KUSH E DREJTON REALISHT MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME FRANCEZE?
Macron dhe “deep state”

Respektimi i aleancave pa u lidhur me Shtetet e Bashkuara: Rruga diplomatike e Francës, e hartuar nga Gjenerali de Gaulle, vazhdoi deri në presidencën e Chirac-ut. Pastaj u braktis nga Sarkozy dhe Hollande me mbërritjen e diplomatëve neokonservatorë në Quai d´Orsay (siç quhet ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme në Francë). Z.Macron pranon se dëshiron të rilidhet me trashëgiminë Gauliane, veçanërisht kundrejt Rusisë, por pa e bërë të mundur.

2911

Më 2019, Presidenti Emmanuel Macron vendosi t’i befasojë diplomatët e tij. Duke i pritur ata në Élysée për “konferencën tradicionale të ambasadorëve“, ai denoncoi ekzistencën e një “deep state” (një grup njerëzish, kryesisht pjesëtarë me ndikim brenda agjencive qeveritare dhe ushtrisë, që besohet se përfshihen në manipulim të fshehtë ose kontroll të politikave qeveritare) në Quai d’Orsay: “Kështu që unë e di, siç do të thoshin disa teoricientë të huaj, kemi edhe ne, një deep state, shpjegoi papritur z.Macron. Dhe kështu nganjëherë Presidenti i Republikës thotë gjëra dhe pastaj tendenca kolektive mund të jetë të thuashai e tha këtë, por ne e dimë të vërtetën, se do të vazhdojmë siç kemi bërë gjithmonë’. Nuk mund të rekomandoj që mos ta ndiqni këtë rrugë”. Menjëherë, disa të qeshura të sikletshme shpërthyen nga audienca: këta zyrtarë të lartë, që sillen si aristokratët e Republikës, nuk janë mësuar të keqtrajtohen kështu. Në fakt, ky demonstrim autoriteti – disa e shohin si pranim të dobësisë – nuk i pëlqen të gjithëve: “Kjo deklaratë u prit shumë keq në Quai“, tha një nga diplomatët e pranishëm.

Pierre Sellal, avokat në zyrën ligjore August-Debouzy, e vendosur në “trekëndëshin e artë”(zonë në Champs Elysées)  parizian afër bankave të investimeve Rothschild dhe Lazard, e njeh mirë Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi ka qenë Sekretar i përgjithshëm i saj nga 2009 në 2014. Ai ishte gjithashtu, për një kohë të gjatë, përfaqësuesi i Francës në Bruksel. Sellal u shpreh se nuk e kuptonte formulën e përdorur nga z.Macron: “U befasova pak nga referimi për deep state. Quai d’Orsay është administrata më besnike që kemi patur. Politika e jashtme është fjala e shtetit, ajo e Presidentit të Republikës ”. Që nga viti 1958, kur kushtetuta aktuale hyri në fuqi, diplomacia, ashtu si edhe mbrojtja, ka hyrë nën “domenin e rezervuar” të Presidentit. Sidoqoftë, një specialist i Quai d’Orsay, Christian Lequesne, drejtor i Qendrës për Kërkime Ndërkombëtare në Shkenca Politike, kujton se “diplomatët përdorin metoda rezistence indirekte të cilat synojnë t’i ndalojnë gjërat duke i zvarritur ato”.

