
Një moment i famshëm solidariteti është i njohur në të gjithë botën. Para çdo ndeshje si nikoqir të klubit Liverpool Football Club (LFC), tifozët duke përfshirë edhe ata të “kop” (tribunat ku grumbullohen tifozët më të zjarrtë) e këndojnë këngën You’ll Never Walk Alone (“Ju kurrë nuk do të ecni vetëm”), si një simbol përkushtimi të plotë për një skuadër nga më të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë.
Në epokën e parave-mbret dhe të globalizimit të futbollit, LFC, në pronësi të konglomeratit amerikan Fenway Sports Group (FSG), pretendon ta mishërojë veçantinë e një qyteti krahas pjesës tjetër të Anglisë. Ai e pretendon po ashtu sintezën midis qëllimeve financiare dhe pasionit të tifozëve, falë pranimit të parimeve “socialiste”.
Si kampion evropian më 2019 dhe fitues i kampionatit anglez në qershor 2020, për herë të parë në tridhjetë vitet e fundit, klubi nuk pushon së referuari Bill Shankly-t, ish-menaxherit të tij të shquar (midis 1959 dhe 1974), shtatorja e të cilit gjindet në hyrje të stadiumit Anfield.
I njohur për deklaratën e tij të famshme: “Futbolli nuk është çështje jete ose vdekje. Është shumë më i rëndësishëm se kaq“. Shankly ia pati përshkruar lojtarëve vizionin e tij: “Që secili të punojë për ta arritur të njëjtin qëllim dhe që secili ta ndajë suksesin nëse ai qëllim është arritur: ky është socializmi në të cilin besoj. Unë e shoh futbollin dhe jetën në këtë mënyrë.”
Pothuajse pesëdhjetë vjet më vonë, presidenti dhe drejtori i përgjithshëm i klubit, z.Peter Moore, dha të njëjtin mesazh në një editorial të së përditshmes spanjolle El País: “Suksesi i Liverpoolit bazohet në socializëm“. Realitet apo oportunizëm nga ana e përfaqësuesit të FSG, që është kompania e tretë më e madhe sportive e biznesit në botë sipas Forbes, si një konglomerat i cili gjeneron 6.6 miliardë dollarë (përfshirë 2.2 miliardë vetëm për LFC)? E njëjta pyetje lind në lidhje me trajnerin, z.Jürgen Klopp, paga vjetore e të cilit arrin në 11.3 milion euro dhe i cili pohon përputhjen e tij me vlerat “e majta” duke u betuar se ai nuk do të votonte “kurrë për të djathtën”.
Për ta kuptuar veçorinë e LFC, është e nevojshme të hetohet « zemra ‘scouse’ që rreh gjatë mbrëmjeve të ndeshjeve të Ligës së Kampionëve“, siç na shpjegoi z.Joe Blott, në krye të Spirit of Shankly, grupi më i rëndësishëm i tifozëve. Liverpool ka një histori të trazuar. Qyteti u pasurua për dy shekuj falë skllavërisë (“Fatkeqësisht, por e pranojmë këtë të vërtetë“, thotë z.Blott); ku fuqia e portit ka krijuar përparimin e tij.
Scouse, një gjellë lokale (patate të zier, viçi dhe karrota) që buron nga lapskaus norvegjez, u paraqit nga marinarët skandinavë në fund të shekullit XVIII. Homologët e tyre lokalë do të fillojnë të emërtohen scousers, duke e vendosur si themel të identitetit lokal.
Për Peter Millward, një sociolog që jeton në qytetin ku lindën Beatles, “Liverpool është në gjysmë të rrugës midis kulturës ishullore britanike dhe ndikimeve të shumta të lëvizjeve të tij të popullsisë. Qyteti është bërë kozmopolit”. Ai flet për imigracionin irlandez i cili e bëri qytetin një fortesë katolike në një vend kryesisht protestant, por edhe për uellsian, skandinav, etj. Theksi scouse, i cili përdredh veshët e neofitit, ka lindur nga këto ndikime të shumta.
