VRASJA E KLODIAN RASHËS
“Çunat e lagjeve” mes ligjit, shoqërisë dhe politikës

2201

Ditën e nëntë dhjetorit, kryeqyteti u zgjua me një pështjellim që në orët e vona të mbasdites, si rrallë herë u shpërfaq edhe në rrugë. Vrasja e një 25 vjeçari në një nga lagjet periferike të Tiranës krijoi nje eko të cilën askush nuk e kishte parashikuar.

Përtej zhurmës mediatike që krijon çdo ndodhi që shkakton tronditje në publik, kjo është një ngjarje e cila po trajtohet pa kontekstin e nevojshëm për të kuptuar feneomenin që rrethon këtë rast.

Reagimi zyrtar dhe ai informal i policisë së shtetit ka qenë i turpshëm. Tentativa për të hedhur hije dyshimi mbi ngjarjen, duke pretenduar se i riu ishte me precedent kriminal (pa sqaruar në asnjë moment për çfarë), deklarata publike se ishte gjetur një armë diku aty afër,  apo se i riu kishte kërcënuar policin, por pastaj ishte larguar me vrap, është edhe arsyeja se përse shumë të rinjë protestuan dhunshëm ditën e nëntë dhjetorit.

Të trajtosh një rast të tillë në këtë mënyrë, pra të zhvlerësosh jetën e një të riu duke hedhur akuza për ta denigruar figurën e tij sepse vinte nga një lagje periferike, sepse nuk ishte nxënës i dalluar, apo se paska patur të shkuar me precedent, është e pafalshme, është nje krim ndoshta me i rëndë se i pari dhe përfshiu një strukturë të tërë të policisë, jo vetëm një pjesëtar të saj. Nuk pati asnjë zyrtar të lartë të policisë apo të ekzekutivit që të dilte me fytyrë përballë publikut dhe të tregonte minimumin e shqetësimit dhe seriozitetit për ta trajtuar rastin në fjalë, por i varën shpresat tek hedhja e baltës mbi djalin që plotësonte kriteret për ‘çun lagje’, si dhe tek shiu që parashikohej atë mbasdite.

Problem edhe me i gjerë, njëkohësisht dhe fenomeni i cili duhet analizuar, shtrihet tek marrëdhënia që policia e shtetit ka vendosur me komunitetin e qytetarëve dhe të biznesit, dhe kjo është një marrëdhënie e kalbëzuar dhe shpeshherë kriminale, e cila njihet shumë pak dhe për të cilën flitet edhe më pak. Më specifikisht, duhet të ndalemi te komuniteti i cili u ndje i përfaqësuar nga i ndjeri Klodjan.

Ngjarja e nëntë dhjetorit ngjalli reagime të ndryshme në opinionin publik: pati shumë empati por pati dhe shumë mosbesim. Mosbesimi më së shumti vjen nga fakti që një pjesë e mirë e protestuesve kishin të njëjtat tipare të të ndjerit: çuna lagjeje, të rinj me zhargon rruge dhe kryesisht pa ndonjë pasion të spikatur për sistemin arsimor (po cili nga ne e ka?), ata të cilët janë të parët që janë nën trysninë direkte të policisë, sidomos në këto kohë pandemie. Janë të rinj të këtij vendi ku një pjesë e mirë e tyre nuk ka patur mundësi të apasionohet me studimet sepse jeta e tyre ashtu ka qenë, por kjo nuk do të thotë se ata nuk punojnë dhe që nuk kontribuojnë në shoqërinë tonë. Një pjesë e tyre kanë krijuar gjithashtu një subkulturë paralele në qytetet. Ajo subkulturë e cila shpërfaqet tek ne nëpërmjet Instagramit, tik-tokut apo në emisionet çuditshme të pasdites ku disa të rinj ngrejnë tekste të çuditshme mbi makinat, jetën e rrugës, hashashin, kokainën etj.  E ndërkohë që publiku i sheh si një komunitet në inkubator, ata janë realë, jetojnë çdo ditë mes nesh dhe dita ditës po bëhen modele për brezat e rinj.