Një javë para këtij azhurnimi presidencial, z.Macron mirëpriti Presidentin rus Vladimir Putin në Fort de Brégançon, rezidenca verore e presidentëve francezë në rajonin Var. Një ftesë e re pas asaj të qershorit 2017 nën arin e Pallatit të Versajës dhe aq më e çuditshme ishte se ajo u bë pak para organizimit nga Franca të samitit të G7 në Biarritz – ndërkohë që Rusia ishte e përjashtuar nga G8 më 2014. Në këtë kontekst, z.Macron vendosi të nxisë diplomatët e tij t’i “rimendojnë (…) marrëdhëniet tona me Rusinë” dhe të forcojnë dialogun me të, sepse “shtyrja e Rusisë larg nga Evropa është një gabim strategjik i rëndë, pasi po e shtyjmë Rusinë ose në një izolim që rrit tensionet, ose të bëhet aleate me fuqitë e tjera si Kina, që nuk do të ishte aspak në interesin tonë “. Në librin e tij “Revolucioni”, botuar gjatë fushatës presidenciale, ai njoftoi synimin për të “punuar me rusët për t’i stabilizuar marrëdhëniet me Ukrainën dhe për të lejuar heqjen graduale të sanksioneve nga të dy palët”. Në Pallatin Elysee, një këshilltar dëshiron të kujtojë se “nuk ka kthim 180° kundrejt Rusisë”, duke shtuar se “në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për ‘shfuqizimin e saj’.

Çështja e sigurisë kolektive evropiane është shumë e ndjeshme. Kosova, Gjeorgjia, Ukraina, Siria, prej njëzet vjetësh konfrontimet janë rritur me Moskën, e cila nuk i ka përtypur premtimet e thyera për zgjerimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Evropën Lindore. Amerikanët shtynë avantazhin e tyre në maksimum, derisa dolën në mënyrë të njëanshme nga traktati i raketave më 2002. Pastaj, në shkurt 2019, Traktati mbi Forcat Bërthamore të Ndërmjetme (INF), i nënshkruar në 1987, i cili shënoi rezultatin e krizës së euro-raketave (duke i dhënë fund vendosjes së raketave sovjetike SS-20 dhe American Pershing).

Rifillimi i një dialogu dypalësh midis Francës dhe Rusisë, i ndërprerë që nga kriza e Ukrainës në 2014, zgjon kritika të forta nga disa partnerë evropianë të Francës, të cilët nuk e vlerësuan ballafaqimin me vendimin e kryer nga Parisi. As ekspertët dhe komentatorët atlantikë, armiqësorë ndaj Rusisë, nuk mungojnë në Francë. Nën-drejtori i Fondacionit për Kërkime Strategjike, Bruno Tertrais, tregon skepticizmin e tij: “Për një çështje që ka të bëjë me të gjithë Evropën, Franca ka zgjedhur të luajë e vetme… Përfundimi: jo, kjo nuk do të çojë në ndonjë gjë konkrete. Që nuk do të thotë se është gabim që provoi. Të paktën askush nuk do të jetë në gjendje të na qortojë se “nuk kemi biseduar mjaftueshëm me Rusinë” “. Sidomos sepse disa, brenda administratës diplomatike franceze, prisnin këtë rinisje dialogu: “Një pjesë e madhe e Quai d’Orsay, shprehet z.Sellal, ka nostalgji për një politikë të mirëfilltë përsa i përket Rusisë, politikë e cila u reduktua në sanksione. Nëse kishte elementë rezistence, ato ishin diku tjetër, midis OJQ-ve dhe mediave”.

“Politikë arabe” apo “familje perëndimore”

Z.Macron zbuloi dosjen ruse në janar 2016 kur e vizitoi Moskën si Ministër i Ekonomisë. Ai u shoqërua nga z.Jean-Pierre Chevènement i emëruar katër vjet më parë “përfaqësues special i Francës për Rusinë” në kuadër të “diplomacisë ekonomike“. Të dy burrat, të cilët e vlerësojnë njëri-tjetrin – z.Chevènement na kujton se z.Macron ishte më i ri, në fund të viteve 1990, i përfshirë në partinë e tij, Mouvement des Citoyens (MDC) -, filluan shpejt një dialog mbi këtë temë. “Në vitin 2017, Emmanuel Macron më kërkoi të kthehesha në shërbim“, shprehet ish-ministri, me misionin e ri të integrimit të plotë të Rusisë në Këshillin e Evropës – një organ ndërqeveritar që bashkon 47 vende, dmth e gjithë Evropa në tërësi përveç Bjellorusisë. Kjo do të bëhej në qershor 2019, ku Rusia rifitoi të drejtën e votave të humbura pas aneksimit të Krimesë në 2014. Z.Chevènement nuk përdori piskatore diplomatike për ta ekspozuar rezistencën brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme: “Kur Presidenti Macron më priti me gjithë stafin e tij, unë shpejt e ndjeva se ka njerëz në vijën e vjetër. Kundërshtova këtë deepstate në çdo nivel. Të gjitha propozimet e mia kundërshtuan shumë zyrtarë të Quai. Që nga Bernard Kouchner [Ministër i Punëve të Jashtme nga 2007 në 2010] dhe emërimet që dolën prej saj, linja në këtë dosje është ajo e neokonservatorëve amerikanë”.