Liverpool u godit rëndë nga kriza ekonomike e viteve 1970 dhe 1980. “Një raport i vitit 1981 i publikuar 28 vjet më vonë pretendonte se qëllimi i qeverisë së Margaret Thatcher ishte ta linte qytetin të vdiste », kujton sociologu. Deindustrializimi masiv shkaktoi një rritje të papunësisë dhe varfërisë. Por mbeten “Reds” (LFC), një nga dy klubet e qytetit, me “Blues” të Everton Football Club (EFC). “Ne ishim më të mirët në Evropë. Futbolli ishte fushë e vetme ku qeveria e Thatcher nuk mund të na bënte të vuanim”, kujton portieri ikonik James “Jamie” Carragher. Klubi atëherë jetoi periudhën më të lavdishme të historisë së tij, duke fituar njëmbëdhjetë tituj kampioni të Anglisë dhe katër kupa evropiane nën drejtimin e John Smith, presidentit të tij nga 1973 në 1990.
“LFC na shpëtoi nga depresioni“, thotë historiani Frank Carlyle në një libër të hulumtuesit dhe studiuesit të futbollit Daniel Fieldsend për klubin dhe qytetin. Libri citon gjithashtu producentin dhe shkrimtarin Dave Kirby, i cili tha më 1977: “Klubi përfaqëson ata që jemi, shpresat tona, ëndrrat tona. Kjo i mundëson shumices prej nesh të kalojnë fundjavat, të harrojnë papunësinë, fabrikën, mutet e përditshme. Ekzistojmë për klubin dhe ai ekziston për ne“. Një lojtar do të mbahet mend gjithashtu njëzet vjet më vonë. Më 1997, përderisa ‘dockers’ (punëtorët e krahut të portit) ishin në grevë dhe luftonin për mbijetesë, Robbie Fowler festoi golin e tij të njëqind e trembëdhjetë, në moshën 21 vjeçare, duke e zbuluar nën fanellën e tij një maicë me mbishkrimin: “Mbështetje për 500 dosckers e Liverpollit të pushuar nga puna prej shtatorit 1995”. Veprimi i tij do ta mediatizoj konfliktin. Fowler mbetet i adhuruar edhe sot për këtë gjest.
Tragjedia e Hillsborough më 1989
Përveç krizës ekonomike, një tragjedi bashkon ende banorët e qytetit. Më 15 Prill 1989, në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë, Liverpool sfidoi Nottingham Forest në Hillsborough Stadium, në Sheffield. Mijëra tifozë të vonuar hyjnë me shpejtësi në stadium, përderisa ndeshja zhvillohej. Nëntëdhjetë e gjashtë tifozë, përfshirë fëmijë, vdesin para portave ose të shkelur. Katër vjet më parë, Liveropooli ishte fajësuar për sjelljen e dhunshme të tifozëve të tij gjatë trazirave vrasëse në Heysel, në Belgjikë, më 29 maj 1985, gjatë finales së Kupës së Klubeve të Kampionëve Evropian, të cilën e zhvillonte kundër Juventusit. Bilansi: 39 të vdekur dhe 450 të lënduar. Liverpooli gjindet sërish në bankën e të akuzuarve. Disa ditë më vonë, gazeta The Sun titulloi : « The Truth » (“E Vërteta”) duke përdorur versionin e policisë, duke akuzuar tifozët se janë të vetmit përgjegjës për atë që ndodhi. Gazeta paraqiti gjithashtu tre akuza që do të dëshmohen të pavërteta: “Tifozët [e Liverpoolit] urinuan mbi policë të guximshëm [që përpiqeshin të shpëtonin të lënduarit]”; “Tifozët vjodhën xhepat e viktimave“; “Tifozët parandaluan shërbimet e urgjencës t’i jepnin viktimave frymëmarrje përmes gojës“.
