
Njëmbëdhjetë të vdekur dhe gjashtë të plagosur: ky është bilanci i atentatit të ndodhur më 27 tetor 2018 nga Z. Robert Bowers, i cili hapi zjarr në një kishë të Pittsburgh-ut në Pensilvani. Para se të vepronte, atentatori postoi në rrjetet sociale shumë mesazhe raciste duke akuzuar çifutët se dekonspironin për të shkatërruar Amerikën e bardhë duke sjellë në Shtetet e Bashkuara muslimanë dhe emigrantë të tjerë të padëshirueshëm. Nga të dyja anët e Atlantikut, kjo përzierje ksenofobie dhe antisemitizmi qarkullon tek militantët e ekstremit të djathtë dhe supremacitë e bardha. Në gusht të vitit 2017, neonazistët e mbledhur në Charlottesville, në Virginia, për të mbrojtur simbolet e të konfederuarve theksonin «Ju nuk na zëvendësoni», një slogan i huazuar nga ekstremi i djathtë francez të cilit ata i shtuan «Çifutët nuk do të na zëvendësojnë kurrë». Në ishujt skandinavë, në Mbretërinë e Bashkuar, në Poloni dhe në Greqi, disa grupime të vogla identitare pohuan se media «çifute» dhe aleatët e tyre liberalë « kozmopolitë » provokuan mbërritjen e emigrantëve nga Jugu për të zëvendësuar europianët.
Në versionin aktual, antisemitizmi konspiracionist i paraqet çifutët si kampionë të emigracionit dhe si varrëmihësit e vlerave të qytetërimit perëndimor, që janë kombi dhe familja. Në të shkuarën, frika e «një komploti çifut» ka marrë forma të ndryshme. Në shekullin e XX-të, miti më i fuqishëm dhe më shkatërrues ishte ai i judeo-bolshevizmit, çka mund të duket paradoksale në një periudhë ku mendimi dominues dhe media përdoren për të emëruar të majtën radikale si antisemitiste.
Ithtarët e kësaj teze fantazmagorike e konsideruan komunizmin si një shpikje të çifutëve, të cilët do të kishin veshur rrobat e revolucionarëve për të përhapur sa më mirë pushtetin e tyre gjithandej nëpër botë. Përgjegjës për krimet komuniste, ata do të provokonin reaksione antisemite që sanksionuan në mënyrë të pashmangshme gabimet e tyre. Në zhurmën e luftës së vitit 1914-1918 dhe të revolucionit rus të vitit 1917, pasuar nga shkatërrimi i perandorive të Europës Lindore, miti judeo-bolshevik, mjaft i gjallë tek rusët «e bardhë» (kundërrevolucionarë), dhe grupet e armatosura besnike ndaj qeverisë kombëtare të Ukrainës, provokoi një valë persekutimi të dhunshëm që shkaktoi vdekjen e 180 000 çifutëve dhe zhyti rreth 500 000 të tjerë në një mjerim total. Në Hungari, pas shkrirjes së regjimit të egër bolshevik, kundërrevolucionarët ushtruan një «terror të bardhë» që shkaktoi tre mijë të vdekur, gjysma e të cilëve ishin çifutë. Të mbërthyer nga i njëjti panik, Europa Perëndimore dhe Amerika besojnë se kjo popullsi e ardhur nga Europa Lindore që i shpëtoi kaosit, solli me vete virusin revolucionar. Thirrjet për mbylljen e kufijve u shumëfishuan.
Në vitet 1930, Adolf Hitleri e përshkruan Bashkimin Sovjetik si një kolos judeo-bolshevik thellësisht armiqësor ndaj nacionalizmit etnik që nazistët pretendonin ta udhëhiqnin. Kur Gjermania i deklaroi luftë Bashkimit Sovjetik, në vitin 1941, propaganda naziste e justifikoi këtë pushtim të parashikuar duke përfaqësuar Europën e sulmuar nga turmat barbare aziatike të nxitura nga drejtuesit e çifutëve të pamëshirshëm. Nga fitorja e Gjermanisë varej mbijetesa e kontinentit. Kjo ide motivoi ekzekutimin e të gjitha komuniteteve çifute që gjendeshin në Bashkimin Sovjetik të pushtuar, dhe shënoi kështu fillimin e genocidit kundër çifutëve të Europës. Nga Franca në Ukrainë, bashkëpunëtorët e nazistëve kontribuojnë në favor të këtij genocidi, me qëllim që të përfitojnë nga favoret që mund t’u jepte Hitleri.