Lindur në vitet 1970, “neokonservatorizmi” është një rrymë mendimi e shpërndarë nga intelektualët e majtë amerikanë, të cilët më pas denoncuan realpolitikën e Henry Kissinger. Antikomunistë, mbështetës të një mbrojtje agresive të “vlerave” perëndimore dhe të hegjemonisë amerikane, ata u bashkuan me republikanët dhe lulëzuan nën presidencën e George W. Bush, nga 2001 në 2009. Në vitin 2003, kundërshtimi i vendosur i Presidentit Jacques Chirac ndaj luftës amerikane në Irak – me kërcënimin e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – zgjoi në Francë mobilizimin intelektual, mediatik dhe diplomatik të rrjeteve neokonservatore, duke kërkuar prishjen me trashëgiminë Gaulliste dhe “politikën arabe të Francës”. Diplomatët e vendosur në Washington, Tel Aviv, ose në NATO, e deklaruan veten në favor të luftës, me pretekstin e solidaritetit transatlantik, të “familjes perëndimore“, të të drejtave të njeriut ose të drejtës për ndërhyrje.

“Gérard Araud ishte në atë kohë [në fillim të viteve 2000] Drejtori i Çështjeve Strategjike. Gjatë takimeve me Pierre Sellal, i cili ishte atëherë shefi i shtabit të Hubert Védrine, mbajti fjalime shumë të vendosura për Hamasin dhe Hezbollahun, kujton ish-diplomati Yves Aubin de la Messuzière, ambasador në Irak. Kishte gjithashtu gjithë këtë lëvizje rreth Thérèse Delpech, mbrojtëse e çështjeve strategjike në Komisionin e Energjisë Atomike. Për ta, ishte e nevojshme të shkonin në drejtim të amerikanëve. Gjatë një darke me Thérèse Delpech, ndërsa ajo më shpjegoi se Iraku ishte afër bombës, unë iu përgjigja se irakenët nuk ishin në gjendje ta rifillonin programin e tyre. Por para vitit 2003, nuk ishte e nevojshme të ishim në këtë drejtim”. I përshkruar si pro-amerikan në atë kohë, z.Araud, i cili ka dalë në pension, skicoi një meaculpa gjatë gjithë kësaj periudhe: “Unë nuk jam aq budalla sa të jem udhëheqësi i neobudallenjve”. Diplomati, i cili mendoi se ishte më mirë të mos dilte hapur kundër George W. Bush, thotë: “Kur e mendoj tani, isha gabim, ndryshe nga Chirac dhe Villepin.”

Deri në vdekjen e saj në 2012, politologia Thérèse Delpech, mike prej kohësh e historianit anti-komunist François Furet, mblodhi rreth saj një grup të tërë zyrtarësh të lartë të Quai d’Orsay, të specializuar në çështjet strategjike dhe në luftën kundër përhapjes bërthamore, thirrur me nofkën “sekti” nga kundërshtarët e tyre. Ishte gjithashtu epoka e Rrethit Orator, një klub mendimi i krijuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, qartësisht në favor të luftës në Irak. Që atëherë, këta diplomatë do të vazhdojnë ta shohin rritjen e ndikimit të tyre, veçanërisht që nga kthimi i Francës në komandën e integruar të NATO-s të vendosur nga Presidenti Nicolas Sarkozy në 2008 (por i përgatitur që në fund të mandatit pesëvjeçar të Zhak Shirak). Pasardhësi i tij, François Hollande, atëherë vendosi ta harmonizonte politikën e tij në Lindjen e Mesme me atë të monarkisë saudite. Në lidhje me çështjen bërthamore iraniane, ministri i tij i jashtëm, Laurent Fabius, pretendon një linjë më të ashpër se ajo e administratës Obama. “Sekti” ka besimin e qeverivesë së majtë e të djathtë.