Më 2009, në përkujtimin e tragjedisë së Hillsborough në Anfield, deputeti Andrew Burnham, Sekretari shtetëror për Kulturë, Media dhe Sport, mbajti një fjalim në emër të qeverisë laburiste të z.Gordon Brown. Spontanisht, rreth 28.000 tifozë u ngritën dhe brohoritën : « Justice for the ninety-six ! » (“Drejtësi për nëntëdhjetë e gjashtët!”). Në këtë vazhdë, një hetim i pavarur do ta shfajësojë LFC më 2012 dhe do ta nxjerrë në pah jo vetëm përgjegjësinë direkte të policisë, fajtore sidomos për mbylljen e portave, por edhe gënjeshtrat e publikuara nga The Sun, nga media të tjera dhe nga stafi politik.
Tragjedia e Hillsborough do të kontribuojë në forcimin e veçorisë së një qyteti që ‘tories’ nuk patën qeverisur që nga viti 1972. Në vitet e fundit, tribunat zhurmonin me këngë mbështetje për ish-udhëheqësin e Partisë laburiste, z.Jeremy Corbyn. “Asnjë grup i tifozëve nuk i ka nxitur. Ishte spontane”, thotë Blott. “Padrejtësia na ka formuar. Disa liverpuldianë madje e shohin qytetin e tyre si një enklavë të pavarur brenda Mbretërisë së Bashkuar. Duhet kujtuar se greva e madhe e dockersave më 1911 na kishte bashkuar“, kujton z.Ian Byrne, tifoz i zjarrtë i klubit dhe deputet për zonën elektorale fqinje të West-Derby nga viti 2019. “Nuk jemi anglezë, jemi scoursers”, thonë flamujt dhe tifozët në intervale të rregullta në tribunat e stadiumit. “Liverpool është Republika jonë e vogël“, shkruan Fieldsend.
Prandaj, LFC është kampion i një vendi ku tifozët urrejnë liderët shtetërorë, të cilët i akuzojnë se kanë vepruar në degradimin e qytetit të tyre. Në gusht të vitit 2019, “Reds” fishkëlluan madje edhe kundër himnit God Save the Queen. “Ka shumë tifozë që duan ta shohin duke humbur skuadrën kombëtare”, konfirmon universitari (dhe tifozi) Joel Rookwood.
Më 2007, dy investitorë amerikanë të zhytur në borxhe, George Gillett dhe Tom Hicks e blenë klubin nga biznesmeni dhe filantropi Peter Moores, i cili e kishte në pronësi që nga viti 1991. Si përgjigje, tifozët formuan klubin Spirit of Shankly. Mobilizimi rezultoi në largimin e pronarëve të dyshimtë dhe në shitjen e klubit tek FSG. Ashtu si skuadrat e tjera, si rivalët e përjetshëm Manchester United dhe treshja londineze Chelsea, Arsenal dhe Tottenham, LFC ka vendosur të sjellë edhe më shumë turistë të huaj në stadium, të tërhequr nga aura e tij. Çmimet e biletave janë rritur; hapësirat e stadiumit janë borgjezuar.
Më 6 Shkurt 2016, Liverpool udhëhiqte dy me zero kundër Sunderland. Në minutën e shtatëdhjetë e shtatë, rreth dhjetë mijë tifozë largohen nga stadiumi. Arsyeja ? Klubi kishte ngritur çmimin e biletave në 77 paund (85 euro). Rritja ishte më pak e lartë se e klubeve rivale, por tifozët u larguan. Shumë prej tyre punojnë me kontrata të përkohshme ose e gjejnë veten në pasiguri totale: një rritje e tillë është e papranueshme për ta. Me nxitjen e Spirit of Shankly, mobilizimi vazhdoi dhe u përhap në klubet e tjera britanike. U arrit që çmimi i biletave për ndeshje jashtë të jetë 30£ ndërsa në Liverpool qindra bileta për ndeshje si nikoqir shiten për 10£ për tifozët në gjithë rajonin.
