KUNDËRTHËNIET MBI POPULLIZMIN E MAJTË
Popullizmi i majtë si strategjia më e mirë rezistuese ndaj neoliberalizmit

Kriza shëndetësore ka rihapur gjahun ndaj"popullistëve". Ithtar i një demokracie të qetë, konsensuale, Pierre Rosanvallon, referohet në disa nga kritikat arbitrare ndaj popullizmit. Një teoriciente e njohur e kësaj rryme i përgjigjet atij.

2702

Në librin e tij të fundit « Le Siècle du populisme » (Shekulli i Popullizmit) (1), Pierre Rosanvallon habitet me faktin se ndryshe nga ideologjitë e tjera të modernizmit, siç janë liberalizmi, socializmi, komunizmi ose anarkizmi, popullizmi nuk lidhet me asnjë vepër madhështore.

Sipas tij, megjithatë, bëhet fjalë për një propozim politik të pajisur me një koherencë dhe me një forcë pozitive, por që nuk është formalizuar dhe zhvilluar. Në librin e tij, Rosanvallon synon ta definojë doktrinën populliste duke ia bërë edhe kritikën.

Ai e ndërton këtë doktrinë në mënyrë arbitrare, duke përdorur elemente nga burime shumë heterogjene dhe duke përsëritur klishetë tashmë të ekspozuara në shumicën e kritikave ndaj popullizmit. Përkufizimi i tij nuk shton asgjë në tezën, të paraqitur nga shumë autorë, sipas të cilës popullizmi ka të bëjë me kundërshtimin e një “populli të pastër” kundër një “elite të korruptuar” dhe në kuptimin e politikës si shprehje e menjëhershme të “vullnetit të përgjithshëm” të popullit (2).

Me disa nuanca, ky është përfytyrimi që paraqitet në ‘Le Siècle du populisme’. Kur Rosanvallon i referohet autorëve që mbrojnë një pozicion tjetër, ai e bën këtë duke shtrembëruar idetë e tyre për t’i bërë të përputhshme me tezën që mbron.

Disa nga veprat e mia janë të karikaturizuara deri në atë pikë, saqë shtrohet pyetja nëse ky historian me famë i ka lexuar ato, apo nëse ai shpreh dashakeqësi metodologjikisht të dyshimtë. Për shembull, ai pohon se unë hedh poshtë demokracinë liberale përfaqësuese, përderisa vepra ime  « Pour un populisme de gauche » (Për një populizëm të majtë) nënvizon rëndësinë e përfshirjes së kësaj strategjie në kuadër  të demokracisë pluraliste dhe të mos hiqet dorë nga parimet e liberalizmit politik.

Përkundër asaj që pohon Rosanvallon, në veprën time « Le Paradoxe démocratique » (3) (Paradoksi demokratik), unë mbrojë tezën se demokracia liberale rezulton nga artikulimi i dy logjikave të papajtueshme në instancë të fundit, por se tensioni midis barazisë dhe lirisë, kur manifestohet në mënyrë “agonistike”, në formën e një beteje midis kundërshtarëve, garanton ekzistencën e pluralizmit.

Po kështu, sipas Rosanvallon, unë mbrojë unanimitetin si horizont rregullues të shprehjes demokratike, përderisa tema e ndarjes shoqërore dhe e pamundësisë së një konsensusi inkluziv është në qendër të mendimeve të mia. Por nëse kjo vepër që synon ta bëjë teorinë e popullizmit nuk kontribuon në një kuptim më të mirë të fenomenit, kjo është kryesisht për shkak të pretendimit të ambicies së saj: popullizmi nuk ekziston si entitet, e rrjedhimisht nuk mund t’ia krijojmë teorinë ose t’ia prodhojmë konceptin.

Ekzistojnë vetëm popullizma në shumës, gjë që edhe e shpjegon se pse ky nocion krijon kaq shumë interpretime dhe përkufizime kundërthënëse. Në vend që të kërkohet përkufizimi i parimeve të popullizmit, duhet shqyrtuar logjika politike që zbatohet nga lëvizjet e cilësuara si “populliste”.

