RËNIA E QEVERISË KURTI
I rrëzuar, por jo i mposhtur

Mosgatishmëria e Kurtit për t’iu nënshtruar diktatit të Shtëpisë së Bardhë dhe kërcënimeve të partnerit të saj qeverisës mund të përshkruhen si kryeneçësi dhe deri dikund mund të jetë e tillë. Por, nga ana tjetër duket qartë se populli i Kosovës gradualisht po heq dorë nga stili dhe kultura politike që e kanë karakterizuar vendin përgjatë dy dekadave të fundit.

1709

Më 26 mars, përderisa vendi po përballej me përhapjen e virusit Covid-19, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash miratoi një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjës Vetëvendosje (LVV). Mocioni ishte inicuar nga deputetët e partnerit qeverisës të Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me kërkesë direkte të kryetarit të saj Isa Mustafa. Qeveria Kurti ra pas një periudhe të shkurtër 50 ditore në pushtet.

Ndonëse shkaku imediat për mocionin ishte shkarkimi nga Kurti i Ministrit të Brendshëm Agim Veliu nga radhët e LDK-së, hendeku politik midis Kurtit dhe LDK-së ka kohë që ishte thelluar shkaku i tarifës mbi mallrat me prejardhje nga Serbia. Kjo tarifë ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Ramush Haradinajt, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së vazhdueshme ndërkombëtare të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol, dhe për nxitjen e shteteve që tashmë e kanë njohur Kosovën si të pavarur për tërheqjen e njohjeve. Tarifa asokohe nuk ishte mirëpritur nga Bashkimi Evropian (BE), aleatët evropianë të Kosovës si Britania, Franca e Gjermania, e as nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ndonëse gjatë kohës sa ishin në opozitë, Kurti dhe Mustafa kishin zhvilluar një bashkëpunim konstruktiv, si dhe gjatë fushatave përkatëse zgjedhore të vjeshtës 2019 kishin bërë të njohur interesimin e tyre për të bashkëqeverisur pas zgedhjeve, procesi që rezultoi më pas dëshmoi se besimi midis dy partnerëve qeverisës nuk ishte edhe aq i thellë e as solid. Formimi i qeverisë zgjati me muaj të tërë, shkaku i mosmarrëveshjeve, por edhe protagonisëve të zëshëm brenda LDK-së – në veçanti ish-ministrit Veliu – që kundërshtonin hapur hyrjen në koalicion me Kurtin dhe LVV-në.

Veliu qysh herët u paraqit si një “spoiler” i koalicionit dhe futja e tij në përbërje të qeverisë ishte pak sa i papritur. Veliu nuk ishte kandidat në zgjedhjet nacionale, por anëtar kryesie në LDK dhe gëzon një bazë të fuqishme të mbështetjes në Podujevë, një komunë që konsiderohet “bastion” tradicional i kësaj partie, ku ai ishte kryetar komune. Kundërshtia e Veliut gjatë periudhës së negociatave të koalicionit, por edhe mosngurrimi i Mustafës për ta shkatërruar koalicionin shkaku i tij, janë dëshmi e autoritetit politik që Veliu gëzon brenda LDK-së. Ajo po ashtu tregon për prioritetin e dhënë nga Mustafa dhe kryesia e LDK-së për mbrojten e strukturave lokale dhe figurave përfaqësuese të tyre në zonat ku LDK qëndron relativisht mirë. Kujtojmë se LDK kishte shënuar sukses të konsideruar në zgjedhjet lokale të 2017-ës, që dëshmon për traditën e saj organizative në këtë nivel. Megjithatë, për zgjedhjet nacionale, LDK kishte konkurruar me një kandidat pa lidhje me strukturat lokale, deputeten e popullarizuar Vjosa Osmani. Për shumë vëzhgues, Osmani ishte arsyeja e suksesit relativ të LDK-së në zgjedhjet nacionale të 2019-ës. Osmani, nga pozita e saj si kryetare e Kuvendit (pozitë që ajo ka nxënë në bazë të ujdisë me LVV-në), kundërshtoi fuqishëm mocionin anti-qeveritar. Për një pjesë të mbështetësve të LDK-së, simpatizantë të Osmanit, vendimi i kreut të LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti, sidomos në gjendje pandemie, ka qenë i gabuar, në mos edhe revoltues.

