
Axel Hopfmann ishte prej shumë kohësh infermier në një spital. Spitali ku ai punonte në Hamburg u privatizua më 2004. Hopfmann më pas preferoi të qëndronte në administratën publike, sesa të bëhej punonjësi i një grupi të madh me qëllim përfitimi. “Sot, unë punoj në një zyrë”, thotë ai. Në një spital tjetër në Hamburg, Constanze Weichert, infermiere prej dhjetë vjetësh, braktisi punën për ta praktikuar profesionin në një kabinet për të moshuarit. “Unë e doja spitalin“, thotë ajo. « Do të doja të kthehesha, por do ta bëjë vetëm nëse ndryshojnë kushtet e punës ». Për Steffen Hagemann, përvoja në spital ishte aq e vështirë saqë ai nuk zgjati më shumë se shtatë vjet në profesionin e infermierit. “Sipas imazhit të profesionit, ne infermierët duhet ta sakrifikojmë veten dhe drejtoritë luajnë me këtë gjë për t’i heshtur kërkesat tona”, shprehet ai. Infermierët gjermanë po denoncojnë gjithnjë e më shumë kushtet e punës “të cilat janë përkeqësuar masivisht“, siç dëshmohet nga Anja Voigt, infermiere e kujdesit intensiv në Berlin. “Më kujtohet koha kur mund të bënim pauza dhe kur kisha kohë për pacientët. Sot bëj pauzë mbase një herë në muaj.“
Larg imazhit idilik të dërguar gjatë krizës së koronavirusit nga mediat franceze, edhe sistemi spitalor gjerman po vuan nga mungesa e burimeve dhe stafit. Sindikatat e infermierëve dhe mjekëve shprehin keqardhje për mungesën e dukshme të vendeve të punës të infermierit në spitale. Një studim nga Fondacioni Hans-Böckler vjen në përfundimin se vendet bosh për infermierë me kohë të plotë janë 100.000. Në funksion të vështirësisë së profesionit, pozicionet e buxhetuara të infermierisë nuk gjejnë gjithmonë persona që i marrin përsipër. Sigurisht, Gjermania ka më shumë shtretër të kujdesit intensiv sesa fqinjët e saj evropianë: 34 për 100.000 banorë kundrejt 16,3 në Francë ose 8,6 në Itali. “Por nëse do të kishim po aq pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19 sa në Italinë Veriore, ne do të kishim shtretërit, por jo edhe stafin për t’u kujdesur për pacientët”, ironizon Nadja Rakowitz, drejtoreshë e Shoqatës së Mjekëve Demokratë (Verein demokratischer Ärztinnen und Ärzte). Madje, disa muaj para epidemisë, Gjermania po diskutonte për rëndësinë e mbajtjes së kaq shumë shtretërve bosh: një studim nga Fondacioni Bertelsmann rekomandoi mbylljen e më shumë se gjysmës së spitaleve të vendit. “Pastaj mbërriti koronavirusi, dhe të gjithë e panë se në fakt ishte mirë të kesh shumë spitale dhe shtretër …”, shprehet znj. Rakowitz.
Për të kuptuar këto paradokse, na duhet të kthehemi te vendimet politike të marra në Gjermani gjatë dekadave të fundit. Në vitin 1985, një ligj hapi gjerësisht tregun e kujdesit spitalor për kompanitë private fitimprurëse. Prej andej u krijuan dhe u forcuan grupet e mëdha gjermane të klinikave: Sana, Asklepios, Röhn, Helios (të riblera nga ndërmarrja multinacionale e pajisjeve mjekësore Frenesius). Nuk ka asnjë ndryshim në trajtimin financiar midis institucioneve publike, private jo-fitimprurëse dhe private fitimprurëse. Të gjithë janë të regjistruar në skemat rajonale të furnizimit të kujdesit shëndetësor dhe dallimi nuk bëhet as në gjuhën e përditshme. Pastaj, në 2004, në të njëjtën kohë kur Franca zbatoi tarifimet e bazuara në aktivitet (T2A), Gjermania miratoi një sistem shumë të ngjashëm, atë : “tarifa fikse për rast”. Nuk është më kujdesi efektiv i cili financohet, por çmimet fikse sipas një katalogu të patologjive, pavarësisht nga numri i ditëve të shtrimit në spital. Ashtu si në Francë, aktet teknike, për shembull operacionet e protezave të gjurit, ose operacionet në përgjithësi, paguhen shumë më mirë sesa lindja natyrale ose pediatria. T2A franceze dhe “tarifa fikse për rast” gjermane në fund të fundit kanë të njëjtën origjinë: sistemi i “grupeve homogjene të pacientëve” (ose DRG për diagnosis related groups) i importuar nga Shtetet e Bashkuara, ku u zbatua fillimisht në vitet 1980.