Ky është një komunitet i cili nuk sheh lajme, nuk dëgjon fjalime politike, dhe me të cilin shumica e atyre që do lexojnë këto rrjeshta mund të mos kenë asnjë platfomë komunikimi. Ata nuk e kuptojnë dhe nuk janë të interesuar të na dëgjojnë ne të flasim për demokracinë, korrupsionin, platformat elektorale, inceneratorë, për buxhetin 5 miliard lekë, apo për rrugën 200  milion euro. Ata nuk i kanë mjetet për të ndërhyrë në një diskurs që edhe për ne të cilët e konsumojmë në mënyrë të përditshme, është bërë i padurueshëm. Nga ana tjetër, “ata” janë komunitet, por nuk janë të gjithë njësoj. Në një grup tipik prej dhjetë ‘çunash lagjeje’ mund të gjesh dy-tre prej tyre të cilët merren me shperndarje direkte ose indirekte hashashi ose kokaine, katër-pesë të cilët mund të bëjnë punë të zakonshme (madje me siguri me orare më të gjata se dita normale e punës), sigurisht dhe tre-katër prej tyre të cilët janë të papunë, dhe një-dy tipikisht në lagjet qendrore të Tiranës që e kanë ose e kanë patur babin me pushtet. Por të gjithë së bashku kanë krjuar një komunitet tek i cili gjejnë përkatësi, dhe pavarësisht punës që bëjnë, arrijnë të dorëzojnë të ardhura në shtëpi. Kemi krijuar sot një situatë, ku një pjesë e familjarëve të këtyre djemve janë të gatshëm të mbyllin një sy dhe të bëjnë një vesh shurdh për hir të parave që këta të rinj sjellin në shtëpi, ose së paku nuk i bëhen barrë familjes. Gjatë pandemisë, kjo marrëdhënie ka marrë një peshë edhe më të madhe, ku kushtet ekonomike të këtyre familjeve kanë qenë edhe më të rënda. Ndërkaq, mbi këtë rrjet janë bosët të cilët përfitojnë, pasurohen dhe blejnë kapital ekonomik dhe politik në shoqerinë tonë të vogël, e me shumë gjasa i hasim këta persona gjatë “jetës tonë normale” në qytet. Ndërkaq, komuniteti i çunave vazhdon të jetojë një jetë të dyfishtë dhe të vështirë.

Marrëdhënien më të ngushtë dhe te vetme me shtetin e kanë më policinë, duke filluar nga inspektori i zonës e deri tek drejtoret dhe shefat e komisariateve.

