Xholi i eurofilëve britanikë

Në Britaninë e Madhe, liberalët pro-evropianë gjenden në një situatë të pazakontë : asnjë prej dy partive të mëdha nuk mbështet tërësinë e preferencave. Konservatorët e z.Boris Xhonson duan ta lënë Evropën; laburistët e z. Jeremy Corbyn mbrojnë të drejtat e të punësuarëve. Prandaj edhe interesi në rritje i disa mediave për një parti pak të harruar : Liberal-demokratët

1126

“Të ndalojmë Brexit-in”: i tillë ishte sllogani i liberal-demokratëve britanikë gjatë fushtaës për zgjedhjet europiane të majit 2019. Me rastin e këtyre votimeve, partia e tretë më e madhe në vend, provoi të rregullonte imazhin e saj pas katastrofës së pjesëmarrjes në qeverinë e konservatorit David Cameron, në vitet 2010-2015.  

U bë kohë që liberal-demokratët mundohen t’i japin përsëri formë hapësirës politike të mbretërisë. Ambicia e tyre? Të shndërrohen në një ekuivalent britanik të Partisë demokrate amerikane, një grupim i qendrës i afërt me sferën e bizneseve. Nëse fushata kundër Brexit ofron mundësi për të kapërcyer ndarjen mes grupimeve të majtë dhe të djathtë për të tërhequr rreth vetes të gjithë të zhgënjyerit nga të tëra anët, strategjia e tyre parlamentare mbetet e turbullt .

Që nga referendumi i Brexit-it, në vitin 2016, grupimi “Lib Dems” doli kundër gjithë propozimeve për shmangien e bllokimit të Parlamentit në çastin kur as që “bëhej fjalë për organizim të një referendumi të dytë”. Por, në të njëjtën kohë, ata kanë vulosur “paktet e mos agresionit politik” me deputetët konservatorë, përfshi këtu dhe ata që janë në favor të Brexit-it, si z. Rory Stewart, dhe kanë pranuar në radhët e tyre përfaqësues të së djathtës më pak liberale, si z. Phillip Lee, i cili kundërshton martesat homoseksuale dhe sillet shumë armiqësor me emigrantët. E gjithë kjo tregon se ata do të ishin të gatshëm të formonin një aleancë me Tories, shumica e të cilëve mbron Brexit-in, por jo me laburistët, edhe pse janë për një referendum të dytë. “S’ka më keq sesa një dalje pa marrëveshje!”, përsëritin pa reshtur, duke fshirë kështu zgjidhjen më të thjeshtë që e ndalon atë:  një votë mosbesimi kundër z. Johnson, që do të çonte në emërimin e një qeverie të përkohshme drejtuar nga kryetari i opozitës, z. Jeremy Corbyn. 

Do kishim zor të kuptonim kthesa të tilla, nëse s’do kujtonim prioritetin tjetër të Lib Dems-ave, që ka udhëhequr krijimin e tyre dhe që bashkëjeton me idenë e qëndrimit në gjirin e Bashkimit Europian: për t’i prerë rrugën të majtës radikale.  

Partia liberal-demokrate i ka rrënjët në dy përzierje të dallueshme. Nga njëra anë, gjurmët e partisë së vjetër liberale, që dominoi politikën britanike në shek XIX-të, por u dobësua pas krijimit të partisë laburiste në 1900.  Nga ana tjetër, një fraksion i së djathtës së Partisë punëtore që u shkëput në fillim të viteve 1980 ngaqë kaloi majtas grupimi i tyre – figura liberale, atlantistë dhe të tjerë përkrahës të armëve nukleare, të cilët në vitin 1981 formuan partinë social-demokrate (SDP, sipas akronimit anglisht) 

Partia social-demokrate dhe Liberalët lidhën shumë shpejt një aleancë. Ata u bashkuan me shqetësimin për të punuar për integrimin europian, mbrojtjen e armëve nukleare, denigrimin e lëvizjeve të reja sociale, kritikën e luftës kundër racizmit – shkurt, në refuzim të asaj që të tjerët e quajnë “e majta delirante” (loony left). Por, para së gjithash, partneriteti u çimentua prej  opozitës së tyre  kundër sindikalizmit militant, një pozicionim ky që  përputhet  krejt me idetë e kohës përtej la Manche-it. Në fakt, Margaret Thatcher u zgjodh për faktin se premtoi shkatërrimin e organizatave punëtore, që, sipas saj, pengonin modernizimin e industrisë.