Duke e ndjekur këtë qasje, Ernesto Laclau tregon në « La Raison populiste » (4) (Arsyeja populliste) se kemi të bëjmë me një strategji të ndërtimit të kufirit politik, të vendosur mbi bazën e një kundërshtimi, midis atyre poshtë dhe atyre lartë, midis dominuesve dhe të dominuarve.

Lëvizjet që e përqafojnë popullizmin lindin gjithmonë në kontekstin e një krize të modelit hegjemonik. Të menduar në këtë mënyrë, popullizmi nuk paraqitet as si një ideologji, as si një regjim, as si një përmbajtje programore specifike.

E gjitha varet nga mënyra se si ndërtohet kundërshtia “ne / ata”, si dhe nga kontekstet historike dhe nga strukturat socio-ekonomike në të cilat shpaloset. Të kuptuarit e popullizmave të ndryshëm nënkupton të nisesh nga konjukturat specifike të shpërfaqjes së tyre, e jo t’i reduktosh si shpërfaqje e një ideologjie të njëjtë, siç e bën Rosanvallon.

« Republika e qendrës »

Duke mos arritur ta sqarojë objektin e tij, Rosanvallon zbulon në studimin e tij të popullizmit, natyrën dhe kufijtë e konceptimit të tij për demokracinë. Teoria demokratike që strukturon ideologjinë populliste fton sipas tij në një “formë të kufizuar të demokracisë” e cila ia bën procesin gjyqësor natyrës liberale dhe përfaqësuese të demokracive ekzistuese. Dhe kjo duke ia kundërvërë një zgjidhje zëvëndësuese të bazuar në tri karakteristika: demokracia e drejtpërdrejtë, një projekt i demokracisë së polarizuar dhe një konceptim i menjëhershëm e spontan të shprehjes popullore. Sipas kësaj doktrine të supozuar populliste, ish-sekretari i fondacionit Saint Simon (Rosanvallon) paraqet alternativën e konceptimit të tij, të zhvilluar në veprat e tij të mëparshme.

Në aspektin filozofik aty gjejmë një version të sofistikuar të doktrinës dominuese të partive socialdemokrate nën hegjemoninë neoliberale. Ai u zhvillua në vitet 1980 dhe 1990 nga teoricienët e “third way”, si Anthony Giddens në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ulrich Beck në Gjermani. Teza e tyre: kemi hyrë në një “modernitet të dytë”, ku modeli antagonik i politikës bëhet i vjetëruar në mungesë të kundërshtarëve socialë. Identitetet kolektive si klasat kanë humbur rëndësinë e tyre dhe kategoritë e së djathtë dhe së majtës po skadojnë.

Ekzistojnë dallime në mendime potencialisht konfliktuoze por që ngushtohen dhe zvogëlohen duke pajtuar shumëllojshmërinë e kërkesave individuale. Andaj edhe merr hapin një “politikë e jetës” e lidhur me shqetësimet mjedisore, familjare, identitetet personale dhe kulturore, sipas Giddens, mbi “politikën e emancipimit” (5).

Miratimi i një konceptimi të tillë nga partitë socialdemokrate ishte në burim të social-liberalizmit i cili mbizotëroi Evropën Perëndimore që nga fundi i viteve 1980. Në Francë, ky projekt i një “Republikës së qendrës” gjeti ndjekësit e tij më të zjarrtë rreth Rosanvallon dhe intelektualë nga Qendra si Raymond Aron nga École des hautes études en sciences sociales (Shkolla e studimeve të larta në shkenca sociale) (6). Kjo rrymë privilegjon dimensionin liberal të demokracisë: ajo e vë theksin në mbrojtjen e aspekteve kushtetuese në dëm të pjesëmarrjes së popullit. Ky mbizotërim i liberalizmit mbi sovranitetin popullor shpie në një bllokim të ndarjes shoqërore, në marrëdhëniet e pushtetit dhe në format e luftës antagoniste që shoqërohen me nocionin e luftës së klasave.