“Për rreth pesëmbëdhjetë vjet, këta diplomatë” perëndimorë “, të cilët konsiderojnë se Franca duhet t’i mbrojë “vlerat perëndimore “dhe nuk mund ta ketë një politikë të jashtme tepër autonome, janë vendosur në drejtimin politik dhe strategjik të Quai d’Orsay”, shpreh keqardhje z.Hubert Védrine, Ministër i Punëve të Jashtme nga 1997 në 2002, në kohën e bashkëjetesës Chirac-Jospin, dhe i cili sot është në dialog me z.Macron. Në njëzet vjet, ekuilibri i fuqisë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme është përmbysur: “Fisnikëria e Quai d’Orsay ishin arabisantët (specialistë tê gjuhês dhe civilizimit arab), tani janë Enarkët (studentët ose ish-studentët e École nationale d’administration (ENA) që bëjnë karrierë”, thekson studiuesi Christian Lequesne.

“Sekti” humbet pak nga shkëlqimi i tij

Transformimi është përshpejtuar me përqendrimin e pushtetit në disa pozicione kryesore në administratën e ministrisë: “Drejtoritë gjeografike kanë më pak pushtet se më parë, ato tani varen nga drejtoria politike dhe nga ajo e sigurisë, e cila mbretëron mbi Quai, dhe kjo ndryshon gjithçka,” shpjegon z.De la Messuzière. Këtij i shtohet edhe një fenomen breznor: “Diplomatët midis moshës 45 dhe 55 janë të zhytur në perëndimizëm” shtoi Lequesne. Veçanërisht sepse, që nga vitet 2000, mësimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkencat Politike – i cili vazhdon t’u ofrohet shumicës së diplomatëve të ardhshëm francezë – përball studentët me përfaqësime të tjera të politikës së jashtme franceze nga ato të pavarësisë dhe rangut”. Për njëzet vjet në mjediset diplomatike, ne kemi qenë dëshmitarë të një lufte të shurdhër midis mbështetësve të “Gaullo-Mitterrandism”, për të cilin Franca duhet ta ruajë veçantinë e saj kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe “neokonservatorëve” të shqetësuar që Franca të bëhet studentja më e mirë e “kampit perëndimor”.

Pas largimit të Hollande dhe Fabius, “sekti” po humb disa arritje të tij. Ndërsa z.Araud kishte prodhuar shënime për ekipet e Macron gjatë zgjedhjeve presidenciale, si z.Justin Vaïsse, ish-shefi i Qendrës për Analizë, Parashikim dhe Strategji (CAPS) i emëruar nga z.Fabius, në fund të fundit është z. Philippe Étienne, ish-ambasador në Gjermani, një profil klasik, i cili emërohet këshilltar diplomatik i Élysée. “Ai bëri paqen midis klaneve të ndryshme të Quay gjatë fushatës”, dëshmon një ish-këshilltar. Pranë tij është caktuar një i afërm i z.Macron, z.Aurélien Lechevallier, një ekspert për Iranin. Por, në pranverë të vitit 2019, në një merkato të re transferimi diplomatik, ky i fundit bëhet ambasador (në Afrikën e Jugut), ashtu si z.Étienne (në Shtetet e Bashkuara), i cili zëvendësohet nga z.Emmanuel Bonne, ish-këshilltar i Presidentit Hollande. Pas pak, z.Philippe Errera, ish-shefi i shtabit të z.Kouchner dhe ish-ambasadori në NATO, u emërua drejtor politik dhe i sigurisë, dhe z.Nicolas Roche, ish-ambasador në Washington, u bë shefi i kabinetit nga Ministri Jean-Yves Le Drian. Z.Martin Briens mbetet shefi i shtabit të znj.Florence Parly, Ministre e Mbrojtjes. Sidoqoftë, Z. Errera, Roche dhe Briens zunë pozicione kyçe gjatë presidencës shumë atlantike të z.Sarkozy.

