijetojë marrëveshja me Izraelin. Por, pjesa tjetër është aq e përgjithshme, saqë mbetet e paqartë se ç’është më tepër kjo marrëveshje se një deklaratë zotimesh. Në rrethana më të mira, SHBA-ja do ta përdorë marrëveshjen për ta ndërtuar një angazhim ekonomik dhe që të mbetet aktive në dialog. Sidoqoftë, rruga e SHBA-ve duhet të bashkohet me përpjekjet e BE-së dhe të bëhet specifike. Vula e marrëveshjeve midis Serbisë dhe Kosovës ka qenë paqartësia, ku secila palë e interpretonte atë në mënyra të ndryshme. Kjo nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Kështu që nëse marrëveshja e 4 shtatorit nuk zhvillohet dhe pjesët e dobishme të saj nuk përkthehen në çështje konkrete, ajo do të jetë si shumë shkrime në letër të vdekura më parë.

– Projekti i krijimit të një Mini-Schengeni ballkanik duket se do të mbështetet edhe nga administrate Biden. Si e shihni këtë projekt në veçanti dhe nismat rajonale në përgjithësi?  

Jean-Arnault Dérens : Ideja e Mini-Shengenit nuk është e keqe në vetvete, edhe pse tingëllonte shumë si një lojë politike që përpiqeshin ta luanin Aleksandër Vuçiqi dhe Edi Rama. Për çfarë po flasim saktësisht? Një zëvendësim për integrimin evropian, siç e denoncon Presidenti maqedonas Pendarovski? Po, sigurisht. Por, kur integrimi evropian mbetet vetëm një lajthitje, një iluzion, natyrisht se duhet shpikur korniza të reja për bashkëpunimin rajonal. Nga ana tjetër, për çfarë do të shërbejë ky Mini-Shengen? Lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve? Por sa është sasia e shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë? Cili është realiteti i fluksit të njerëzve midis Serbisë dhe Shqipërisë? Jo shumë, natyrisht… Nevojiten mjete të reja bashkëpunimi rajonal shumë më ambicioze, të afta për të marrë një dimension politik që do të ndikonin të dëgjohet një zë i përbashkët i Ballkanit në nivelin evropian. Vetëm në këtë mënyrë i gjithë rajoni mund të fillojë të dalë nga pozicioni i tij aktual i periferisë së dominuar.

Florian Bieber :Mini-Shengeni ose ndonjë bashkëpunim tjetër rajonal, veçanërisht nëse shpie në relativizimin e kufijve dhe në rritjen e tregtisë është i dobishëm dhe i mirë. Nuk ka dyshim që ai kërkon mbështetjen nga SHBA-ja dhe BE-ja. Sidoqoftë, unë jam skeptik se do të bëhet realitet. Së pari, mjetet për këtë kanë ekzistuar për më shumë se një dekadë dhe kam përshtypjen që udhëheqësve të rajonit iu pëlqejnë deklaratat e mëdha, por jo edhe puna e madhe për t’i zbatuar ato në praktikë. Kështu që do të doja të shihja veprime. BE-ja dhe SHBA-ja mund të ndihmojnë, por i mbetet liderëve rajonalë që t’i respektojnë zotimet e tyre. Sidoqoftë, Mini-Shengeni do të ketë vetëm përfitime ekonomike modeste, pasiqë shumica e tregtisë nuk është rajonale, por me BE-në. Përveç kësaj, nëse një vend anëtarësohet në BE, ai duhet të largohet nga Mini-Shengeni, kështu që është i përkohshëm në rastin më të mirë. Së fundmi, duhet të jetë e qartë se kjo nuk mund ta zëvendësojë integrimin në BE, edhe si një projekt i integrimit eknomik, por edhe si një projekt politik, pasiqë i mungon qëllimi i përmirësimit të sundimit të ligjit dhe të demokracisë në rajon, të cilat mbeten dy pengesat më të mëdha. Me pak fjalë, nëse bëhet realitet, ai do të jetë i dobishëm në zbutjen e pasojave të vonesës së anëtarësimit në BE, por nuk është ndonjë alternativë.