Por, loja politike në Kosovë është më e ndërlikuar se kaq. Faktor tjetër destabilizues në koalicionin e brishtë LV-LDK ka qenë presidenti Hashim Thaçi. Ndonëse kushtetuta e Kosovës parasheh një president ceremonial, Thaçi ka faktorizuar veten si bashkëbiseduesi kryesor i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në negociatat, herë formale, herë gjysëm-formale e herë jo-formale midis Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat e Thaçit gjatë vitit 2018, se një marrëveshje me Serbinë duhet të mbështetet mbi një shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, kanë skandalizuar gjithë skenën politike në Kosovë dhe kanë qenë ndoshta motivi kryesor i përafrimit të LVV-së dhe LDK-së gjatë kohës në opozitë.

Kurti u rrëzua, por nuk u mposht dhe nuk duket se ai dhe partia e tij do të bëhen faktorë të anashkalueshëm në skenën politike kosovare, sado që këtë ta dëshironin Thaçi, Mustafa, apo edhe Grenell.

Përveç se është bashkëbiseduesi i preferuar i Vuçiqit, Thaçi është po ashtu partneri i preferuar i SHBA-ve dhe i emisarit të posaçëm të presidentit Donald Trump, Richard Grenell në procesin e negociatave, negociata këto që tashmë janë zhvendosur nga korniza e institucioneve të BE-së në hollet e Shtëpisë së Bardhë. Grenell ka qenë ai që është treguar jashtëzakonisht këmbëngulës për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe, duke instrumentalizuar proponentë dhe aleatë të administratës Trump, përfshirë edhe të birin e presidentit, Donald Trump Jr., për të lansuar publikisht kërcënime për pasojat e rënda ndaj Kosovës, nëse tarifa nuk hiqet menjëherë dhe pa kushte. Presioni i Grenell ishte drejtuar edhe ndaj LDK-së dhe personalisht Mustafës, aq sa Mustafa kishte deklaruar se pranon telefonata të përditshme nga Grenell. Ndërkohë që Kurti kishte refuzuar këtë kërkesë, duke këmbëngulur në mbajtjen e premtimit të tij elektoral, se tarifa do të hiqet gradualisht dhe vetëm me vendosje të reciprocitetit tregtar dhe në këmbim të garancave se Serbia do ta ndalë fushatën e ç’njohjeve.

Presioni i Grenell përveç se ndryshoi menjëherë qëndrimin e Mustafës (i cili fillimisht ishte dakorduar me pozicionin elektoral të Kurtit), i dha edhe municion të mjaftueshëm atij dhe pjesës tjetër të opozitës që të fillojnë ta akuzojnë për antiamerikanizëm Kurtin dhe partinë e tij. Kështu, mospajtimi për tarifën u bë arsyeja formale e mocionit të mosbesimit ndaj Kurtit, ndaj edhe shumë vëzhgues, të brendshëm dhe ndërkombëtarë, përshkruajtën rrëzimin e Kurtit si rezultat i presionit amerikan.