Pse kreu i shtetit pranoi emërime të tilla dhe më pas denoncoi ekzistencën e një “deep state”? Një diplomat thotë se: “Macron nuk i dha vetes mjetet për të marrë kontrollin. Ai e gjen veten të vetëm përballë administratës, por edhe brenda vetë Elysée”. Vetë z.Putin e vuri në dukje këtë konfuzion në Forumin Ndërkombëtar Valdai në vjeshtën e vitit 2019: “Unë nuk e di se ç’është një deep state. Në Rusi, ekziston një shtet që i bindet Presidentit ”, iu përgjigj presidenti rus gjeopolitologut francez Pascal Boniface, i cili i kërkoi të reagonte ndaj vërejtjeve të z.Macron.

Disa iniciativa nga Parisi drejt Rusisë u ngadalësuan nga Quai d’Orsay në fillim të mandatit pesëvjeçar. Kështu, z.Macron priti z.Errera në Élysée për ta siguruar besnikërinë e tij në dosjen ruse dhe ai emëroi një drejtor të ri për Evropën kontinentale (përgjegjës për Ballkanin, Rusinë dhe fqinjët e saj në Kaukaz i Jugut dhe Azisë Qendrore), Frédéric Mondoloni, ish-ambasador në Beograd, i cili më parë ishte  këshilltar ministri i Chiraquian Michèle Alliot-Marie. “Ai ka qasje të drejtpërdrejtë me qelizën diplomatike të Élysée”, pëshpëriti një diplomat. Dhe përpara azhurnimit presidencial në gusht 2019, kabineti i zonjës Parly e kishte ndaluar Shefin e Shtabit të Ushtrisë ta vizitonte Moskën, gjë që nuk ndodh më sot.

Më në fund flitet me të gjithë

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme dhe diplomati, z.Dominique de Villepin u përball me një rezistencë të tillë gjatë luftës në Irak: “Këto rrjete atlantike janë jashtëzakonisht të forta në mesin e ushtrisë franceze, si dhe janë të lidhura me aktivitete ekonomike. Ata janë anglo-saksonë në shpirt”, siguron ai. Jacques Chirac thotë se: “Nga MEDEF dhe disa shefa të CAC 40, unë marr mesazhe më këmbëngulëse, në të cilat më rekomandohet të tregoj më shumë fleksibilitet në lidhje me Shtetet e Bashkuara”.

Qysh në qershor 2017, kur u zgjodh President, në një intervistë për ‘Le Figaro’, z.Macron premtoi: “Me mua, do të jetë fundi i një forme neokonservatorizmi të importuar në Francë për dhjetë vjet. Demokracia nuk zhvillohet nga jashtë pa dijeninë e njerëzve. Franca nuk mori pjesë në luftën në Irak dhe ajo kishte të drejtë. Ishte gabim që bëri luftë në Libi në atë mënyrë. Cili ishte rezultati i këtyre ndërhyrjeve? Shtete të dështuara në të cilat lulëzojnë grupet terroriste. Nuk e dëshiroj këtë për Sirinë”. Në lidhje me këtë çështje të fundit, Presidenti i ri nuk dëshiron ta bëjë largimin e Bashar El-Assad një parakusht. Me të lexuar këtë intervistë, z.Tertrais, në Fondacionin për Kërkime Strategjike poston një tweet: “Siri. Ukrainë. Pozicionet e marra nga PR [Presidenti i Republikës] zgjojnë hutim dhe keqkuptim #eufemizëm ”.

