Lufta njëzetvjeçare?

1977

Ushtarët tetëmbëdhjetë vjeçar amerikanë që shkojnë sot në luftë në Afganistan nuk kishin lindur akoma kur ajo pati filluar. Më 2012, z.Donald Trump thoshte me vendosmëri : « Është koha të largohemi nga Afganistani ». Nuk është ende e sigurt se a do t’ia dalë më mirë se paraardhësi i tij z.Barack Obama. Sepse secila përpjekje për t’i shkëputur ushtarakisht Shtetet e Bashkuara nga çdo vend – Siri, Libi, Kore, Gjermani – provokon një ngritje shpatash në Washington. Lobi i luftës menjëherë jehon: Rusët janë atje! Rusët po vijnë!

Ndonëse buxheti ushtarak i Shteteve të Bashkuara (738 miliardë dollarë në vitin 2020) mund të jetë dhjetë herë më i madh se ai i Rusisë, lëkundja e kambanës së Moskës mjafton për t’i bashkuar republikanët dhe demokratët në reagimin e tyre. Dhe ata mund të llogarisin në mbështetjen editoriale të New York Times.

Më 26 qershor, kjo e përditshme amerikane publikoi një rrjedhje informacioni nga Central Intelligence Agency (CIA), sipas së cilës Rusia kishte paguar kryengritës afganë për të vrarë ushtarë amerikanë. Dhe secili kujtohet se në muajt e paraluftës në Irak, New York Times kishte luajtur një rol vendimtar në përhapjen e lajmeve të rrejshme në lidhje me “armët e shkatërrimit në masë” të Sadam Huseinit. Psikoza anti-ruse e kësaj të përditshme të madhe liberale tërheq vëmendjen e secilit i cili kërkon fjalët « Rusi » dhe « Putin » në Google etj.

Lajmi senzacional afgan, për të cilin New York Times dukej se dyshonte vetëm tetë ditë pasi e publikuan, parashtron disa pikëpyetje të tjera. Kush përfiton nga ky “informacion”, në një kohë kur tërheqja e trupave të fundit amerikane dukej pak a shumë e vendosur? A kanë Shtetet e Bashkuara arsye të shqetësohen që një nga kundërshtarët e tyre po i ndihmon kryengritësit afganë; përderisa aleati i tyre, Pakistani, e bën këtë që një kohë të gjatë, e që vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës midis viteve 1980 dhe 1988 i pajisen me armë të sofistikuara muxhahedinët që luftonin me Moskën, me të cilat u vranë mijëra ushtarë sovjetikë?  Pastaj, si të shpjegohet se e përditshmja e New-Yorkut nuk rreshti të na ofrojë portretet e gjata emocionale të tre marinsave, gjoja viktima të të “paguarëve rus” ?  Një marins kishte mustaqe të mëdha dhe bënte bodybuilding, tjetri pëlqente ta rishikonte filmin Star Wars dhe ai i fundit adhuronte tri vajzat e tij. Por gazeta “harronte” të na informoj se një agjenci tjetër e inteligjencës amerikane, National Security Agency (NSA), nuk e konfirmonte asesi lajmin senzacional të CIA-s.

Më 1 korrik, një koalicion i gjerë parlamentarësh, demokratë dhe republikanë, përdori “zbulimet” e New York Times, për ta bërë më të vështirë tërheqjen amerikane nga Afganistani. Edhe pse mënyra më e mirë për ta parandaluar vdekjen e ushtarëve të huaj do të ishte që ata të mos jenë tutje të pranishëm.