NË SHEKULLIN XIX, HIGJENË, PARFUMA DHE KËSHILLA KONTRADIKTORE
Miasma dhe vajzat

Tradita e banjës aromatike, e përhapur nga Lindja e Afërt në Japoni, daton nga Egjipti i Lashtë. Sidoqoftë, kjo praktikë përjetoi një eklips në Perëndim gjatë Mesjetës, për shkak të krishtërimit. Tabutë mbi higjienën femërore fillojnë të dobësohen vetëm në shekullin e XIX. Industria e parfumeve vendosi standarde të reja duke përfituar shumë nga kjo situatë.

2024

Deodorantë, tretje për pastrim të gojës, peceta sanitare aromatike, “detoks vaginal” … Arsenali në dispozicion të grave për ta larguar erën e trupit sugjeron që gratë kanë frikë nga stigmatizimi shoqëror lidhur me erërat e këqija dhe jetojnë në ankthin të mos duken të papastërta. Frika nga era e keqe, shumë fitimprurëse për industrinë farmaceutike dhe industrinë e parfumeve, përhapet edhe më lehtë nga fakti se është e vështirë të vlerësohen emetimet e trupit. Kjo frikë është pjesë e një historie të gjatë. Një nga momentet vendimtare të kësaj historie, në Francë, ndodh gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, kur epidemia e kolerës në vitin 1832 kishte përshpejtuar lëvizjen higjieniste, në një kohë kur industria e parfumeve morri hov dhe ku debati mbi edukimin e vajzave, atëherë kryesisht katolik, ishte i flaktë.

Broshura mjekësore, udhëzues për mirësjellje, doracak për savoir-vivre, gazeta për gra… : të panumërt janë shkrimet që ofrojnë këshilla për vajzat e reja dhe nënat e tyre, çdo herë e më shumë përgjegjëse të arsimimit të vajzave. Përgatitja intelektuale e kufizuar, imponimi i përkushtimit ndaj të tjerëve dhe praktika e arteve rekreative gëzojnë konsensus në shoqëri, por mendimet ndryshojnë përsa i përket higjienës.

Djallëzimi i kënaqësive sensuale

Fillimisht beteja ishte në mes mjekëve dhe klasës fetare. Pyetja e drejtuar Judith Gautier-së nga babai i saj Teophile kur ajo ishte në manastir “Së paku, a po të lajnë?”, dëshmon për dyshimin që rëndonte mbi institucionet fetare. Vazhdimi i historisë, i treguar nga gruaja e letrave në një shkrim autobiografik i botuar në vitin 1904, kërcënime nga babai, një banjë e marrë me një këmishë dhe hutimi i murgeshave, na bën të buzëqeshim. Për një kohë të gjatë refuzimi i banjës ka qenë rregulli në manastire. Theksohej nevoja që pastërtia të kufizohej vetëm në atë që shihej: “Asnjëherë mos vishni rroba, as të brendshme, të ndyra ose të shqyera; kujdesuni për flokët tuaj; lani fytyrën çdo ditë dhe duart disa herë në ditë nëse është e nevojshme. Sigurohuni që këpucat tuaja të jenë gjithmonë në gjendje të mirë“. Sa për parfumet, ato thjesht ishin të ndaluara, sepse u identifikoheshin me lirinë e moralit.

Në shkrimet e tyre, mjekët e sulmojnë mungesën e higjienës në edukimin fetar të vajzave të reja me më shumë apo më pak ashpërsi, varësisht nga niveli i anti-klerikalizmit të tyre. Sidoqoftë, pika e përbashkët në mes diskursit fetar dhe mjekësor është morali dhe mbi të gjitha, frikësimi nga masturbimi dhe kënaqësitë sensuale që i ofron banja. Argumentet bëhen më eksplicite me kalimin e viteve. Kështu, në vitin 1857, mjeku Jean-Baptiste Venot lavdëronte përkushtimin e murgeshave që kujdeseshin për prostitutat sifilitike, por dëshpërohej nga kokëfortësia e tyre, kur çdo “shpërlarje më të vogël, çdo pastrim më të pafajshme” e konsideronin si mëkat. Më vonë, doktori Augustin Galopin nuk hezitoi të pohonte se përkundrazi, ndalimi që vajzat e reja të laheshin “në ato zona” shkaktonte kruarje që i sillte ato në shpatin e rrezikshëm të onanizmit.