Presioni amerikan është faktor i pamohueshëm që kontribuoi në prishjen e koalicionit në qeverinë Kurti dhe në destabilizimin politik të vendit në një situatë krize të paprecedent të pandemisë Covid-19 që nuk kursen as Kosovën. Mirëpo presioni amerikan njëkohësisht nuk ishte faktori përcaktues i këtij fati. Zhvillimet nxorën në pah një sërë gjërash. E para, u vu në pah brishtësia e koalicionit LVV-LDK dhe shkalla e mosbesimit midis dy këtyre subjekteve dhe proponentëve politikë të saj. Ky koalicion qëndronte mbi balanse shumë delikate dhe nuk u desht shumë për t’i nxjerr proponentët e saj nga salla e përbashkët qeveritare drejt istikameve në kuvend, emisione televizive e rrjete sociale, për të zbrazë goditje të pamëshirshme mbi njëri-tjetrin.

E dyta, dolën në sipërfaqe përçarjet e thella brenda LDK-së. Mustafa ka ndërmarrë një risk shumë të madh me veprimin kundër qeverisë Kurti, meqë për hir të mbrojtjes së figurës së fuqishme lokale, por të padëshmuar në nivel nacional Veliu, përbuzi politikisht figurën e popullarizuar në nivel nacional Osmani. Ndonëse një përçarje e LDK-së nuk duket në pah (shumica e deputetëve të LDK-së u rreshtuan me kryetarin e saj), ruajtja e disiplinës së brendshme mund të jetë bërë në dëm të perspektivës elektorale të kësaj partie. Sondazhet tashmë tregojnë se Mustafa është ndër figurat më pak të pëlqyera në Kosovë dhe është i pamendueshëm suksesi nacional i një partie që përfaqësohet publikisht me figura lokaliste dhe të paformuara, por ambicioze, si Veliu.

E treta, Kurti dëshmoi këmbëngulësinë në mbajtjen e kursit politik që kishte proklamuar gjatë zgjedhjeve. Ndonëse kjo këmbëngulësi i kushtoi me acarimin e marrëdhënieve me administratën Trump dhe përfundimisht me prishjen me partnerin e saj qeverisës, ai mbetet figurë popullore në Kosovë. Nuk ka dyshim se po të mbaheshin zgjedhjet sot, ai dhe LVV sërish do të dilte partia e parë, në mos me një margjinë edhe më të lartë se që kishin më tetor 2019. Mosgatishmëria e Kurtit për t’iu nënshtruar diktatit të Shtëpisë së Bardhë dhe kërcënimeve të partnerit të saj qeverisës mund të përshkruhen si kryeneçësi dhe deri dikund mund të jetë e tillë.

Por, nga ana tjetër duket qartë se populli i Kosovës gradualisht po heq dorë nga stili dhe kultura politike që e kanë karakterizuar vendin përgjatë dy dekadave të fundit. Kjo kulturë e vjetër politike bazohej, në një anë, në mbajtjen e pushtetit përmes dhunës, korrupsionit dhe klientelizmit lokal e familjar, dhe në anën tjetër në nënshtrimin e pakontestuar ndaj “kërkesave” nga faktorë të fuqishqëm diplomatikë.

Përvoja e hidhur e viteve të fundit të kosovarëve, me premtime të shkelura nga faktorë si BE-ja, po edhe shembulli që dha Kurti me një qeverisje relativisht efektive dhe profesionale (sidomos në raport me krizën e pandemisë), hapin një kaptinë tjetër në politikën kosovare. Kurti u rrëzua, por nuk u mposht dhe nuk duket se ai dhe partia e tij do të bëhen faktorë të anashkalueshëm në skenën politike kosovare, sado që këtë ta dëshironin Thaçi, Mustafa, apo edhe Grenell.

Në ditët dhe muajt në vijim, Kosova i është hedhur një fati të mjegullt, të paqartë e të rrezikshëm kushtetues, politik, ekonomik e të shëndetit publik. Por, në afat të mesëm e të gjatë, Kosova vetëm mund të shpresojë se Kurti – me qasjen, nëse jo me bindjet apo edhe stilin e tij – do të fillojë të shërbejë si një model për një gjeneratë të re liderësh edhe në partitë e tjera kosovare.

(Autori është profesor-asistent i shkencave politike në Virginia Tech, SHBA)