Z.Macron synon të cekë diskursin mbi “vlerat” me atë të realpolitikës. Ai dëgjohet të flasë me të gjithë. Ja qëllimet. Meqenëse në hapat e tij të parë në skenën ndërkombëtare, ai shumëfishon shkëlqimin e tij, mirëpret Donald Trump më 14 korrik 2017, pastaj e replikon atë në anglisht në internet për të mbrojtur marrëveshjen e Parisit për klimën, evokon projektet e tij kryesore për ‘Evropa në Sorbonë ose përpara Partenonit në Athinë… “Emmanuel Macron nuk e konsideron faktin se Franca duhet ta mbajë një profil të ulët. Ai nuk e duron idenë e një France që duhej të shkrihej në magmën perëndimore. Ai ka ambicien për të luajtur një rol“, siguron Hubert Védrine, i cili shton: “Ai nuk është Gaullo-Mitterrandian, nuk është neokonservator. Sinteza makroniane merr hua nga të gjitha rrymat ”. Pragmatizëm Gaulian apo oportunizëm vulgar? Bertrand Badie, një shkencëtar politik i specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare shprehet se “Si një student i mirë i Shkencave Politike, Makroni përshtatet në një vazhdimësi të caktuar Gaullo-Mitterrandiane, ndërsa rimerr tema të caktuara neokonservatore. E gjithë kjo bazohet në një rinovim shumë të dobët të softuerit të diplomacisë sonë”.

Qysh në vitin 2016, në librin Revolucion, Presidenti theksoi se duhet ta sigurojmë një “ribalancim të marrëdhënies sonë” me Shtetet e Bashkuara. Por që nga ajo kohë, z.Macron ka luftuar për të bërë të vetën aksiomën gauliste: një Francë aleate, por jo të afërt. Në shkurt 2019, Franca njohu me nguti Juan Guaido, njeriun nga Washingtoni, si “presidentin në pushtet” të Venezuelës. Janarin e kaluar, kur një dron amerikan vrau gjeneralin iranian Qassem Soleimani, ai shprehu “solidaritetin e tij të plotë” me Shtetet e Bashkuara dhe i bëri thirrje Iranit të përmbahet “nga çdo masë të përshkallëzimit ushtarak” … Në Lindje, përveç marrëdhënieve të qëndrueshme me Emiratet e Bashkuara Arabe, Franca bie në sy nga mungesa e saj: “Emmanuel Macron nuk ka vizion të krizave në rajon”, nënvizon z.De la Messuzière. Duke mos folur lidhur me temën izraelito-palestineze, kaq thelbësore, ai i bie të jetë me të njejten linjë me politikën amerikane“. Në nëntor 2019, z.Macron u përball me një vendim të kryer nga ofensiva turke në Sirinë verilindore kundër kurdëve të mbështetur nga Franca, pa asnjë konsultë midis aleatëve, përveç miratimit të z.Trump. Presidentit francez, i cili denoncon “vdekjen cerebrale” të NATO-s në një intervistë tronditëse për ‘The Economist’, turku Rexhep Tajip Erdogan i përgjigjet ashpër në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Stambollit: “Unë jam duke folur me ju nga Turqia dhe unë do t’i them edhe NATO-s, ju duhet të kontrolloni si fillim vdekjen tuaj cerebrale”.

Këtë e gjejmë në çështjen ruse: “Kur luhet një lojë dhe nuk luhet plotësisht, partneri ka tendencë të dëshirojë t’ju anashkalojë, siguron z.De Villepin. Në fakt, ne nuk luajmë sa duhet me botën tjetër, ne vazhdojmë të preferojmë një partner qendror, Shtetet e Bashkuara. Mbaj mend që në Irak në vitin 2003, më janë dashur muaj për ta bindur Putinin se ishim seriozë, domethënë se ishim të gatshëm të vinim veton tone në Këshillin e Sigurimit. Problemi sot është se për disa çështje, Putini dyshon se Franca është e gatshme të paguajë çmim. A jemi marrë seriozisht? Hezitimi ynë, rehatia jonë Atlantike, na vë në një pozicion ku humbasim në të gjitha frontet”. Për çështjen ukrainase, vetëm një nga nëntë pikat e rëna dakord në samitin e fundit në të ashtuquajturin format “Normandia” (e cila bashkon Ukrainën, Rusinë, Gjermaninë dhe Francën), mbajtur në Paris në dhjetor 2019, është zbatuar deri më sot: shkëmbimi i të arrestuarve midis Kievit dhe Donbass. Sidoqoftë, koha po mbaron, sepse Moska mund të tundohej të shkelte Evropën, pasi diplomati Pierre Vimont, i emëruar përfaqësuesi special i Francës për Rusinë, i kujtoi Senatit: “Ne jemi dëshmitarë të zhvillimit të një dialogu të drejtpërdrejtë, mbi kokën tonë, midis rusëve dhe amerikanëve, për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e shteteve evropiane, gjë që më shqetëson pak. Evropianët duhet t’i mbrojnë interesat e tyre ”.

