Editorial
E Majta shqiptare, si arsye ngecjeje

Me çfarë duket reformimi i Partisë Socialiste, është shumë i largët, ashtu si Lidhja Socialiste për Integrim, ka humbur çdo lloj identiteti me kohën e gjatë në opozitë. Në të dy formacionet më shumë ka humbur e “Majta”, ku ideologjia ka lënë vend për pragmatizimin e pastër pa asnjë rrjedhë.

3094

Para se të flasësh për Të Majtën shqiptare të duhet të shikosh realisht se çfarë përfaqëson ajo në ditët e sotme dhe pse bjerrja e saj po e dëmton kaq shumë vendin. Është një fakt i pamohueshëm, se ngritja e lëvizjes politike demokratike në vitin 1990 në vend e ka fillesën nga PPSH. Partia-pushtet e së shkuarës, në dukje, bëri tërheqjen e butë nga pushteti, porse shpërndahu bijëzat e saj, me të cilat nisi konfigurimi i komanduar politik, i cili përcaktoi dhe zhvillimin e vendit në 30 vitet e ardhshme. Politologu i njohur i të Majtës, Prof. Servet Pëllumbi, shumë brenda të gjithë zhvillimeve, të flet me fakte të pamohueshme e deri në detaje se nga nisi e gjitha kjo aventurë.

Lulëzimi i këtyre partijëzave ishte i menjëhershëm që nga Selia e PPSH-së, kurse me pak vite zhvillim i bëri absurde në vend konceptet e “Të Majtës” dhe “Të Djathtës”, që edhe aq ishin të pakuptueshme nga vetë partitë. Kakofonia ideologjike që ato përcillnin lidhet edhe me faktin e përfaqësimit politik krejt absurd, që ato treguan. Dhe, koha tregoi se PD dhe PS, të dy formacionet kryesore, jo thjesht nuk i zbatuan/ojnë ideologjitë ose më saktë nuk u përmbahen për asnjë gjë, por edhe artikulimet e programeve i kanë krejt zhgënjyese.

Nuk është e re apo as e habitshme të kumtohet se: E Majta shqiptare është shumë larg Të Majtës Evropiane. E pagëzuar me një simbolikë të madhe prej Historisë Kombëtare, si “Rilindje”, kjo e reja e kryetarit Edi Rama, pothuaj i mungon demokracia e brendshme, kurse ndryshimet e kurseve dhe programet pa ideologji në vite flasin thjesht për nevojën e përjetësimit të pushtetit, sa më shumë të jetë e mundur. Specialistët, sot, rreshtojnë edhe disa elementë: Amnistia Fiskale, bash në vitin e fundit të qeverisjes; rritja e rrogave, pa një studim të përcaktuar mirë; politikat e paqarta të PPP-ve, të gjitha bashkë sadopak të dobishme, e bëjnë jo pak të hilejtë “Të Majtën”.

Kjo e fundit, me atë çka përfaqëson dhe që në fakt mëtohet të mbledhë rreth vetes të ashtuquajturit intelektualët e varfër dhe të mesëm, kërkon vazhdimisht progres, por edhe reforma sociale, që në masë tek ne ka treguar se kanë ndihur një pakicë njerëzish në vend të frymës së vetë Majtizimit për komunitetin. Dhe, këtë e shikon sot me varfërinë që është rritur frikshëm por edhe pamundësinë e strukturave për ta menaxhuar atë, përveç propagandës që zbardh gjithçka. Dikur gazetari i njohur Montanelli e thoshte me një lloj eufemizmi, këtë stad të ri të së Majtës: “Si ka mundësi që sa herë vinë të Majtët në pushtet, shtohen të varfrit?!” Pa mohuar vlerat e pamohueshme të së Majtës dhe atë që përfaqëson por edhe ringritjen që i ka bërë vendit, pas dërrmës së të Djathtëve, ajo më shumë po lufton t’i marrë kauzat kësaj të fundit. Dhe, jo më kot, për pronën, identifikimin me të përndjekurit, strukturën dhe institucionet lufton më shumë e ”E Majta” sesa “E Djathta”, e cila i ka pasur në program, e që tashmë diskursin e vet e shtrin mirëfilli në atë politik-populist.