Përveç refuzimit të banjës, mjekët kritikonin edhe mbylljen, jetën në komunitet dhe jetën sedentare, të imponuar nëpër manastire dhe konvikte. Në anën e tyre, ata rekomandonin ushtrimet, daljen në ajër të pastër dhe ajrosjen e hapësirave të brendshme. Për të bindur më mirë për rreziqet e stërngarkimit të dhomave, Adrien Coriveaud, autor i Hygiène de la jeune fille (Higjiena e vajzës së re) (1882), imagjinoi këtë trillim: “në një dhomë ku jeni kujdesur t’i mbyllni të gjitha hapjet, madje edhe plasaritjet, le të qëndrojnë njëzet nga vajzat e reja më të bukura, më simpatike që mund t’i gjeni, nga ato që rrethohen nga hirësia dhe hijeshia hyjnore që i frymëzojnë poetët për strofat e tyre më harmonike. Lërini ato të flasin me njëra-tjetrën, të këndojnë, të kërcejnë, me një fjalë të jetojnë jetën e tyre të zakonshme vetëm për njëzet e katër orë, pastaj hyni në këtë harem të vogël. Aroma dehëse që këto njëzet femra të reja lenin që nga fillimi përreth tyre tani është zëvendësuar me një aromë të tmerrshme; nga këto njëzet gojë të lezetshme, nga këta njëzet gjinj që mund të jenë modele zhgënjyese të statujave virgjëreshë, rrjedha të djersës të ngarkuara me të gjitha mbeturinat organike të prodhuara nga jeta në aktivitet”.

Në ligjërimin mjekësor të kohës shpesh kishte verejtje të tilla me ngjyrime të pista. Aroma natyrale e vajzave para pubertetit [në fakt “në pubertet”, apo jo?] zgjon emocione të tilla që mjegullojnë dallimin midis regjistrit mjekësor dhe regjistrit letrar. Karakteri ungjillor i parfumit gjason me karakterin e çastit të rinisë, aroma e vajzës së re paraqitet si një gjendje kalimtare. Galopin i përshkruan kështu moshat olfaktive të grave: “Vajza e re, shqisat e së cilës nuk kanë folur ende, është mjaft aromatike; aromë e re dhe diell i pranverës, ujë të freskët mjedre. Kur dashurohet ajo ka një aromë më të theksuar; kur praktikon onanizëm, ose kur ka të dashur, bie në kategorinë e përgjithshme“. Përtej krijimtarisë së tij poetike, ky përshkrim i kufizon krahasimet me fushën e bimëve, siç bëjnë mjekët që dëshirojnë të evokojnë rritjen, domethënë lulëzimin ose ndezjen e vajzave të reja.

Kështu ata e ushqejnë mitin e gruas-lule, duke e mbështetur me fakte shkencore: sapo të humbet virgjëria, aromat e forta dhe shtazore zëvëndësojnë erërat e lehta dhe aromat e  luleve. Shumë nga këto vlerësime shfrytëzohen me nxitim nga industria e parfumeve, për suksesin më të madh të këtij biznesi. Në fakt, nga vitet 1860, mekanizimi i prodhimit dhe progreset në kimi i mundësuan kësaj industrie ta demokratizojë qasjen në produktet e saj dhe ta zgjerojë bumin tregtar që kishte filluar në vitet 1830 (qarkullimi u rrit për 63% midis viteve 1836 dhe 1856).

Recetat mjekësore shfrytëzohen nga industria e parfumeve për t’i rritur shitjet. Përveç certifikatave, patentave dhe vërtetimeve të nënshkruara nga shkencëtarë të njohur, reklamat përdorin rekomandimet e mjekëve, në rast nevoje edhe i përshtatin. Ky fenomen e bezdisë doktorin Jean-Baptiste Fonssagrives: “Për një kohë të gjatë, parfumeria po i vardiset higjienës; (…) e ka kuptuar nevojën për t’i fshehur qëllimet e saja nën një emër të nderuar. “Në fakt, katalogjet e parfumierëve ofrojnë një numër produktesh higjienike, përfshirë sapunët, të cilët mbulojnë pjesën më të madhe të tregut, por edhe uthulla dhe parfume për tu tretur në ujë të parfumosur. Sikurse shtypi për gra dhe udhëzuesit e ndershmërisë, traktatet e parfumerisë ndajnë neveri ndaj muskut, i cili është i lidhur me Ancien Régime dhe jetën e shfrenuar. Prandaj çdo parfumier ofron recetën e tij me erë verbene, vjollce apo edhe lule që vlerësohen të lehta, dhe për këtë arsye më pak të rrezikshme për nervat, siç është Muguet du bonheur i Caron (1852) [Gjetja 1954 – shtëpia u themelua në 1904], Eau de Cologne impériale nga Guerlain (1853), Jacinthe blanche nga Violet (1857) ose Violettes du Czar nga Oriza L. Legrand (1862).