Qysh në vitin 2017, Emmanuel Macron dëshironte krijimin e një Evrope të vërtetë të mbrojtjes, përmes një “dialogu strategjik me Gjermaninë”. Vjeshtën e kaluar, ai riafirmoi këtë ambicie duke deklaruar se dëshironte që Evropa të fitonte “autonominë e saj strategjike”. Por ai nuk dëshiron të vë në dyshim përfshirjen e këtij projekti në NATO, nga frika e ngjalljes së kundërshtimit të menjëhershëm nga disa shtete anëtare të BE, veçanërisht ato në Evropën Qendrore.

A po fillojnë gjërat të lëvizin? Më 20 maj, gjatë një konference në Qendrën për Studime Strategjike dhe Parashikime (CEPS), Gjenerali Vincent Desportes, ish-drejtori i Shkollës së Luftës, nuk i ra rrotull për ta kritikuar NATO-n : “Organizata tani është bërë më e rrezikshme se e dobishme, sepse u jep evropianëve një ndjenjë false të sigurisë”. Ai shtoi: “Për ta thënë një mënyrë tjetër, brutalisht dhe në rrezik tronditje, NATO, madje edhe në një gjendje “vdekjeje cerebrale” është bërë një kërcënim për sigurinë tonë, atë të Francës dhe Evropës”. Fjalë tronditëse nga goja e një ushtari që nuk e ka fshehur kurrë simpatinë e tij për Shtetet e Bashkuara. ¨Pikërisht sepse  Washingtoni po largohet nga Kontinenti i Vjetër është e nevojshme të merret mësimi: “Eshte krejtësisht e paarsyeshme që Evropa ta lidhë fatin e saj strategjik me një fuqi interesat strategjikë të së cilës janë gjithnjë e më divergjente me ato të Evropës”, tha z.Desportes.

Një perspektivë që ish-Presidenti François Hollande refuzon ta pranojë: “Nëse largohemi nga NATO, nuk do të ketë Evropë të Mbrojtjes. Ne duhet t’i menaxhojmë partnerët tanë“. Përpara shkollës së luftës, shkurtin e kaluar, z.Macron kishte bërë thirrje për një “dialog strategjik me partnerët tanë evropianë që janë afër për rolin e parandalimit bërthamor francez në sigurinë tonë kolektive”.Evropianët duhet ta pranojnë këtë propozim”, deklaroi një i afërm i kancelarës gjermane. Por z.Hollande paraqiti një parim të realitetit që i dukej i pakapërcyeshëm për të: “As Franca dhe as Gjermania nuk janë të gatshme për bashkëvendim mbi parandalimin bërthamor”.