Ndërkohë që Zonja e Hekurt zhvillon luftën kundër grevistëve të Bashkimit kombëtar të minatorëve (NUM) në vitin 1984, “Aleanca” zgjodhi kampin e saj. Sipas drejtuesit liberal David Steel, sindikalisti Arthur Scargill, udhëheqësi i grevës, kërkoi vetëm “të shtrijë perandorinë marksiste”. Nga ana e tij, shefi i SDP-së mundohet të frikësojë mbretërinë duke i kujtuar se z. Scargill ka qenë “një anëtar aktiv i Partisë komuniste”, për të cilin “fundi justifikon mjetin”. Grupimi i ri social-demokrat votoi një mocion mbështetjeje për grevëthyesit dhe qortoi qeverinë, e cila konsiderohej shumë e ngathët në shtypjen e lëvizjes. 

Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1983 shënojnë kulmin e Aleancës që arrin të fitojë 25,4 % të votave. Atëherë kur partitë u shkrinë, më 1988, për të formuar Lib Dems, ato mund të mburreshin për bazën sociale pēr të cilën socialistët kanë nevojë që të marrë pushtetin. Ardhja e z. Tony Blair në krye të Laburistëve në vitin 1994, dhe ndryshimi neoliberal i këtij të fundit – në këtë pikë flitet për “Neë Labour” – lehtësuan  bashkimin. 

Z. Blair parashikoi një partneritet mes dy grupimeve dhe shkoi deri aty sa të sugjerojë, gjatë festimeve të 100-vjetorit të partisë socialiste, në shkurt të vitit 2000, se krijimi i Labour-it ishte një gabim, në kuptimin se ndau shumicën progresiste. 

Gjithsesi, afrimi i dy palëve dështoi, dhe anëtarët e Lib Dems-it reaguan duke e rreshtuar djathtas Partinë e punëtorëve dhe duke e vënë stekën nga e majta. Nën ndikimin e Charles Kennedy-it, ata nuk ngurruan t’i kundërviheshin z. Blair, sidomos pas 11 Shtatorit, për ndërhyrjen në Irak dhe kufizimin  e lirive individuale me pretekstin  e “luftës kundër terrorrit”. Ata arritën që, në favor të zgjedhjeve të përgjithëshme të vitit 2005, të largonin Labour-in nga disa prej bastioneve tradicionale, si Manchester, Leeds, Cardiff, Bristol apo Londër. 

Megjithatë, linja e moderuar e Kenedit nuk e kënaqi krahun e djathtë, që ishte acaruar në mënyrë të veçantë nga vetoja e tij për propozim privatizimi të postës britanike (Royal Mail). Në vitin 2007, me një intrigë të brendshme, ai u dëbua dhe u zëvendësua nga një djalosh i ri, me gjak blu që ishte i aftë të fliste pesë gjuhë: z. Nicholas Clegg. Formacioni kritikoi Partinë punëtore dhe e sulmoi në krahun e saj të djathtë. 

I pandjeshëm ndaj krizës së kredive, që dëshmon falimentimin e fondamentalizmit të tregut, z. Clegg boton në vitin 2009 një pamflet me titull Ora e liberalizmit, në të cilin rreket të kritikojë pushtetin e pakufishëm të një shteti “të shkëputur nga kërkesat e epokës sonë”. Duke konstatuar që mesazhi  – i farkëtuar  nga Neë Labour – nuk nxit entuziazëm, partia i përballon zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 me një program sa më pak politik të mundshëm, duke u kufizuar të denoncojë “premtimet e pambajtura” të qiraxhinjve të mëparshëm, të 10 Downing Street. “Premtime të pambajtura ka shumë këto vitet e fundit”, ankohet z. Clegg gjatë një spoti të fushatës. “Vendi ynë është mbushur plot me të tilla (…) Mendoj se është koha që kjo gjë të ndryshojë. Them se ka ardhur koha të punojmë me drejtësinë. Mendoj se ka ardhur koha të mbajmë premtimet.” 