E përqëndruar në mungesën e një zgjidhje alternative për globalizimin neoliberal, një vizion “post-politik” i këtij lloji, larg së krijuari progres për demokracinë, ia cakton sistemit politik detyrën e “qeverisjes së vakumit”, siç e ka treguar Peter Mair (7).

Më 2005, unë argumentova se mungesa e një beteje midis projekteve të kundërta shoqërore privon zgjedhjet nga kuptimi i tyre dhe siguron terren pjellor për zhvillimin e partive të djathta populiste (8). Kësisoj, edhe ato mund të pretendojnë t’ia rikthejnë popullit pushtetin e konfiskuar nga establishmenti. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, peizazhi politik evropian e konfirmon këtë hipotezë.

Rosanvallon nuk e kupton se modeli konsensual i një politike pa kufij është burimi i ngritjes së fuqisë të popullizmit. Vetëm një politikë e tillë mund ta ndërpres në sytë e tij zhvillimin e një projekti të fortë alternativ, një “revolucion i dytë demokratik” i cili përfshin rimendimin e veprimtarisë qytetare dhe institucioneve demokratike.

Ai formulon një seri propozimesh, të cilat nuk janë jointeresante, me synimin e diversifikimit dhe shumëzimit të institucioneve demokratike, si dhe  zgjerimin e fushës së veprimtarisë qytetare. “Demokracisë autoritare”, e cila jep fuqinë për të qeverisur përmes zgjedhjeve, duhet t’i shtohet një “demokraci e ushtrimit”, e cili e nënshtron ushtrimin e pushtetit në kritere demokratike.

Por, meqë këto propozime janë pjesë e konceptimit postpolitik, ato injorojnë antagonizmat që strukturojnë shoqërinë dhe nuk e vëjnë në dyshim modelin neoliberal, është e vështirë të kuptohet se si “revolucioni i dytë demokratik” do të kontribuonte në zbrapsjen e forcave populliste.

Konceptimi i popullizmit si një strategji për ndërtimin e kufirit politik e bën të kuptueshëm “momentin popullist”, gjë që nuk e lejon perspektiva e Rosanvallon. Këto lëvizje kundërshtojnë qeverinë e ekspertëve dhe reduktimin e politikës në çështje të rendit teknik.

Ata pretendojnë se janë ithtarë të një vizioni partizan dhe tregojnë të metat e qasjes konsensuale. Ata sfidojnë më në fund postpolitikën dhe kërkojnë mundësinë që qytetarët të marrin pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me punët publike dhe jo vetëm të monitorojnë zbatimin e tyre.

Disa shprehin kërkesat e tyre në formën e një popullizmi të djathtë, të tipit “imunitar” dhe ksenofob, me dëshirën e kufizimit të demokracisë tek kombëtarja; të tjerët e bëjnë në formën e një popullizmi të majtë që synon ta zgjerojë dhe ta thellojë demokracinë në shumë fusha.

Për ta arritur këtë qëllim, strategjia populliste e majtë propozon një shkëputje me rendin neoliberal dhe kapitalizmin financiar, i cili siç e ka treguar sociologu Ëolfgang Streeck (9), po tregohet i papajtueshëm me demokracinë.

Strategjia populliste e majtë synon të krijojë një formacion të ri hegjemonik, të aftë për të marrë prsipër qendrën e vlerave të barazisë dhe të drejtësisë shoqërore. Një projekt i tillë nuk e nënkupton refuzimin, por përkundrazi, ripushtimin e institucioneve që përbëjnë pluralizmin demokratik.

Për ta zbatuar një shkëputje të tillë, strategjia e popullizmit të majtë synon t’i bashkojë betejat demokratike me qëllim të krijimit të një vullneti kolektiv, një “ne”, të aftë për t’i transformuar marrëdhëniet e pushtetit dhe për të krijuar një model të ri ekonomik dhe shoqëror, përmes asaj që Antonio Gramsci e quan : “luftë pozicioni”.