Cinizmi i Parisit në Libi

Për z.Macron dhe Francën, rreziqet sot vijnë nga përtej Mesdheu. Nga fillimi i mandatit të tij pesëvjeçar, Presidenti francez u përfshi në çështjen e Libisë, me dëshirën për të pasur sukses atje ku paraardhësit e tij kishin dështuar: Z.Sarkozy, kishte nisur Francën në një ndërhyrje të rrezikshme ushtarake kundër Muamar Gadafit dhe z.Hollande kishte arritur pasojat katastrofike të këtij operacioni duke lënë ministrin e tij të jashtëm, z. Fabius, të mbështeteste Presidentin Fayez el-Sarraj dhe qeverinë e Tripolit, të mbështetur nga Turqia dhe të njohur nga OKB-ja, ndërsa ministri i tij i Le Drian, i angazhuar me mareshallin Haftar, të mbështetur nga Egjipti, Emiratet dhe Arabia Saudite, deri në angazhimin e forcave speciale në lindjen e Libisë. Kjo mospërputhje – edhe ky cinizëm – rriten. Ata po kontribuojnë në izolimin e Francës në këtë çështje. Z.Macron kishte arritur, në korrik 2017, të sillte Haftar dhe Sarraj rreth së njëjtës tryezë, në kështjellën e Celle-Saint-Cloud, në Yvelines. Ky shkëlqim i organizuar nga disa njerëz në Élysée dhe Quai d’Orsay, nuk u pasua nga ndonjë rezultat diplomatik. Dhe kjo iniciativë, e kryer pa asnjë konsultë, dha shumë keqkuptime midis Francës dhe Italisë. Në pranverën e vitit 2020, z.Erdoğan ishte në gjendje të përfitonte nga situata duke i tejkaluar kontrollet detare franceze për të dërguar armë dhe mercenarë në Tripoli.

Parisi po has gjithashtu në vështirësi t’i sqarojë marrëdhëniet e tij me Kinën. “Macron është i paqartë, shprehet një diplomat: ai dëshiron të krijojë një partneritet të vërtetë, ndërkohë që nuk ka besim dhe është duke e miratuar një strategji “kordoni sanitare“(një zonë e ruajtur nga e cila nuk mund të dalin apo të futen njerëz) kundër Pekinit. Presidenti francez evokon zhvendosjen strategjike drejt rajonit “Indo-Paqësor”, pjesë e të cilit është Franca (përmes përtej detit), dhe shton iniciativat me Australinë, Indinë dhe Japoninë. Siç ndodh shpesh, vëren Bertrand Badie, Franca e shikon Kinën herë si një rrezik, herë si një treg. Macron, si paraardhësit e tij, zhvlerëson partnerët ndër-evropianë dhe ndër-perëndimorë dhe keqkupton fuqitë rajonale”. Sidoqoftë, një shpërndarje e diplomatëve francezë në vendet e G20 si Kina, Brazili, Afrika e Jugut ose India duhet të rrisë fuqinë e tyre të punës nga 13% në 25% deri në 2025. “Kur arrita në Quai në vitet 1970, z.Sellal kujton me një buzëqeshje, drejtimi në Azi dukej ekzotik dhe kryesisht i përqendruar në çështjet kulturore ”.

Loja diplomatike duke e margjinalizuar në favor të një vizioni manishist për botën, favorizon luftën dhe sanksionet tregtare si një instrument i politikës së jashtme. “Quai i është nënshtruar militarizimit të diplomacisë franceze që nga koha Sarkozy,” tha Villepin. Ajo ka humbur shumë nga sensorët e saj në të gjithë botën, veçanërisht në Afrikë. Nuk është më në avangardë, por në një menaxhim të kujdestarisë”. Për një kohë të gjatë diplomat në Afrikë, ish-diplomati Laurent Bigot thotë se i vjen keq: “Diplomatët nuk janë më të aftë të prodhojnë analiza dhe strategji. Në Sahel, të vetmit që prodhojnë janë Ministria e Mbrojtjes dhe DGSE (shërbimi sekret). Ushtria pushtoi hapësirën boshe”. Nga ana e tyre, “fajkonjtë” e Quai d’Orsay duken si jetimë: “Shumë të zënë ngushtë nga Trump, sepse ai nuk do t’ia dijë për vlerat e Shteteve të Bashkuara. Ai nuk e përmbush misionin” vëren z.Védrine. Fakt mbetet që një njeri i vetëm nuk do të jetë i mjaftueshëm, madje as nëse është President, për ta rivendosur zërin e Francës në koncertin e kombeve.

* Gazetar, autor i Manipulatori i Madh, Rrjetet Sekrete të Macron, Stock, Paris, 2019.