A i besojnë autorët e këtyre akteve mitit të judeo-bolshevizmit? Kjo nuk ka pse të vihet në dyshim. Për më tepër, a nuk ka lindur Léon Trocki si Lev Davidovich Bronstein? Figura të tjera të mëdha revolucionare i kanë paraardhësit e tyre çifutë, duke filluar nga Grigori Zinoviev – president i Internacionales komuniste nga viti 1919 deri më 1926 – deri tek teoricienia revolucionare Rosa Luxemburg, pa harruar këtu filozofin e madh Karl Marks. Për më tepër, gazetarët europianë të midis dy luftrave nxitojnë të pohojnë se çifutët morën poste me përgjegjësi në shumicën e partive komuniste. Sipas disa llogarive, tridhjetë nga dyzet e tetë komisarët e popullit sovjetik dhe hungarez në vitin 1919, kanë qenë çifutë(1).
Këto fakte të bëjnë të besosh se miti përmban një pjesë të së vërtetës. Megjithatë mjafton të ndryshojmë perspektivë në mënyrë që statistikat të marrin një tjetër drejtim. Sigurisht që, mes komunistëve, ka një numër të konsiderueshëm çifutësh, por shumë të tjerë nuk donin të dëgjonin fare për këtë lëvizje. Në vitet 1920, Partia Komuniste polake numëronte 20-40% çifutë në radhët e saj, por vetëm 7% e çifutëve polakë e votojnë këtë parti. Mjaft anëtarë të këtij komuniteti të persekutuar mbrojnë të tjera vizione për të ardhmen: ideologji të tilla si sionizmi, budizmi (2), apo dhe socializmi, kaq shumë premtime të një bote të re, nxisin një joshje shumë më të fortë. Për shumë prej tyre, kthimi në komunist do të thotë të presësh lidhjet me të parët e tyre, një kosto morale kjo që jo të gjithë janë gati ta paguajnë. Të tjerë, të rrëmbyer, ashtu si dhe patriotët e tyre, nga rritja e nacionalizmit, angazhohen me mish e me shpirt për vendet ku ata jetojnë. Të tjerë akoma, për shkak të përkushtimit ndaj fesë apo dhe nga tërheqja personale, qëndrojnë larg politikës. Modernizimi u ofron çifutëve ashtu si dhe atyre që nuk janë çifutë, një gamë të gjerë të rrugëve të mundshme. Përqëndrimi vetëm mbi ata që janë kthyer në komunistë, të çon në marrjen e një pjesë për të tërën.
« Ritet sekrete të urrejtjes »
Është më se e qartë se hamendësimet racionale nuk i kanë interesuar asnjëherë konspiracionistëve. «Rezultatet e kërkimeve kundërshtojnë faktet», do të indinjohej një funksionar rumun që nuk i besonte aspak raportit mbi bashkëpuninimin e çifutëve me Ushtrinë e Kuqe, raport i porositur pas tërheqjes së tij nga Besarabia (Moldavia e sotme): dokumenti do të vendoste se vetëm një grusht prej tyre ishte bashkuar me armiqtë bolshevikë… Nuk është e nevojshme të trajtojmë mitin e judeo-bolshevizmit si një propozim para se të jetë verifikuar apo përgënjeshtruar. Rëndësi ka të analizohet si një nga variantet e pretenduara si komploti çifut ndërkombëtar, që ndonjëherë kundërshtohen mes tyre. Sipas imagjinatës antisemite, një çifut komunist përshtatet shumë mirë me një bankier çifut (ku familja Rothschild është shëmbëlltyra më e lartë e modelit). Si njëri dhe tjetri nga këto steriotipe i afrojnë çifutët me rrëmujat dhe të keqen, një temë mjaft e pranishme në kulturën europiane që prej Mesjetës. Komploti mbi judeo-bolshevizmin nuk bën tjetër veçse i shton motive të reja historive të mëparshme.