Liberalizmi social

“Liberalizmi-Social, në literaturë, konceptohet si një ideologji politike me një shumëllojshmëri të parimeve të liberalizmit, e cila kërkon një ekonomi të tregut dhe zgjerimin e të drejtave politike dhe civile , ndërsa gjithashtu beson te roli legjitim i qeverisë ku përfshihen adresimi i çështjeve sociale dhe ekonomike të tilla si: varfëria, kujdesi shëndetësor dhe arsimor. Sipas liberalizmit social: e mira e komunitetit shihet në harmoni me lirinë e individit”, shkruan John Derbyshire tek “The origins of social liberalism”. Kjo lloj ideje politike u përshtat nga shumë parti në kontinentin tonë, të cilat konsideroheshin si parti në Qendër apo atyre të Qendrës së Majtë. Ndaj, jo më kot, Social-liberalët identifikohen edhe me socialdemokratët, që në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë dhe të shkëmbimit të ndërsjellë ndërmjet sipërmarrjeve, pra liberalët kërkojnë dhe përpiqen për futjen aktive të shtetit në menaxhimin e rregullave dhe një sistemi të kolauduar, që shpërndan të mirat në mënyrë të arsyeshme. Si e Majtë, ajo respekton jo thjesht rregullat e një tregu të lirë por dhe mbështetjen e komuniteteve më vulnerabël të cilat kanë nevojë për përkrahje. Pa dashur të sjellim shumë raste, individi i sotëm shqiptar ndjehet i lodhur prej të Majtës së tij. Zhgënjimi vjen ballë për ballë me ikjen masive të njerëzve, krizën e shqiptarit të zakonshëm, mungesën dhe ndryshimin e rregullave të lojës, favorizimet e frikshme në biznes, përkrahjen e monopoleve…

Liberalizimi-social është i këndshëm në formë dhe plot demagogji, ndaj jo më kot Edi Rama dhe shpura e tij menduan se e gjetën veten mirë, sidomos pas frymës që solli në Britaninë e Madhe, ky lloj variant i socializmit i ideuar nga Tony Blair. Ndërsa në Anglinë me një kapitalizëm institucional, ajo pati mundësi të kolaudohej, Shqipëria e vuajti shumë sensin e likuiditetit të ligjeve, siç do të thoshte në teorinë e tij të Shoqërisë Moderne, Zigmund Bauman. Me kohë u pa se kjo lloj fryme ishte shumë larg dhe gati e huaj për vendin. Për publikun, fryma do bëhej e gjallë nga një deklaratë e hidhur e ish-Ministres kosovare të Arsimit në dorëheqje, që do të ishte vërtetë shqetësuese: “Unë jam më e Majtë në ideologji se sa e Majta e Ramës. PS nuk është e Majta e vjetër apo ajo populiste, është një e Majtë centriste, por jo aq sa do të doja unë. Kjo nuk ka qenë problem apo ndarje mes meje dhe Ramës, pasi mes nesh nuk ka ndarje”.

Po çfarë e Majte ishte kjo? Një kërkues italian, Emiliano Brancaccio, e shkroi edhe më qartë, pak vite më parë: “Pas daljes nga moda të idesë Blair-iane, të obsolencës së socialdemokracisë dhe të domosdoshmërisë së një “rruge të tretë”, duket sikur kohët e fundit po përhapet një tjetër teori e përbashkët: E Majta është në krizë sepse pasi hyri në qeveri, filloi të zbatonte politikat e të Djathtës. Dhe me goxha zell, mund të shtojmë. E konsiderojmë ne të tillë mënyrën e tregut të punës, një pjesë e majme e reformave që kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë në Europë ka ardhur si pasojë e qeverive me frymëzim socialist”. Duke u kthyer gjithnjë në literaturë, një Liberal kërkon rregulla të ndershme biznesi, tregje të siguruara, ku mund të shpërndahet si duket kërkesë-oferta dhe të ardhurat e normalizuara konform stimulit. Liberali kërkon inkurajimin dhe mundësinë dhe në shumë gjëra Rama e përfshiu këtë si nocion duke treguar me hoka në publik se e Majta e tij nuk i pranonte dembelët. Batutat e tij e tregonin qartë bashkë me stigmën për përtacinë, por nga ana tjetër edhe mundësinë e vërtetë, atë që është shumë larg realitetit që shohim. Liberalizimi i tij kinse social shpejt e humbi formën, në botën e likuiditetit të Bauman.