Edhe Lib Dems-at japin premtime. Njëri prejt tyre bëri jehonë të veçantë pranë elektoratit të shumëpërfaqësuar nga të diplomuarit: anulimi i shpenzimeve të regjistrimit në universitet. “Ne shpresojmë që shpenzimet e regjistrimit në universitet të hiqen, shpjegoi z. Clegg. Nuk është normale që të rinjtë të zhyten në borxhe para se të bëjnë hapat e parë në botën e të rriturve, apo dhe botën e punës.”  

Për një farë kohe, era e suksesit fryu në velat e z. Clegg, dhe sondazhi  i votës ishte në  nivel stabël. Fytyra e tij prej fëmije, mënyra e të shprehurit sikur i ftonte bashkëbiseduesit t’i lexonin shpirtin, e bënë të duket “si një tip i ndershëm”, për të cilin vendi ka nevojë, në kohën kur një seri skandalesh të pasurimit personal sapo kishin diskredituar pak më shumë klasën politike. Disa sondazhe parashikojnë fitoren e tij, ndërsa shtypi nxjerr tituj si “Cleggmania”, që do pushtonte mbretërinë. Rezultatet e 6 majit 2010, vërtetuan se fllucka Clegg ishte kryesisht mediatike:  partia fitoi një përqind në raport me rezultatin e zakonshëm dhe humbi pesë vende në parlament. 

Duke qenë se konservatorët nuk arritën të marrin shumicën e vendeve, Lib Dems-at u ngjitën në pushtet në saje të një koalicioni që do të kishte qenë i paimagjinueshëm në kohën e Kenedit, dhe pë të cilin z. Clegg, në librin The Liberal Moment, ishte deklaruar i hapur, dhe e vetmja aleancë që ai e kishte përjashtuar ishte ajo me socialistët, që, për sytë e tij, ishin akoma tepër “kolektivistë”.

Gjatë fushatës, drejtuesi konservator David Cameron u kishte premtuar britanikëve një regjim të ashpër ekonomik. Bashkë me ministrin e tij të ekonomisë, George Osborne dhe një qeveri që deklaron një numër rekord milionerësh, ai i mbajti angazhimet.  Nëse Lib Dems-at theksojnë sukseset e qeverisë ku bëjnë pjesë – si legalizimi i martesave homoseksuale në vitin 2013 – imazhi i z. Clegg u venit njëherë e mirë nga kthesa e menjëhershme që bëri në lidhje me të drejtat për t’u regjistruar në universitet. Z. Clegg u irritua nga mosbesimi i elektoratit që dëshmoi, sipas tij, një “emotivitet instinktiv”.

Koalicioni është një shkatërrim për Partinë liberal-demokrate. E paaftë për të vënë në jetë masat emblematike të programit të saj, ajo ndau përgjegjësinë e një regjimi të ashpër ekonomik që zvogëloi mesatarisht me 10% të ardhurat e britanikëve. Ndërkohë që aleanca i lejoi konservatorët të qeverisnin pa pushim djathtas, t’i shpëtonin namit “si parti e keqe” (nasty parti), Lib Dems, kjo alencë i  bëri akoma më të vegjël. Duke fituar vetëm 8% të votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015, ata humbën vendin e tyre të tretë që e ruanin tradicionalisht, vend që e mori Partia për pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIO) që lufton për dalje nga Bashkimi Evropian. 