Gjatë pandemisë ka patur dy kategori të cilat kanë arritur të funksionojnë pothuajse 24 orë çdo ditë: motorristët e shpërndarjes së ushqimit dhe të pijeve, dhe motorristët e shpërndarjes së hashashit dhe kokainës – në disa raste janë dhe të njëjtët. Kjo mund të duket si habi për shumë prej nesh, por jo për policinë, e cila e njeh mirë territorin dhe për një pjesë të kësaj strukture kjo marrëdhënie është edhe biznes. Gjobat informale të policisë ndaj biznesit, kryesisht lokalet, janë të ditura. Edhe gjatë pandemisë të gjithë ne kemi qenë në dijeni për subjekte të caktuara të cilat kanë qëndruar hapur nën mbrojtjen e policisë. Në kohë “normale” situata ka qenë më “normale”, sepse të gjithë punonin dhe rrjeti i lokaleve dhe shpërndarësve të hashashit e kokainës funksiononte normalisht dhe qarkullimi ishte i mjaftueshëm për të gjithë. Të gjithë ne e kemi vënë re dhe kurrë s’kemi ndaluar për të kuptuar se ku po na çonte kjo marrëdhënie e institucionalizuar kriminale midis policisë, biznesit dhe shpërndarësve të vegjël të këtyre drogërave. Por sot ajo pjesë e errët e policisë gjendet e papunë, ashtu si një pjesë e shpërndarësve apo edhe si lokalet ku këto grupe punonin për të nxjerrë të ardhura. Sigurisht që marrëdhënia e çunave me policinë nuk është një marrëdhënie xhentëlmenësh, për sa kohë ata shihen nga shoqëria si disa të rinj të cilët nuk e kanë qejf shkollën, janë të anatemuar, e të cilët janë të nëpërkëmbur që në moshë të re pikërisht nga “forca e ligjit”. Rastet e minorenëve të cilëve ju viheshin gjoba dhjetë mijë lekëshe nën dorë nga patrrulla e lagjes kur kapeshin me një cigare hashash nën kërcënimin se “do të rrasim brenda” janë të njohura në qytet, e fakti është që abuzimi ndodh edhe në forma më të rënda në lagjet pak më periferike, aty ku vemendja e publikut “të edukuar” dhe ajo mediatike është inekzistente. Gradualisht, u kalua në kontrrollin e territorit në mënyrë më të organizuar, por jo pa dhunë. Dhuna patjetër është e dyanshme, por ‘çunat e lagjes’ gjenden gjithmonë në anën më të dobët të peshores. Nuk po e shtroj këtë fakt për të treguar që këta të rinj janë të mirë dhe policia është e keqe – qartazi nuk jemi në situatën e heroit dhe armikut. Kjo ngjan më shumë si një marrëdhënie dikotomie midis dy grupeve ku secili nxjerr të ardhura në saj të tjetrit, por gjithashtu ku njëri grup është i rrezikuar nga ligji e tjetri është i mbrojtur, ku njëra palë është në mos minoren, ende tepër i ri për t’ju dorëzuar kësaj lloj mbijetese, me shpresën se një ditë duke rrezikuar jetën, do të mund t’ja dali.

Sot pandemia po na përplas përpara syve një realitet të cilin ne e kemi fshehur, anashkaluar në të gjitha mënyrat.

Aq reale dhe me peshë është kjo situatë, sa është shpërfaqur edhe në politikën publike. Sot ne kemi të atashuar diku me të dukshme dhe diku me pak se si të treja partite politike tentojnë të kapitalizoje mbi këtë komunitet: PS-ja me Noizy-n, PD-ja me Stresin, dhe LSI me Bes Kallakun (ka dhe shumë të tjerë, po me siguri keto janë emrat më të njohur për ju). Por në fund të ditës, çunat e lagjes si Klodjani, nuk kanë as makina të shtrenjta e as vila luksoze, ato luftojnë çdo ditë me atë mundësi dhe botëkuptim që kjo shoqëri i ka dhënë për të mbijetuar.

Ne sot ndoshta jemi dëshmitarë të një ndryshimi të ri social tepër të rrezikshëm. Këta të rinj të cilët nuk e kanë të mundur të artikulojnë sfidat e tyre sociale-ekonomike, janë të parët të cilët mund të bien pre e një demagogjie të re politike, e këtu nuk po flasim më për dy-tre partitë klasike, por për formacione të reja të cilat po lëshojnë tashmë shkëndija të vogla, të cilat të pajisura më një imazh të mirë dhe me një demagogji të kuruar, mund të arrijnë të kapitalizojnë mbi këtë komunitet, duke e ndarë edhe më shumë nga ne.

Para se të dalim dhe të drejtojmë gishtat ndaj “vandalëve” të pemës së Vitit të Ri, duhet në fillim të kuptojmë se kush po i drejton, kush po i shfrytëzon dhe ku është përgjegjësia jonë si shoqëri që kemi mundur t’i japim vetëm kaq pak shpresë këtyre të rinjve.