Ideologjia

Po a e ndih ideologjia të Majtën sot?! Vetë koncepti ideologji që përdoret shumë në shkencat sociale-politike dhe shpjegimi i saj, has në shumë kundërshti dhe konfuzione. Dy ideologët më të mëdhenj të marksizmit shkencor, Marks dhe Engels ideologjinë e përcaktonin thjesht si: formë e ndërgjegjes së rreme. Kurse që kur u përdor, gati 200 vjet më parë nga Destutt de Tracy me emërtimin: ideologie, sot në politikë dhe në shkencën që e studion atë njihet thjesht si: një term për sistemet politike.

Në Shqipëri ka kohë që nuk flitet për ideologji, por ajo është pjesë e diskursit të dy politikanëve të parë të vendit, Meta dhe Rama, që kanë nisur një debat i cili nuk di të mbarojë dhe që përmbledh të gjithë mllefin e vetë Të Majtës dhe luftërat e saj pa sens për pushtet, në kurriz të parimeve të mirëqenies së vendit. Nuk mund të mëdyshohet se të gjithë partitë shqiptare provuan që kanë dalë nga i njëjti bark, ai i PPSH. Kulti i kryetarit të pavdekshëm, mungesa e transparencës, autoriteti i paarsyetuar janë provë e funksionimit të dikurshëm të Partisë së Enver Hoxhës.

Ilir Meta, kur themeloi LSI-në “e justifikoi” si akt për një udhë të re së të Majtës nga qorrsokaku ku e kish futur atë lideri historik i socialistëve, Fatos Nano, një burokrat i stilit të kapërcyell ’90-’00. Nuk është vendi për të folur për mënyrën sesi u ngrit Ilir Meta, pasi është e vërtetë një fakt, që falë konjukturave dhe pozicioneve të duhura, ai mundi ta shtyjë zotësisht formacionin e tij si patericë e dy partive kryesore, herë djathtas e herë majtas, duke i dhënë dërrmën ideologjisë për hir të pragmatizmit të pastër, hyrjen në pushtet. Ndryshe nga ai, Edi Rama, e gjeti gati strukturën, veçse e transformoi PS-në në një parti thjesht të tijën, ku humbi pothuaj zëri i individit dhe sot drejtohet me një dorë të hekurt, ku demokracia e brendshme mungon krejtësisht. Dhe, me çfarë duket reformimi i Partisë Socialiste, është shumë i largët, ashtu si Lidhja Socialiste për Integrim, ka humbur çdo lloj identiteti me kohën e gjatë në opozitë. Në të dy formacionet më shumë ka humbur e “Majta”, ku ideologjia ka lënë vend për pragmatizimin e pastër pa asnjë rrjedhë.

Intelektualët e majtë

E megjithatë më të humburit mbeten idealistët. Nuk është se mungojnë intelektualët por ata e gjejnë veten gjithnjë e më shumë të larguar prej kësaj Të Majte, e cila më shumë lufton të mbledhë rreth vetes anën spektakulare dhe individët prej të cilëve mund të gjenerohen vota. Ndërkohë pjesa më e madhe e intelektualëve mundohet të futet në hulli, duke kaluar dhe bërë pakt me barrierat e mëdha të karakterit, mbijetesës e kështu me radhë. Historia e Ramës, që dikur frymëzonte me vrullin dhe kthesën e madhe që i bëri kryeqytetit, është harruar prej spektakularitetit të vazhdueshëm e rendjes ndaj formës, që ai i jep veprimeve dhe akteve të veta. Por ngritja e tij dhe kulisat e frikshme të PS-së e kanë treguar hapur se më shumë për ndryshime, siç lufton e Majta, lufta e tij bëhet për mbylljen dhe mbajtjen nën tutelë të partisë. Edi Rama përkrahu mentorin e tij ish-kryeministrin Nano, kur ky i fundit mbante fillin e tij dhe pastaj me Ilir Metën u përpoqën të modifikonin staturën e tyre brenda të Majtës, për t’u kacafytur me njëri-tjetrin për dominim, kur së bashku ngjitën shkallët më të larta të pushtetit. PS-ja e sotme simbolizon ngado kultin e Ramës, që e ka zbrazur nga emrat e nderit dhe e ka fryrë me personazhe, të cilat pothuaj nuk thonë asgjë, ose kur thonë turbullojnë tregun e aktorëve të humorit me servilizmin e frikshëm. E Majta e sotme, që përfaqëson PS-ja është realisht e një partie pa memorie. Ajo ka shmangur shumë prej personazhet e njohura të saj, por që falë të Djathtës, përfaqësuar nga parti si ajo e Bashës, po bën historinë e saj të re, e cila nuk e pranon lehtë kritikën ose modifikimin e ideologjisë, siç po ndodh me vendin tonë.