Pas vitit 1917, paniku i mjediseve drejtuese përballë kërcënimit revolucionar krijoi një terren të përshtatshëm për shpërndarjen e Protokollëve të të urtëve të Sionit, këtij falsifikimi të botuar në vitin 1903 për të provuar konspirimin çifut, të cilit i referohen edhe sot e kësaj dite disa site antisemite. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërtuesi i makinave Henry Ford e rishtypi këtë tekst në një gazetë, Dearborn Independent. Të përkthyera në Europë, këto teza fituan një besueshmëri gjithmonë e në rritje sepse vinin nga burime anglo-amerikane. Në Hungari, intelektualja konservatore Cecile Tormay e përshkruan liderin e gardës paraushtarake bolshevike, Tibor Szamuely, si një xhelat «të rritur me ritet sekrete të urrejtjes së një sekti ultraortodoks të çifutëve orientalë që janë më striktë në respektimin e ceremonive të tyre sesa në çdo gjë tjetër (3)». Në Francë dhe në Itali, shtypi katolik ultrakonservator, i fiksuar në temën e judeo-bolshevizmit që i radhit çifutët me kulturën republikane laike, e konsideruar si një substancë e shpërbërjes së kombit, i shton listës së këtyre armiqve imagjinarë figurën e çifutit revolucionar. Në fillimet e saj Partia nacional-socialiste e Hitlerit i përdori Protokollët si një provë të urgjencës së çështjes çifute. Kështu, antikomunistët e të gjitha anëve po përhapin në shenjë paralajmërimi, tregime të frikshme mbi terrorin që do të kishin ushtruar çifutët në ish-Bashkimin sovjetik. Në thellësinë e kësaj distopie judeo-bolshevike, ata përmirësojnë, me mijëra tundime, teoritë e tyre mbi pastërtinë e racës, rendin social dhe qytetërimin europian.
Me shumë përfitime politike, kjo paranojë u shndërrua dhe në një çështje të botuesve. Gazetarë dhe shkrimtarë ikin jashtë në kërkim të historive që lidhen më komisarët e popullit hebre. Nga Parisi, duke u kthyer për në Europë, në vitin 1918, ish-korrespondenti i Times,në Rusi, Robert Wilton, botoi një vepër mbi shkaqet e Revolucionit, Russia’s Agony,që qarkulloi në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara dhe që do të përkthehej në frëngjisht dy vjet më vonë. Bolshevizmi duke mos patur asnjë rrënjë në kulturën ruse, revolucioni, pohon ai, ngjason me një makinacion të çifutëve, popull bredharak që solli nga Europa tezat e keqpërpunuara të Marksit («një çifut gjerman»). Midis veprave të shumta që i dhanë publikut britanik, numërojmë edhe atë që trajtoi ditët e fundit të Romanovit, ekzekutimi i të cilit u analizua si një vrasje rituale çifute.
Konspiracionistja Nesta Webster, i bëri shumë përshtypje të riut Winston Churchill, i mrekulluar nga sionizmi në Palestinë, por i trullosur nga roli që çifutët do të kishin pretenduar të luanin në Revolucionin francez para se «të kapnin popullin rus prej flokësh (dhe të bëheshin) mjeshtrat e pakundërshtueshëm të kësaj perandorie të madhe», gjë që «zonja Webster e tregoi me shumë kujdes», shkruan ai (4). Këta komentatorë vendosën disa lidhje midis kataklizmave të ardhura nga krahinat e largëta për të paraqitur më mirë kërcënimin që po afrohej. Nga ana e tyre, emigrantët duke i shpëtuar regjimit të ri, u tregojnë atyre që duan të dëgjojnë histori paranojake mbi persekutuesit e tyre çifutë bolshevikë. Kështu, qarkullimi i këtyre ideve në të gjithë Europën kontribuoi për ta bërë më të besueshme spektrin e judeo-bolshevizmit. Këto ide kanë frymëzuar masa politike shumë reale, veçanërisht për të «siguruar» kufijtë dhe për të zhdukur kërcënimin e terrorizmit çifut revolucionar.
Me tu formuar, miti pati pasoja të afatgjata tek e majta. Pas vitit 1945, regjimet e reja komuniste u përballën me dyshimet e popullatës lokale. Në Hungari, origjina e katër drejtuesve komunistë – Mátyás Rákosi, sekretar i përgjithshëm i partisë, Ernő Gerő dhe Mihály Farkas, dy krahët e tij të djathtë, dhe Jozsef Révai, ministri i tij i fuqishëm i kulturës – treguan prova të pushtimit të Shtetit nga çifutët. Në Rumani, ministrja e punëve të jashtme Ana Pauker, një nga personalitetet politike me më shumë influencë në vitet 1950, e larguar në vitin 1952 për shkak të «konspirimit sionist», u konsiderua për një kohë të gjatë si «Stalini me fund», e përçmuar në kujtesën e popullit (5).