Shtypi i grave, sikurse kodet e mirësjelljes, shpesh të nënshkruara nga gra me emra aristokratik, marrin parasysh imponimin që kanë lexueset për ta kënaqur jo vetëm Zotin, por edhe burrat e tyre. Kështu, baronesha Staffe, e bërë e famshme nga botimi i librit të saj Usages du monde: règles du savoir-vivre dans la société moderne  (rregullat e mirësjelljes në shoqërinë moderne) (1891), acarohet përsëri në vitin 1892 nga fakti që vajzat e reja, të sapodalura nga manastiri apo konviktet ende nuk i njohin rregullat e higjienës. Ajo rekomandon përdorimin e aromave të lehta dhe diskrete. Një kandidate për martesë mbi të gjitha duhet të ketë frikë se nuk do të pëlqehet. Në Conseils à ma fille (Këshilla për vajzën time) një libër i suksesshëm që kaloi shekullin pas botimit të tij të parë në vitin 1813, Jean-Nicolas Bouilly përmend gjerësisht shijen e njëfarë Armantine për parfume të forta, të cilat jo vetëm që bëjnë të tallen të tjerët me të, por që përveç kësaj , bëzdisin njerëzit me nerva të ndjeshme, derisa një kushëri i saj ia korrigjon vesin.

“Një pikë vaji esencial vjollcë”

Prandaj kjo literaturë e autorizon përdorimin e parfumeve, por me disa kushte. Duke filluar me ekonominë. Shishet sprej përdoren pak, pikat e parfumit nuk duhet të harxhohen: « Sa më pak parfum përdorni, aq më mirë është, sqarohet në një udhëzues të mirësjelljes shumë të lexuar. Sidoqoftë, një nuancë shumë e lehtë dhe shumë e duhur e erës mund të tolerohet, por, e përsëris, për sa kohë që mbetet një aludim. Pak qumësht irisi ose kolonijë është perfekte. Një pikë esence vjollce në shaminë tuaj është mirë; por jo më shumë, dhe mbi të gjitha, kufizohuni në parfume diskrete, të cilat nuk mund të jenë të pakëndshme ose të dëmshme”.

Rekomandimet e shtypit të grave u përshtaten gjithashtu bujarisë së mbështetësve. Siç e rrëfen në kujtimet e tij, Hippolyte de Villemessant kishte pasur idenë që gazeta e tij e re, La Sylphide, të parfumosohej nga Guerlain në këmbim të një mbështetje financiare. Kështu, tregohet se, qysh në numrat e parë, në vitin 1840, një rubrikë me titull “Këshilla të një gjysheje për mbesën e saj” rekomandonte vazhdimisht produkte të parfumerisë, me mjaft shije, në mënyrë që ato t’u lejoheshin vajzave të reja.

Thjeshtësia, delikatesa, diskrecioni janë cilësitë që rekomandohen për tualet. Pra përdorimi i parfumeve dyfishon këshillat për mënyrën e sjelljes në shoqëri. Nga ana e tij, diskursi fetar, jo që nuk i shpërfill aromat, por përkundrazi ai nuk ka arsye që t’i ketë zili katalogjet e parfumierëve: duke thurrur imagjinaren biblike me erë shenjtërie, letërsia konstruktive e kohës shton metafora olfaktive dhe vlerëson gjerësisht “aromat e mirësisë“, të cilat kujtojnë se nuk avullohen, pasiqë janë jomateriale. Sikurse virtyti me të cilin asociohet, nëse i besohet Clarisse Juranville, ekonomizimi i produkteve të tualetit mund të ketë aromë të mirë: «Në flokët e saj të krehura, të lëmuara dhe të ngritura me art, në faqet e saj të lagura akoma nga kontakti i ujit të freskët, në ngjyrën rozë të thonjve të saj, në bardhësinë e rrobës së lustruar së fundmi nga hekuri i hekurosjes, në çorapet e saj të tërhequra mirë dhe këpucët me shkëlqim, ka një parfum pastërtie, si një lule shëndeti për thirrje të parezistueshme”.

Vajzës së re të shekullit XIX i ofrohet një gamë e gjerë praktikash dhe secili autoritet që paraqet rekomandime i cilëson ato si të vetmit të pranueshme: ajo herë inkurajohet që të mos bëjë banjo në mënyrë që të nxjerrë një “parfum” të virtytit, herë të zbukurohet me aromën delikate të pastërtisë, rinisë dhe virgjërisë, ndonjëherë të rrisë aurën e saj natyrore nga delikatesa e aromave të lulave. Suksesi i jashtëzakonshëm i Flirt të Pinaud (1891), emri i të cilit është referencë për arsimimin falas të grave të reja amerikane, sugjeron që ishte industria e parfumeve që e fitoi betejën. Pasi u fut në çarjen e hapur nga mjekët, ajo më në fund hodhi kërkesën morale për ekonomizim dhe diskrecion. Një shekull më vonë, me ardhjen e parfumeve “gourmand”, “vajzat e reja të lulëzuara” do të bëhen “vajza të reja të sheqerosura”. Dhe kjo klientelë nën 25 vjeçe, e pushtuar qysh në shekullin XIX, mbetet një nga synimet kryesore të parfumerisë: millenials sot kontribuojnë me një të tretën e shitjeve të saj.

* Historiane, Université Lumière Lyon 2.