Dhe, më tepër akoma, E Majta shqiptare është realisht e goditur nga dy figurat kryesore të vendit, ose më saktë dy nga figurat më jetëgjata në politikën shqiptare, respektivisht, Ilir Meta si president dhe Edi Rama, si kryeministër i vendit, që kanë sot çdo pushtet politik, ekonomik dhe protokollar të vendit.

Shqipëria, sot, për atë që tregon e Majta por edhe fryma e saj e mëtuar moderne i nevojitet fryma e Të Majtës së të vërtetë evropiane. Fatkeqësisht, Lëvizja Socialiste për Integrim ka humbur terren në mënyrën sesi i ka mbajtur radhët pragmatike të saj, si një parti kinse e Majtë por pa asnjë ideologji të përcaktuar dhe me liderë gjysmakë si Kryemadhi, që e tregon gati hapur (siç edhe është në të vërtetë) se e ka parti-pronë, kurse Partia Socialiste e ka të pamundur ndryshimin rrënjësor me masën e Yes-men të frikshëm që mbushin radhët e saj por edhe ngopjen me pushtet. Këto parti ndryshe nga çfarë shpallin, jo vetëm nuk funksionojnë më me rregullat e duhura të një partie politike, por e kanë treguar dhe në qeverisje se i janë larguar të “Majtës” klasike. Kinse programet ekonomike nuk funksionojnë asfare, kurse mënyra e devijimit të kryetarëve të saj ka tretur dhe i ka kthyer në hiç masën më të madhe të anëtarësisë, që vetëm duartroket në show e përvitshme para-zgjedhore në Pallatin e Kongreseve. Ata, pak intelektualë të Majtë që kanë mbetur, e kanë të vështirë të gjejnë një regjistër të drejtë mes kritikës, këshillës sepse lihen jashtë, ndaj heshtin dhe mezi munden të përshfaqen në mungesë të alternativave.

Në vend të epilogut

Filozofi polak Leszek Kolakowski, në një analizë të qartë për të treguar diferencat e ideologjive, shkruante se: ”Në të dyja sistemet e Majta përpiqet t’i bazojë mundësitë e saj në eksperiencën dhe prirjet evolucionare të historisë; ndërsa e Djathta është shprehja e kapitullimit përballë situatës së momentit. Prandaj e Majta mund të ketë ideologji politike, ndërsa e Djathta nuk ka asgjë përveç taktikave. Brenda kontekstit të të dyja sistemeve, e Majta e di se çdo liri njerëzore plotëson një dëshirë të caktuar, por se ekziston edhe nevoja për lirinë si të tillë.

E Majta nuk ka frikë nga historia. Ajo beson në fleksibilitetin e marrëdhënieve shoqërore dhe të natyrës njerëzore—në mundësinë e ndryshimit të tyre. Brenda të dyja kampeve, ajo refuzon të gjithë përuljen në lidhje me situatën, autoritetet, doktrinat, shumicën, paragjykimet dhe presionet materiale ekzistuese”.

Kjo është realisht sesi duhet të ishte E Majta, por Shqipëria e sotme duket se po i përshtatet modelit Italian, atë që studiuesi Emiliano Brancaccio e shkruante qartë: “Nën litarin e së djathtës liberale, e Majta hyri në krizë, kurse në bishtin e së Djathtës ksenofobike, e Majta rrezikon të zhduket nga korniza e politika ndërkombëtare. E Majta mund të lulëzojë vetëm nëse radikalizohet në kritikën shkencore të kapitalizmit, të ndërkombëtarizimit të punës dhe nën një ide që premton modernitet dhe progres social e civil”.

Pak, por shumë për t’i futur në hulli socialistët shqiptarë, që e kanë futur vendin në një udhë, e cila duket shumë e gjatë drejt integrimeve, me lavdet që i bëjnë kapitalizmit dhe Kultit.