Përballja midis kësaj “ne”, e cila artikulon kërkesat e ndryshme që lidhen me kushtet e shfrytëzimit, dominimit dhe diskriminimit, dhe kundërshtarit të saj, kjo “ata” e përbërë nga fuqitë neoliberale dhe aleatët e tyre, është forma në të cilën ajo shprehet sot është ajo që tradita marksiste e quan “lufta e klasave”. Prandaj edhe nuk është i çuditshëm kundërshtimi i Rosanvallon. I burgosur nga modeli i tij centrist, ai sheh çdo formë të popullizmit si një kërcënim për demokracinë.

Shterimi i modelit neoliberal

Strategjia e popullizmit të majtë duket veçanërisht e rëndësishme në perspektivën e një dalje nga kriza Covid-19 e cila do tëshënonte fillimin e ndërtimit të një kontrate të re shoqërore. Mbase kësaj herë, ndryshe nga kriza e vitit 2008, mund të hapet një hapësirë ​​për përballje midis projekteve kundërshtare.

Një kthim i pastër dhe i thjeshtë në punët e tanishme duket i pamundur dhe shteti ndoshta do të luajë një rol njëkohësisht vendimtar dhe të rritur. Ndoshta do ta përjetojmë shfaqjen e një “kapitalizmi shtetëror” që përdor fuqinë publike për rindërtimin e ekonomisë dhe për rivendosjen e fuqisë së kapitalit.

Ai mund të merr forma pak a shumë autoritare sipas forcave politike që do ta drejtonin atë. Ky skenar do të nënkuptonte ose fitoren e forcave populliste të djathta, ose kërcimin përfundimtar të mbrojtësve të neoliberalizmit për të siguruar mbijetesën e modelit të tyre.

Sidoqoftë, një strategji populliste e majtë që synon ndërtimin e një vullneti kolektiv rreth një « Green New Deal » mund edhe ta shndërrojë këtë krizë si një mundësi për ta demokratizuar në thellësi rendin ekzistues socio-ekonomik dhe të krijojë kushte për një tranzicion të vërtetë ekologjik.

Duke ndezur pabarazitë, kriza e koronavirusit konfirmon shterimin e modelit neoliberal. Duke rikrijuar kufijtë politikë dhe duke rishfaqur ekzistencën e antagonizmave, ajo sinjalizon një rikthim të politikës dhe i jep një dimension të ri momentit popullist.

Në varësi të forcave shoqërore që do ta shfrytëzojnë atë dhe nga mënyra në të cilën ata do të ndërtojnë kundërshtinë “ne/ata”, kjo pandemi mund të shpie në zgjidhje autoritare ose të shpie në një radikalizim të vlerave demokratike. Një gjë është e sigurt: ndryshe nga ato që thotë Rosanvallon, larg nga kërcënimi i demokracisë, popullizmi i majtë paraqet sot strategjinë më të mirë për t’i orientuar në një drejtim barazitar rezistencat ndaj rendit post-demokratik neoliberal.

(1) Pierre Rosanvallon, Le Siècle du populisme. Histoire, théorie, critique, Seuil, Paris, 2020.

(2) Shih. Cas Mudde et Cristόbal Rovira Kaltwasser, Brève Introduction au populisme, Éditions de l’Aube, La Tour-d’Aigues, 2018.

(3) Shih. Le Paradoxe démocratique, Beaux-Arts de Paris Éditions, 2016.

(4) Ernesto Laclau, La Raison populiste, Seuil, Paris, 2008.

(5) Anthony Giddens, Modernity and Self-Identity. Self and Society in the Late Modern Age, Polity Press, Cambridge, 1991.

 (6) François Furet, Pierre Rosanvallon et Jacques Julliard, La République du centre. La fin de l’exception française, Calmann-Lévy, Paris, 1988.

(7) Peter Mair, Ruling the Void. The Holloëingout of Ëestern Democracy, Verso, Londër, 2013.

(8) Shih. L’Illusion du consensus, Albin Michel, Paris, 2016 (botimi i parë angles më 2005).

(9) Wolfgang Streeck, Du temps acheté. La crise sans cesse ajournée du capitalisme démocratique, Gallimard, Paris, 2014.