Megjithatë, tifozët pranojnë se paratë janë të domosdoshme për fitore. “Tifozët duan lojtarët më të mirë. Fatkeqësisht, ekonomia e futbollit është e tillë që duhet të paguhen shtrenjtë. Më 2010, ne ishim afër rënies nga liga. Që nga ardhja e FSG, kemi fituar gjithçka”, pranon Byrne. Nga ana e tyre, zyrtarët e LFC janë duke bërë disa konsesione, pasiqë e kanë kuptuar interesin e tyre për ta ruajtur zemrën ‘scouse’, duke qenë se tifozët vendas ishin në origjinë të atmosferës së jashtëzakonshme të natës së lojës së madhe. Është një reklamë shumë e mirë për të shitur bileta jashtë vendit, por edhe për shërbime të ndryshme: qëndrimi në një hotel të madh, turne me guidë në qytet, etj. Në partneritet me klubin, kompani si Virgin po ofrojnë për 95 paund (105 euro afërsisht) një paketë shërbimesh që përfshin një turne të plotë në Anfield, një ushqim në një nga restorantet e stadiumit, një seancë pyetje-përgjigje dhe disa fotografi me ish-yje të klubit, etj.
Një tjetër përballje: më 2019, pronarët e klubit planifikojnë ta komercializojnë markën “Liverpool” dhe të përvetësojnë të drejtat për këngë të caktuara popullore. Zyra e Pronës Intelektuale, me sa duket e ndikuar nga mobilizimi armiqësor ndaj kësaj nisme, po vë veton e saj. Për z.Blott, martesa e detyruar midis kapitalizmit dhe “frymës socialiste” të klubit dhe publikut të saj do të zgjasë: “Pronarët e FSG do të jenë gjithmonë kapitalistë që do të nxjerrin përfitime. Dhe tifozët do të përpiqen gjithmonë t’i pengojnë, ose të sigurohen se ata e bëjnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Tifozët janë rojet e tempullit.”
Kur Mohamed Salah lufton racizmin
Pavarësisht veçorisë së tij, Liverpooli nuk është imun ndaj tensioneve së Mbretërisë së Bashkuar. Më 2016, qyteti votoi 58% për të qëndruar në Bashkimin Evropian, por lagja Anfield e cila është në mesin e dhjetë lagjeve më të varfëra të Anglisë, votoi 52% për Brexit.
Për më tepër, aktet e racizmit anti-musliman janë në rritje në vitet e fundit në Liverpool – ku jetojnë rreth 25.000 myslimanë (nga rreth 500.000 banorë) – si në pjesën tjetër të vendit.
Sidoqoftë, që nga mbërritja në 2017 të golashënuesit egjiptian Mohamed Salah, këto akte kanë rënë prej 18.9% në qytet dhe në rajonin e Merseyside, siç e tregoi një studim i botuar më 2019. Studiuesit shoshitën 15 milion postime në twitter dhe zbuluan postimet e tifozëve të Liverpoolit kundër myslimanëve ishin përgjysmuar në krahasim me ato të klubeve të tjera angleze.
Një këngë nga “kop” madje i kushtohet lojtarit: If he scores another few, than I’ll be Muslim too (“Nëse shënon edhe disa gola më shumë, edhe unë do të jem mysliman”). Më 2015, z.Byrne kishte bërë një partneritet midis Fans Supporting Foodbanks dhe disa xhamive në qytet për të organizuar shpërndarje masive të shuajteve ushqimore për nevojtarët para ndeshjeve. Më 2018, me rastin e Kupës së Botës, ndeshja midis Rusisë dhe Egjiptit ku luante Mohamed Salah u transmetua në Xhaminë Abdullah Quilliam.
“Shumë shikues vinin për herë të parë“, kujton zyrtari i zgjedhur. Mirëseardhja ishte shumë e ngrohtë. Futbolli është një mjet integrimi për ne. Ky ishte veprimi ynë më i mirë dhe një mënyrë për t’i shpërbërë idetë e rreme të përhapura nga mediat e ekstremit të djathtë“.
*Gazetar