
Ndryshe nga Italia ose Spanja ku u prit shpërthimi i kontaminimeve, qeveritë e shteteve ballkanike reaguan shpejt në ndërmarrjen e masave të ashpra në luftën ndaj koronavirusit. Epidemia filloi të përhapej nga fundi i muajit shkurt, me rastin e parë në Kroaci.
Sot numri i të infektuarve është treshifror në Ballkanin Perëndimor, ku kufijtë janë mbyllur, banorët janë izoluar pjesërisht dhe ku shumica e shteteve kanë shpallur gjendjen e emergjencës ose të jashtëzakonshme.
Në shtetet e pazhvilluara me një numër të lartë të shtetasve në mërgatë, konsiderohet se virusi është “importuar” para së gjithash nga mërgimtarët, të ardhur për arsye të ndryshme në shtetet e tyre të prejardhjes.
Por, rreziku troket ende në derë dhe parashikimet për të ardhmen e afërt janë të zymta, duke marrë parasysh gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden sistemet shëndetësore, të degraduara nga tridhjetë vjet tranzicioni neoliberal, shkurtimeve buxhetore dhe eksodit masiv të punonjësve të paguar pak apo të papunë për një kohë të gjatë në vendet e tyre.
Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, mungesave të sistemit shëndetësor i janë bashkuar edhe kufizimet që vendosi Bashkimi Evropian për ta vështirësuar luftën me COVID-19 .
Në prag të humbjes së shpresës për ndihmë, kryeparlamentarët e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar me një letër Presidentit të PE David Sassoli dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në letër kërkohet që vendet e Ballkanit të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e paisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në për këto mjetet kaq të rëndësishme. “Të lejohen që një pjesë e fondeve të Programit IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19” – thuhet ndër të tjera në letrën zyrtare.
Por përtej shpresës nga institucionet e Brukselit, Shqipëria ka qenë e para që ka hedhur sytë nga Ankaraja zyrtare. Edhe pse Brukseli akordoi 50 milionë euro për Tiranën, kjo nuk ka mjaftuar. “Mbështetja e Turqisë do të jetë e pakursyer në luftën me armikun e padukshëm”, thoshte Kryeministri Edi Rama, para se të publikonte fotot e një avioni shqiptar që ngarkohej në Turqi me ndihma dhe pajisje për stafin mjekësor. Më pas, një tjetër lajm mbërriti teksa Turqia i vuri Shqipërisë në dispozicion dhjetëra autoambulanca, lajm ky që sërish u dha nga Rama për shqiptarët.
I pyetur për Kinën, kryeministri i Shqipërisë u tregua i prerë mbrëmjen e së enjtes, 27 mars. Ai tha se nuk mund t’i kërkohet ndihmë një vendi tek i cili i gjithë bota ka çuar kërkesat e saj.
Ndryshe nga Shqipëria, Aleksandër Vuçiqi dhe Serbia e kanë sulmuar ashpër Bashkimin Evropian. I zhgënjyer, presidenti serb tha se solidariteti i madh evropian është vetëm “një përrallë e shkruar”. Në këto kushte, vijoi Vuçiq, ai i ka shkruar një letër “mikut dhe vëllait” të tij të dashur, presidentit kinez, Xi Jinping, si i vetmi person dhe lider i të vetmit vend që mund të ndihmojë Serbinë.
Virusi që ka gjunjëzuar botën dha efekt krej të rrallë në Kosovë, ku qeveria u rrëzua nga Kuvendi zyrtarisht për një lojë deklaratash në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme. Edhe pse rastet janë në shtim dita-ditës, vendi u përball me krizën politike, pas mocionit ndaj qeverisë Kurti. Mbyllja e kufijve nuk ishte e mjaftueshme për të dhënë siguri. Ndërkohë që një e treta e shtetasve të Kosovës jetojnë jashtë vendit dhe nëse gjejnë mënyrë kthimi të organizuar nga shteti, sërish do t’u duhet të përballen me karantinën e detyrueshme.
Megjithë shqetësimin parësor për shëndetin, sytë po kthehen edhe nga pasojat ekonomike që do të shkaktoj pandemia. Në shtetet e dezindustrializuara të Ballkanit Perëndimor, tregtia dhe sidomos turizmi mbeten motorët kryesorë të ekonomisë, sidomos në Shqipëri, Mal të zi ose Kroaci.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, e kanë lidhur prej së paku 30 vitesh mbijetësen e tyre me adhurimin ndaj Perëndimit dhe ‘nënshtrimit’ pa kushte. Sot kur është e qartë se masat e marra nuk mjaftojnë dhe se Bashkimi Evropian mund të japë para, por jo pajisje, rrugët alternative nga lindja po konsiderohen çdo ditë e më tepër. Mbase diçka normale, ku bëhet fjalë për jetët e mijëra njerëzve. Sa për politikat gjeo-strategjike, ato me gjasë do të ndryshojnë pas kësaj lufte, që as në ëndrrat më të këqija nuk e kishte imagjinuar ndonjë banor i Tokës.
Megjithë shqetësimin parësor për shëndetin, sytë po kthehen edhe nga pasojat ekonomike që do të shkaktoj pandemia. Në shtetet e dezindustrializuara të Ballkanit Perëndimor, tregtia dhe sidomos turizmi mbeten motorët kryesorë të ekonomisë, sidomos në Shqipëri, Mal të zi ose Kroaci.
Në prag të fillimit të sezonit, shifrat flasin për 3% më pak të hyra se vitin e kaluar, pa llogaritur ndikimin që do ta ketë goditja e Italisë nga koronavirusi. Parashikimet e organizmave ndërkombëtare thonë se pasojat e përhapjes së COVID-19 do të ulin rritjen ekonomike të Shqipërisë, e cila sipas institucioneve financiare parashikohet të zbresë në 2%. Para situatës së tërmetit të nëntorit 2049 parashikimi për rritjen ekonomike për vitin 2020 ishte 4,1%, ndërkohë që pas tërmetit rritja e parashikuar zbriti në 3,4%.
Sot, shumë biznese janë mbyllur, shumë pak prej tyre po punojnë me kapacitete minimale. Konsumatorët kanë frenuar konsumin, përveç blerjeve të domosdoshme ushqimore. Ndërmarrjet eksportuese, pasi u goditën nga Italia, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, tashmë kanë probleme me vazhdimin e prodhimit për shkak të mosardhjes në punë të punonjësve.
Në një komunikatë zyrtare kryeministri i Shqipërisë njoftoi, se qeveria vë në dispozicion të situatës 370 milionë dollarë. Nga kjo shumë 25 milionë janë për shëndetësinë, për të përballuar rritjen e pritshme të numrit të të infektuarve; 100 milionë për kompanitë që nuk mund të paguajnë të punësuarit e tyre; 65 milionë për shtresat në nevojë dhe ata që nuk mund të punojnë për shkak të urdhrit për vetëizolim.
Si pasojë e përhapjes së pandemisë, rënia e remitencave nga mërgata priten të ndikojnë drejtëpërdrejtë në stabilitetin social dhe parashikimet buxhetore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por pavarësisht planit për ta shpëtuar biznesin nga falimentimi, ka ende skepticizëm. Në daljet e tyre mediatike drejtues të sindikatave apo forumeve ekonomike shprehen se ‘paketa e luftës’ duhet vlerësuar, por është e pamjaftueshme.
Teksa e ardhmja për shëndetin e qytetarëve mbetet e panjohur, e sigurt është që kriza e koronavirusit do ta fusë ekonominë në një territor të pashkelur më parë, me gjasë më keq sesa një krizë.