“Objektivi i sistemit të ri të financimit ishte qartësisht arritja e sa më shumë fitimeve – diçka e cila në vetvete nuk ka asgjë për t’u kundërshtuar. Por kjo kishte të bënte gjithashtu me rritjen e konkurrencës midis institucioneve dhe si përfundim të çonte në një rënie të numrit të spitaleve”, thotë Uwe Lübking, nga Shoqata e Komunave Gjermane. Përveç qendrave spitalore universitare (QSU) të cilat varen nga shtet-rajonet, spitalet publike në Gjermani bien nën juridiksionin Landkreis, komunave dhe rretheve ndërkomunale.
I mbetet kështu këtyre komuniteteve t’ia plotësojnë boshllëqet, ndonjëherë t’ia shesin spitalet e tyre grupeve private, ose të shohin të njëjtat grupe t’i mbyllin kur ato nuk janë më fitimprurëse. Më shumë se 300 spitale dhe klinika janë zhdukur në Gjermani që nga viti 2000. 50.000 shtretër spitalorë janë eliminuar, ndërsa numri i rasteve të ndjekura është rritur me disa miliona. Në të njëjtën kohë, sektori privat fitimprurës ka zgjeruar bazën e tij: ai përfaqësoi 15% të të gjitha institucioneve në 1992, pastaj 37%, ose më shumë se një e treta, në 2018. Shumë spitale publike ishin privatizuar fare thjeshtë, nganjëherë në kushte të kundërshtueshme. Më 2004, për shembull, shitja e shtatë institucioneve spitalore të Hamburgut tek grupi Asklepios u kry kundër dëshirës së banorëve të qytet-shtetit: tre të katërtat e votuesve e kundërshtuan atë në një referendum lokal. Pasi bëhen private, institucionet shpesh përqendrohen në patologjitë më fitimprurëse. Të financuar pikërisht në të njëjtën mënyrë, spitalet publike, nga ana tjetër, kanë hyrë në garë për performancë.
“Kështu, të vënë në konkurrencë me njëri-tjetrin, spitalet luftuan të ishin secili më i shpërblyer në sistemin e tarifës fikse për rast, për shembull kardiologji, ortopedi dhe u pajisën në përputhje me rrethanat. Sipas mendimit tim, kjo është arsyeja pse kemi kaq shumë vende në kujdesin intensiv“,s hpjegon zonja Rakowitz. Një specifikë tjetër e sistemit spitalor gjerman është financimi i tij i dyfishtë. Të ashtuquajturat kosto operative (si pagesa e personelit) merren nga sigurimi shëndetësor, ato të investimeve (në ndërtesa, pajisje, etj) normalisht duhet të merren nga shtet-rajonet (Länder), si për institucionet publike, ashtu dhe private. Sidoqoftë, “të gjitha shtet-rajonet, në kontekstin e politikës së ‘frenimit të borxhit publik” dhe në funksion të situatës së tyre buxhetore, akordojnë shumë pak para“, analizon z.Harald Weinberg, deputet i partisë Die Linke (E majta) në Bundestag. Kështu, sipas llogaritjeve nga grupi gjerman i spitaleve (Deutsche Krankenhausgesellschaft) spitaleve do t’u mungojnë gati katër miliardë euro në vit para publike. “Pra, buxheti për kostot operative përdoret pjesërisht për financimin e investimeve. Dhe kursimet bëhen mbi personelin”, shton zyrtari i zgjedhur.
Me kalimin në tarifim për shërbimin, në rastin e një buxheti të kufizuar, menaxhimi është vënë në krye. Një sektor krejt i ri i punësimit është shfaqur: “menaxherët e DRG”, kontrolluesit dhe koduesit e tjerë përgjegjës për sigurimin e regjistrimit korrekt të akteve në përputhje me më shumë se një mijë kategori që përmban katalogu gjerman i tarifimeve. “Kodimi në kompjuter zë të paktën 20% të kohës time të punës. Për mjekët është edhe më keq ”, raporton infermierja Anja Voigt. Të lodhur nga ndikimi në rritje i logjikës ekonomike, mjekët dhe infermierët gjermanë po e kundërshtojnë gjithnjë e më shumë këtë sistem. Në fund të vitit 2019, e përjavshmja Stern publikoi një apel nga dhjetëra mjekë dhe grupe profesionale që kërkonin ta “shpëtonin mjekësinë“. Mjekët ankohen se në sistemin e financimit sipas aktivitetit, “pacientët që kanë pyetje, të cilët kanë frikë nga dhimbja ose vdekja, nuk merren në konsideratë”. “Diktati i ekonomisë ka kontribuar në dehumanizimin e mjekësisë në spitalet tona”, shtojnë ata.
Në frontin paramedikalëve, grevat janë shumëfishuar që nga viti 2015 për të patur kushte pune më të mira. Lëvizja filloi në Spitalin Charité të Berlinit. Që atëherë, marrëveshjet e “shkarkimit” të punës janë marrë në gati njëzet spitale publike në të gjithë vendin. Këto sigurojnë një raport të stafit të nevojshëm për numrin e pacientëve, të ndryshëm për secilin departament dhe të përcaktuar nga përvoja e infermierëve. Ditët e punuara nën-staf i japin infermierëve të drejtën për rikuperime.
“Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është ta detyrojnë menaxhmentin të punësojë më shumë staf dhe kjo funksionon“, thotë Michael Quetting, i cili udhëhoqi negociatat për federatën sindikale Verdi. “Grevat e infermierëve zakonisht marrin mbështetje të gjerë nga opinioni publik, ndryshe nga lëvizjet e shoferëve të autobusëve, për shembull. Sot, punëtorët në sektorin e kujdesit shëndetësor janë në gjendje të shkaktojnë disfatë ndaj neoliberalizmit. Do të ishte hera e parë dhe do të ishte domethënëse për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë”, shprehet sindikalisti.
Përtej punonjësve të spitalit, aleancat e qytetarëve për “më shumë staf në spitale” janë formuar në disa qytete në Gjermani. Në katër qytete dhe rajone (Bavaria, Bremen, Berlin dhe Hamburg), ata mblodhën miliona firma të nevojshme për të kërkuar një referendum lokal mbi këtë çështje. Autoritetet kudo refuzuan kërkesën, me arsyetimin se çështja nuk do të binte nën juridiksionin e federatave. Megjithatë, janë ata që përcaktojnë modelet e kujdesit spitalor.
Në nivel komunal, privatizimi ka filluar të ngadalësohet. Në vitet e fundit, spitalet madje janë “ri-komunalizuar”. Në fillim të qershorit, në rrethin kantonal të Ludwigslust-Parchim, në Mecklenburg-Pomerania-Perëndimore, asambleja e Landkreis vendosi të blinte nga komuniteti një spital të vogël me 74 shtretër, i cili ishte privatizuar në 1997. Vendimi u votua “unanimisht”, specifikon përfaqësuesi i zgjedhur Stefan Sternberg. Pak para Krishtlindjes së kaluar, kompania që zotëronte spitalin, një filial i grupit Asklepios, njoftoi pa u konsultuar më parë, se dëshironte ta mbyllte maternitetin. “Pati një mobilizim të fortë të banorëve. Dhe lajmi ndezi një debat mbi organizimin dhe furnizimin me shërbime shëndetësore në zonat rurale, veçanërisht në zona me pak popullsi siç është e jona ”, tha 37-vjeçari socialdemokrat. Për të, “komunizimi nuk është zgjidhja, por kur bëhet fjalë për aksesin në kujdesin shëndetësor, mendoj se duhet ta ndjekim këtë rrugë, me një partner privat që ka njohuri në menaxhim”. Plani i tij është të mbajë 51% të kontrollit të spitalit, për të shitur pjesën tjetër të aksioneve tek një blerës privat, duke mbetur në kontakt me spitalet e tjera në territorin tashmë të bashkë-menaxhuar nga komuniteti. “Ne nuk kemi asnjë ndikim mbi sistemin e tarifimeve“, shpjegon ai, “por nëse menaxhojmë disa spitale, të specializuar në sektorë të ndryshëm, mund të arrijmë ekonomi të shkallës.” Gjithashtu, në 2016, në Hesse, një zyrtar i zgjedhur nga e djathta, Michael Koch, nisi “ri-komunalizimin” e një klinike në kantonin e tij. Për konservatorin, “spitalet gjermane janë të nënfinancuar. Kostot e mirëmbajtjes së tyre, kostot e qasjes në kujdesin shëndetësor kur është e nevojshme, duhet të mbulohen, veçanërisht në zonat rurale.” Ai bën krahasimin midis spitaleve dhe zjarrfikësve ose policisë: “Ata nuk paguhen vetëm sipas numrit të ndërhyrjeve të tyre”, argumenton ai.
Pakënaqësia me nënfinancimin më në fund ka bërë të ndryshojnë gjërat në qeveri. Që nga fillimi i vitit 2020, spitalet kanë marrë një buxhet specifik për personelin e kujdesit jomjekësor, i financuar tani jo më në bazë të tarifimit të bazuar në aktivitet. Dhe gjatë krizës shëndetësore, spitalet morën para për shtretërit e mbajtur bosh për të akomoduar pacientë të mundshëm me Covid-19. Ose e kundërta e tarifimit sipas rastit, në të cilën një shtrat pa pacient nuk fiton asgjë. Sidoqoftë, edhe këtu, epidemia rëndoi në fondet e sigurimeve shëndetësore dhe në llogaritë e institucioneve të kujdesit shëndetësor. Ekzistojnë shqetësime që diskutimi mbi mbylljen e spitaleve do të kthehet shpejt në tryezë. Kërcënimi i pasojave negative rëndon po ashtu mbi infermierët. Në mes të epidemisë, qeveria rajonale e Nordrhein-Westfalen – kryesuar nga konservatori Armin Laschet, kandidat për të zëvendësuar Angela Merkel – ka dashur të miratojë një masë për t’i detyruar njerëzit e trajnuar në kujdesin për pacientin të punojnë në spitale, madje edhe kundër vullnetit të tyre. Propozimi hasi me kundërshtime të forta dhe u rrëzua menjëherë. Ish-infermierëve Axel Hopfmann dhe Steffen Hagemann nuk do t’i duhet, për momentin, të veshin me forcë uniformat e bardha.
*Gazetar