Për të hequr dyshimet, drejtuesit e partisë mbyllën sytë në lidhje me manifestimet antisemitizëm në gjirin e tyre si në gjithë pjesën tjetër të popullsisë. Ata pranuan pa rezerva nxitjet për të mbrojtur «punëtorët e ndershëm» kundër ndërmjetësve «parazitë» dhe «jo produktivë». Ata pranojnë në listat e tyre elektorale antisemitë dhe bashkëpunëtorë nazistë të paaftë, që mundohen të bashkohen në rendin e ri. Pas aminstisë së dhënë legjionarëve të vjetër fashistë të Gardës së hekurt rumune, Pauker e pranoi se ata ishin «më të shumtë (nga cfarë mund ta kishte imagjinuar ajo), sidomos në radhët e punëtorëve». Por përpjekjet e këtyre partive për t’u çliruar nga akuzat që i kthejnë ata në organizata në shitje të forcave klandestine, dështuan. Dhe pasojat erdhën pikërisht nga radhët e tyre. Por, pas mbarimit të regjimit të Stalinit, që u shënua nga fushata kundër «kozmopolitizmit pa rrënjë» (1949-1953), akuza për sionizëm qëndron akoma në gjirin e partive komuniste të vendeve satelite, një armë e përdorur në mënyrë cinike kundër armiqve politikë. Në Poloni, në vitin 1968, partia diabolizoi studentët disidentë (disa prej të cilëve ishin çifutë), duke i trajtuar si agjentë sionistë. Pasoi një valë histerie që dëboi nga vendi atë çka ngeli nga ky komunitet pas genocidit. Afërsisht 20 000 persona mërguan në vende të tjera, aq sa në mënyrë të tillë që në vitin 1970 në Poloni ngelën vetëm 10 000 hebrenj.
Që nga rënia e Murit të Berlinit dhe shkrirjes së partive komuniste, çështja e çifutëve dhe e bolshevizmit zbuloi debate që ngelen në kujtesë. Megjithatë, qëndrojnë pikat e referimit ideologjik që shërbyen për të ndërtuar një mit të qëndrueshëm, edhe pse në një konfigurim të ri. Në vitet 1930, e djathta reaksionare ëndërronte të shndërronte Europën e krishterë në një bastion përballë kërcënimit judeo-bolshevik.
Klane të ekstremit të djathtë e imagjinojnë si një antidot i spektrit që po lind nga «Eurabia», fantazëm e një Europe perëndimore të islamizuar. Partizanët fanatikë të supremacisë së bardhë i kanë deklaruar vetë luftë muslimanëve duke u frymëzuar nga tekstet si «Shënimet e Turner», një roman amerikan botuar në vitin 1978 nga Andrew Macdonald (pseudonim i militantit të ekstremit të djathtë William Luther Pierce) që sajon një lidhje me konspiracionet midis çifutëve, njerzve me ngjyrë, dhe komunistëve për të shkatërruar racën e bardhë gjithandej nëpër botë. Bëhet fjalë për të sajuar diçka të re nga e vjetra. Nëse miti i judeo-bolshevizmit filloi të zhdukej, paranoja e hamendësuar për komplotin çifut vazhdon të jetojë.
________________________
*Profesor historie në Universitetin e Rutgersit.
[1]William O. McCagg, «Jews in revolutions: The Hungarian experience», Journal of Social History,vol. 6, n° 1, Fairfax-Oxford, vjeshtë 1972.
[2]Organizatë hebreje laike me frymëzim marksist qw regjistrohet nw betejën më të përgjithshme për socializmin dhe i del kundër krijimit të një territori hebre në Palestinë.
[3]Cecile Tormay, An Outlaw’s Diary,Philip Allan and co, Londrër, 1923.
[4]Winston S. Churchill, «Zionism versus Bolshevism: A struggle for the soul of the Jewish people », Illustrated Sunday Herald,Londrër, 8 shkurt 1920.
[5]Robert Levy, Ana Pauker: The Rise and Fall of a Jewish Communist, University of California Press, Berkeley, 2001.