Problemet nuk arritën të rregulloheshin as më vonë. Grupimi u mundua të harrojë periudhën fatkeqe të koalicionit duke zgjedhur në krye të tij, në korrik të vitit 2015, z. Timothy Farron, një anglikan praktikan  i qendrës. Por qendra liberale u gjend shumë shpejt e sulmuar nga të gjitha anët. Në të djathtë, nga Tories, fraksioni reaksionar i të cilëve po behej gjithmonë e më shumë i fuqishëm. Në të majtë nga z. Corbyn, i zgjedhur në krye të laburistëve disa muaj pas z. Farron. Ky i fundit i cilësuar si “drejtuesi më i keq politik në histori”, i vendosur “që t’ia dorëzojë sektorin privat delirit të tij të barazisë”. Me pak fjalë, një njeri kaq i rrezikshëm saqë Lib Dems-at bëjnë me dije së janë gati për një koalicion të ri me konservatorët nëse kjo do të ndihmonte në humbjen e socialistëve.  

Në vitin 2016, referendumi për Brexit-in u dha mundësinë partive që të dalloheshin. Ndërkohë që Europa u kritikua – qoftë nga “Brexiter-ët” konservatorë për shkak të vështirësive në përkrahjen sociale apo dhe nga z. Corbyn për orientimin e saj pro-patronal-, Lib Dems-at mbrojtën qëndrimin pro Bashkimit Europian. Besimi tek virtytet e demokracisë nuk është i mjaftueshëm për të bindur z. Farron që të pranojë verdiktin e kutive të votimit: ai militon  për organizimin e një referendumi të dytë që do të korrigjonte rezultatin e të parit. A nuk do të ishte kjo metodë “aspak e respektueshme” ndaj zgjedhësve? – shtron pyetjen Sir Vincent Cable, një figurë e rëndësishme e partisë, edhe pse kryetari i dikurshëm i grupimit, Lord Jeremy Ashdown pyet nëse njerëzit që votuan Remain “qëndrimin”, do të donin vërtet të shpreheshin edhe njëherë tjetër.  Zotërinjtë Farron dhe Clegg i fshinë këto rezerva dhe e vendosën  premtimin për një referendum të dytë në krye të temave të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Këto të fundit rezultuan me një tjetër humbje: Lib Dems-at mbetën në vend me 8% në plan kombëtar. Z. Clegg humbi postin e deputetit që e mori një kandidat socialist dhe gjeti strehë në Facebook ku u bë dhe lobist.

Megjithatë, dy vjet më vonë, u duk sikur era ndryshoi drejtim. Në një kontekst paradoksal, ku shefat e ndërmarrjeve duket se kanë humbur rrjetet komunikuese të privilegjuara me pushtetin – deri aty, ata kishin besuar tek të paktën njëra nga dy partitë e mëdha për të mbrojtur interesat e tyre (më shpesh, tek të dyja partitë) – Lib Dems-at u shfaqën si mishërimi i eurofilisë pro-patronale. Tashmë e drejtuar nga zj. Joanne Swinson (shumë herë ministre në koalicionin konservator), Lib Dems-at, përfitojnë nga përçmimi që ndien shtypi dominues ndaj “Brexiters-ve” konservatorë dhe “radikalit” Corbyn. Ai përfitoi, gjithashtu, edhe nga grupimi i deputetëve të të dyja palëve: e konservatorëve pro-europianë dhe punëtorëve të djathtë. 

Por mediat nuk janë opinioni. Përkundër gjithë këtyre mbështetjeve, sondazhet u premtojnë Liberal-demokratëve vetëm vendin e tretë të gjithëhershëm. Roli i tyre mbase do kufizohet sa për të cimbisur një pjesë të votave të punëtoreve pro-europianë  duke garantuar kështu rizgjedhjen e z. Johnson dhe lehtësuar politikën e tij të “no deal” – daljen nga Bashkimi Europian pa marrëveshje. 

Dhe të besosh që Lib Dems-at zgjodhën midis dy prioriteteve: të qëndrojnë në gjirin e Europës dhe të pengojnë të majtën radikale.

*Autor i The Twittering Machine, The Indigo Press, Southampton, 2019.