
Gjendur në dekadën e tretë të tranzicionit demokratik, Shqipëria po përpëlitet nga efektet e reformave neoliberale të kryera përgjatë viteve 90’, të cilat rrjedhimisht ndikuan në një krizë mospërfaqësimi të kërkesave periodike të qytetarëve apo çështjeve që kërkohen të jenë me konsultimin e publikut. Nga ana tjetër, një prej defekteve kryesore të shfaqura gjatë tranzicionit demokratik është mungesa e instrumentave për demokracinë e drejtpërdrejtë që fare mirë mund të realizohej nga një praktikë funksionale e referendumeve lokale.
Aktualisht, Shqipëria është ndër të paktat vende në rajon që nuk e ka të miratuar një ligj të posaçëm për zhvillimin e referendumeve, një praktikë tashmë e konsoliduar në shumë vende evropiane, si për shembull Zvicra e cila ka një traditë të gjatë në matjen e perceptimit publik dhe vendimmarrjen e qytetarëve, apo edhe disa vende ish-komuniste si Polonia, Sllovenia etj. Në praktikat aktuale të Bashkimit Evropian, referendumet kryesisht me karakter lokal kanë një rendësi të posaçme, ndërsa kur shihen në kontekstin kombëtar apo për çështje të sigurisë shtetërore shihen me rezerva. Ish-kreu i Parlamentit Evropian, Martin Schultz është shprehur pak kohë më parë se: “referendumi gjithmonë ka paraqitur një kërcënim kur bëhet fjalë për politikën e BE-së, sepse politika e BE është e ndërlikuar. Ato janë një mundësi për ata nga të gjitha kampet politike që duan të thjeshtojnë shumë gjëra”.
Në kontekstin e zhvillimeve aktuale politike dhe reformuese, referendumet janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si formë e ushtrimit të drejtpërdrejtë të vendimmarrjes demokratike nga ku përcaktohen parimet për zhvillimin e referendumeve, por pa u elaboruar më tej mbi aspektet teknike dhe procedurale. Përpos kësaj që prej vitit 1998, vit në të cilin u miratua Kushtetuta e Shqipërisë dhe ku u zhvillua referendumi i parë dhe i vetëm deri më sot, ende nuk ka një ligj të posaçëm për zhvillimin e referendumeve në Shqipëri, për shkak të mungesës së një konsensusi që miratohet me shumicë të cilësuar të anëtarëve të Parlamentit.
Shoqëria civile ka nisur disa iniciativa referendare në të shkuarën, kujtojmë çështje me interes të lartë publik si në rastin e importit të mbetjeve urbane nga Italia, ngritjes së impiantit të petroliferës në Vlorë, peticioni për ndryshime në sistemin zgjedhor etj, por të gjitha perpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme për një kompleksitet arsyesh. Faktikisht në Kodin Zgjedhor ekzistojnë disa dispozita mbi referendumet, po ashtu në ligjin “për vetëqeverisjen vendore” në nenin 18 trajtohet marrja e nismës për organizimin e referendumeve vendore.
Nësë ndalemi të arsyet, pikësëpari lidhet me mungesën e një ligjit të posaçëm për referendumet në Shqipëri dhe legjislacioni shqiptar nuk detajon asnjë proçedurë për mënyrën sesi mund të mbahen referendumet në nivel të qeverisjes vendore.
Një praktikë e mirë për referendumet lokale do të ishte zhvillimi pas kërkesës së shprehur nga 10 000 banorëve dhe më pas miratimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për çështje që lidhen me investimet strategjike, ndërhyrjet mjedisore, ndyshimet thelbësore që kërkojnë opinionin e qytetarëve, nevojën për riorganizimin e ndarjes administrativo-territoriale, vendimarrje direkte për çështje thelbësore, shpërndarjen e parakohshme të organit përfaqësues vendimmarrës etj. Një zhvillim i tillë do të kërkonte njëherësh ndryshime në Kodin Zgjedhor, Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore dhe kompetencat për vendimmarrjen e Këshillit të Bashkisë.
Një praktikë aspak e përdorur, por që vjen si domosdoshmëri edhe në kohët që po jetojmë është eksperimentimi i votimit elektronik si një instrument zyrtar për të matur perceptimin publik për çështje me karakter vendor dhe më e rëndësishmja në fazën e buxhetimit vjetor të bashkive në mënyrë që të realizohet principi i “buxhetit me përfaqësim”. Kushtëzuar nga përvoja aktuale e pandemisë Covid-19, përdorimi i sistemeve online është një domosdoshmëri sa i takon procesit të mbledhjes së firmave nga qytetarët për të legjitimuar përmes nënshkrimit elektronik marrjen e nismës referendare, çka përdorimin e teknologjisë do e vendoste në funksion të rritjes së demokratizimit dhe pjesëmarrjes.
Në mbyllje, ndryshimi ligjor dhe strukturor për referendumet lokale do të shërbente si një gur i rendësishëm themeli me miratimin e praktikave të shëndosha në funksion të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese.