Alibaba, epopeja e gjigandit digjital kinez

Falë mbledhjes të të dhënave personale të klientëve dhe lidhjes me regjimin kinez, Alibaba është bërë një lojtar i fuqishëm në tregtinë elektronike, financën online dhe kujdesin shëndetësor. Sot, Pekini ndërgjegjësohet për varësinë ndaj këtij konglomerati që po lëkund bankat. Qeveria shpreson që popullata do të largohet gradualisht nga themeluesi, z.Jack Ma.

2338

“Të gjithë e dimë që kur merrni hua 100.000 juan, ju i trembeni bankës. Kur merrni hua 10 milion juan, ju dhe banka trembeni. Kur merrni hua 1 miliard juan, ju trembni bankën ». Më 24 tetor 2020, në Bund Summit në Shangai, një konferencë që bashkoi autoritetet kryesore bankare në botë, z.Jack Ma, themeluesi i gjigandit kinez i tregtisë elektronike Alibaba, lëshoi këtë kërcënim. Në pension që nga shtatori i vitit 2019 nga kryesia e grupit, z.Ma – emri i vërtetë i të cilit është Ma Yun – bëri me bindje një fjalim mbi vjetërsimin e ofertës aktuale bankare dhe ardhjen e big data. Ai përshkroi një “sistem të ri financiar në të cilin inovacioni dhe rregullatorët janë në harmoni” dhe mbrojti idenë e “krijimit të një monedhe digjitale”. Pa harruar, natyrisht, të përmendë krijimin e vet: Ant Group, krahu financiar i grupit, i cili jep hua masive për individë dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme (NVM) pa historik bankar. “Për 16 vitet e fundit, zhvillimi i Ant Group është mbështetur në respektimin e mjedisit, qëndrueshmërinë dhe përfshirjen financiare. Nëse financat miqësore me mjedisin, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse rezultojnë të gabuara, atëherë ne do ta bëjmë këtë gabim përgjithmonë”.

Ky moment lirik vështirë se i pëlqeu z.Wang Qishan, zv/presidenti kinez dhe z.Yi Gang, guvernator i Bankës Qendrore. Disa ditë më vonë, më 2 nëntor, z.Ma u thirr për një intervistë nga rregullatori financiar. Të nesërmen, vënia në Bursë e AntGroup në Shanghai dhe Hong Kong, i quajtur si më i madhi deri tani, u anullua brutalisht. Muajin tjetër u hap një hetim mbi praktikat tregtare të grupit, të vlerësuara si anti-konkurruese. Miliarderi më i famshëm i vendit zhduket për tetëdhjetë e tetë ditë, duke ngritur hipoteza se është arrestuar ose arratisur jashtë vendit. Ai u rishfaq në një video të shkurtër, duke iu drejtuar mësuesve të shkollave rurale si pjesë e fondacionit të tij, përpara se të pikasej në një kurs golfi në Ishullin Hainan.

Edhe pse 2020 përfundoi në rrëmuja për z.Ma, ky vit i pandemisë ka qenë megjithatë i suksesshëm për Alibaba, perandorinë e tregtisë elektronike – ai mbeti këshilltar i drejtorit dhe aksioneri i dytë individual, edhe pasi kishte shitur 1.4% të kapitalit korrikun e kaluar, për 8.2 miliardë dollarë. Me krizën nga pandemia, shitjet në internet u rritën 11% vitin e kaluar, duke arritur një të katërtën e shitjeve me pakicë të mallrave të konsumit. Pjesë e grupit është Taobao, një platformë e nisur në 2003 në të cilën NVM-të dhe individët mund të vendosin produktet e tyre. Në vitin 2008, ajo u nda në dy pjesë dhe lindi Taobao Mall, që tani njihet si TMall, kushtuar markave kryesore kineze dhe ndërkombëtare, si dhe shpërndarësve të tyre të autorizuar. Marka franceze e kozmetikës dhe mallrave luksoze Lancôme, për shembull, i besoi atij të gjitha shitjet online për Kinën. Pak nga pak u shtuan shërbimi i dorëzimit në shtëpi, Cainiao, i ngjashëm me Amazon dhe mjeti i pagesës në smartphone Alipay. Nga viti 2008 në 2018, Taobao arriti 80% të shitjeve në internet në tregun kinez.

Një nga pikat e forta të grupit qëndron në afërsinë e ofruar midis shitësit dhe klientit. Sapo u lansua, Taobao hapi një chat që lejon diskutim të drejtpërdrejtë midis dy palëve përpara çdo transaksioni. Përdorimi i gjerë i telefonave smartphone dhe vendosja masive e rrjetit telefonik me shpejtësi të lartë e bënë transmetimin e videove shumë të popullarizuar dhe bashkë me të, një komunitet influenceresh të rinj në internet, të quajtur Wang Hongs, të cilët marrin bakshishe në këmbim të një kënge ose kërcimi live. Taobao i mirëpret me krahëhapur: ata bëhen shitës të epokës digjitale, duke hequr pluhurin nga teleshoping. “11.11” (11 nëntor), “dita e beqarëve” e krijuar në 2009 nga Alibaba, e cila rezulton në ulje masive çmimesh për njëzet e katër orë – 583.000 transaksione në sekondë në 2020 -, shenjon triumfin e tyre. Kjo ditë e çmendur feston blerjet kompulsive të një rinie në kërkim të përhershëm për argëtim.

Një konglomerat i gjithëpranishëm

Por pronari i Alibabës nuk kënaqet vetëm me platformën e tij të famshme. Ai po ndërton me shpejtësi të madhe një konglomerat të gjerë që është vendosur në tregtinë tradicionale me zinxhirët e supermarketeve, në shpërndarjen në shtëpi, në re-në (cloud) informatike, në kinema, ofron një sistem udhëzimi dhe navigimi të tipit GPS. Ai ofron madje, edhe një nga gazetat më të rëndësishme në gjuhën angleze në Hong Kong, South China Morning Post.

Në të njëjtën kohë, ai u fut në financa duke krijuar Ant Financial, i cili do të bëhej Ant Group, me seli gjithashtu në Hanghzou (Zhejiang). Nëse do të besojmë në legjendën që ai e zbaton vetë për ndërtimin, z.Ma ka filluar aventurën për ta zhdukur fyerjen që dikur ka pësuar vet, kur iu refuzuan huatë. Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në 2017, për shembull, ai tregoi se kur filloi në 1995 iu desh të priste tre muaj për të marrë përgjigjen (negative) të një banke ndaj kërkesës së tij për kredi. Ai atëherë po kërkonte të fillonte krijimin e faqeve në internet për bizneset. Katër vjet më vonë, me shtatëmbëdhjetë partnerë, duke përfshirë z.Joseph Tsai, një avokat i ri kanadez me origjinë tajvaneze, themeloi Alibaba.com dhe mblodhi 20 milion dollarë nga Softbank japoneze – e cila në vitin 2014 dha vlerë burse prej 60 miliardë, pasi u prezantua ne Bursë në New York.

Ant, në të cilën Alibaba mban 33% të kapitalit, u bë i njohur përmes aplikacionit Alipay, në funksion që nga viti 2004. Ky mjet pagese tani përdoret për gati 56% të blerjeve me smartphone, shumë përpara WeChat Pay i grupit të konkurrencës Tencent, në një vend ku vetëm një e pesta e popullsisë ka kartë krediti, sipas të dhënave të Bankës Botërore në vitin 2017. Edhe në dyqanet më të vogla, tani është e zakonshme të paguash me smartphone. Gjithnjë e më shumë tregtarë po largohen nga pagesa në cash, gjë e cila penalizon të moshuarit. Banka Qendrore Kineze ka shprehur vazhdimisht shqetësim për këtë. “Institucionet e pagesave jobankare nuk duhet të promovojnë konceptin e parave jocash ose t’i diskriminojnë pagesat cash në asnjë mënyrë”, tha ajo më 15 dhjetor 2020.

Pavarësisht nëse behet fjalë për blerje në TMall ose Taobao, një darkë në një restorant apo një trajtim në një sallon bukurie, Alipay pëlqen të shtojë oferta promovuese duke mundësuar marrjen e një kredie të shpejtë, nga shërbimi Huabei, i lindur në 2015. Ky i fundit nuk i dërgon kurrë paratë direkt te blerësi, por te shitësi. Konsumatori do të ketë kohë deri në datën 10 të muajit vijues për të rimbursuar. Norma e interesit është përgjithësisht zero, por ky shërbim inkurajon konsumin e përhershëm, pa pasur nevojë të presim për pagën mujore. Një sistem i ngjashëm, i quajtur Jiebie, u ofrohet gjithashtu NVM-ve, i injoruar prej kohësh nga bankat tradicionale.

Këto hua ose parapagesa bëhen gjithnjë e më lehtë pasi ato përshtaten me nevojat e klientit, në bazë të “sesame credit”, ose Zhima credit, sipas një modeli të ngjashëm me credit score-n amerikan. Bëhet fjalë për një vlerësim të caktuar për secilin përdorues të Alipay, ku përcaktohet bazuar në historikun e blerjes. Miliarda të dhëna mblidhen dhe analizohen çdo ditë për të hapur dyert e kredisë për sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Sa më i lartë të jetë vlerësimi, aq më e lartë është shuma e kredisë dhe aq më e gjatë do të jetë periudha e ripagimit.

Një “sesame credit” e mirë sjell gjithashtu garancinë për të ngritur një klub konsumatorësh të virtytshëm nga të cilët zinxhirët e hoteleve nuk kërkojnë më një garanci për rezervimin e një dhome, të cilëve restorantet u japin hua një bateri smartphone gjatë vakteve, të cilave bibliotekat po rritin kuotën e librave për t’u marrë me vete. Lista është e pafund. Në të kundërt, një “susame credit” i keq do të thotë për klientin një dëbim ekonomik.

“Ka pasur shumë fantazi përreth Zhima”, shprehet z.Branden Zhang, ish-ekzekutiv në Ant-azinë juglindore, në Singapor. Ai u referohet akuzave të përsëritura të porozitetit midis “sesame credit” të z.Ma dhe sistemit të kreditit social me të cilin qeveria kineze ka eksperimentuar që nga viti 2014, i cili u jep ose heq pikë qytetarëve bazuar në vepra të mira ose të këqija. “Padyshim që asnjë vend tjetër nuk do të donte t’i jepte një kompanie kineze kaq shumë akses në të dhëna. Por, ndërsa qeveria kineze pëlqen të duket sikur ka kontroll mbi çdo gjë, në të vërtetë, teknikisht ka qasje vetëm një pjesë të vogël të këtyre të dhënave personale”, tha ai.

Projekti për monedhën digjitale

Për më tepër, shteti kinez ka qenë një dëshmitar pasiv i ngritjes së Alibaba. “Në vendin tuaj, makinat drejtohen sapo rruga të jetë gati dhe të vendosen semaforët. Këtu është ndryshe. Semaforët vijnë pas. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me hapjen ekonomike të vendit”, thotë Zhang. Eksperimentohet, lihet të ndodhë dhe pastaj…“Sigurisht, pasi të ekzistojnë rregulloret, ne nuk mund t’i injorojmë më”.

Kjo është pikërisht ajo që po ndodh me ndalimin e zgjerimit të Ant Group dhe anulimin nga bursa. Sigurisht, vërejtjet e z.Ma duke denoncuar mentalitetin “pengmarrës” të bankierëve kinezë (publikë) dhe duke paralajmëruar kundër kontrolleve nuk i pëlqyen shumë udhëheqësve politikë, duke filluar me të parin prej tyre, presidentin Xi Jinping. Por gjëja kryesore nuk është kjo. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për kontrollimin e shpërndarjes së kredisë dhe krijimin e parave.

“Ky pezullim i kohëve të fundit synon të shmangë rreziqet sistemike”, shpjegoi ish-ministri i financave Lou Jiwei në China Wealth Management 50 Forum (Forumin e Menaxhimit të Pasurisë së Kinës 50) në Shenzhen më 20 dhjetor. « Nëse diçka shkon keq dhe qeveria vjen në ndihmë, atëherë tatimpaguesit do të humbasin para. Ne duhet ta shmangim skenarin “shumë i madh për të dështuar” [« too big to fail », si në vitin 2008 në Shtetet e Bashkuara gjatë krizës së subprime] në fintech ». Nuk ka asnjë shans që qeveria kineze t’ia besojë menaxhimin e borxhit privat një numri të vogël të bizneseve start-up. Ish-ministri është në pozitë për të ditur sesa kredi e keqe janë tashmë bankat tregtare. Në verën e vitit 2020, banka në Baoshang, Mongoli e brendshme, falimentoi pas një kredie të keqe të injoruar prej Pekinit.

Në fakt, Ant “është një nga institucionet financiare më të rëndësishme sistemike në botë dhe për momentin, mezi kontrollohet”, vëren Felix Salmon, specialist financiar në sitin amerikan Axios. Nëse një kompani teknologjike është gjithashtu një institucion financiar i rëndësishëm sistemik, ajo duhet të kontrollohet aq sa çdo gjigand tjetër i shërbimeve financiare”. Theksi i vendosur nga miliarderi kinez në krijimin e një monedhe digjitale, e krijuar jashtë Shteteve të Bashkuara – siç kishte bërë para tij, në Shtetet e Bashkuara, shefi i Facebook me Diem (ex-Libra) -, duhet të ketë forcuar frikën e ndërtimit të një gjigandi që vështirë se kontrollohet. Aq më tepër që Ant Group ishte në gjendje të tërhiqte lehtësisht investitorë të huaj dhe në veçanti një fond sovran singaporian, me një shumë prej 780 milion dollarësh, pastaj fondi sovran malajzian me 650 milion, Zyra e Investimeve të Planit Pensional të Kanadasë me 600 milion dollarë dhe në fund 500 milion dollarë për fondet amerikane Silver Lake Management, Carlyle dhe Warburg Pincus, gjatë një mbledhje në 2018.

Vendimi është pra: asnjë vendosje në bursë (IPO), të paktën deri në një njoftim tjetër – sa keq për të gjitha këto institucione dhe kthimin e tyre në investim -; të paktën çmontimi i pjesshëm i mamuthit “too big fail” … Ndoshta z.Ma do ta shfrytëzojë rastin për të dalë nga ky dualitet që ka mbajtur për njëzet vjet. Nga njëra anë, ai paraqitet si mësuesi modest i anglishtes i kthyer në një sipërmarrës altruist, si një Lei Feng – një qytetar model dhe punëtor nën Mao Ce Dun – i shekullit njëzet e një. Nga ana tjetër, zbulojmë një biznesmen narcisist i cili u jep mësime qeverisjeje  fuqive botërore, duke rrezikuar të lërë në hije presidentin Xi.

Kështu, në një reportazh nga kanali amerikan Cable News Network (CNN), në 2014, ai u mburr se dëshironte ta nxirrte provincën e Guizhou nga varfëria duke tërhequr kompani digjitale amerikane në “Big Data Valley” e ri. Në Wuhan, ai e vuri teknologjinë në shërbim të qeverisë së Hubei-t, duke ndjekur njerëzit bazuar në bashkëveprimet e tyre pranë epiqendrës së pandemisë Covid-19. Një udhëtim me taksi, një biletë treni, një blerje Alipay atje japin informacion që algoritmet e Alibaba-s mund të interpretojnë. Njerëzve me rrezik të ulët infeksioni u caktohej një kod shëndetësor “jeshil” dhe mund të dilnin nga izolimi. Përgjatë muajve, procesi u përhap në të gjithë vendin. Kjo është hera e parë që vërehet një lidhje e tillë e qartë midis pushtetit dhe Alibaba.

Paralelisht me këtë shêrbim të zellshëm, z.Ma jep leksione. Në janar 2017, ai i premtoi presidentit Donald Trump krijimin një milion vendeve pune në Shtetet e Bashkuara në pesë vjet, ndërsa, tetë ditë më vonë, në Davos, ai e akuzoi atë: “Në tridhjetë vjet, IBM, Cisco, Microsoft kanë bërë miliarda duke kontraktuar prodhimin e tyre në Kinë dhe ku kanë shkuar paratë? Amerika ka bërë kaq shumë luftëra. Pse të gjitha ato para nuk shkuan në infrastrukturën e saj? Ju nuk po i shpërndani paratë në mënyrën e duhur dhe po e paguani çmimin sot. Globalizimi është një gjë e mirë, por duhet të jetë gjithëpërfshirës“. Princi i madh, siguroi: “Si  kinez, unë jam i lumtur që Xi Jinping pranon përgjegjësinë e udhëheqjes së ekonomisë së dytë të botës. Por Kina duhet të hapet më shumë dhe unë mendoj se z.Xi do të jetë më i hapur ndaj botës”.

Para një audience të magjepsur, Ma gjithashtu paraqet mjetin e tij për NVM-të në të gjithë botën, Electronic World Trade Platform (EWTP), e bërë për të korrigjuar të metat e Organizatës Botërore të Tregtisë, “e cila është krijuar për kompani të mëdha”. Sipas tij, kjo ka të bëjë me lëvizjen drejt “harmonizimit global” të rregullave të tregtisë elektronike, thjeshtimin e procedurave doganore dhe zhvillimin e infrastrukturës logjistike. Ruanda ishte vendi i parë afrikan që miratoi EWTP. “Nëse çdo vend do t’i ngjante, sa e fuqishme mund të ishte Afrika! u shpreh z.Ma në hapjen zyrtare në Kigali së bashku me Presidentin Paul Kagame.

Por kulmi i megalomanisë u arrit në 11 nëntor 2017, kur miliarderi shpërndau një film të shkurtër të quajtur The Guardian of Martial Arts (Gong Shou Dao, mund të shihet në YouTube). Seria zgjat njëzet e dy minuta, gjatë së cilës ai përballet me një sërë kundërshtarësh të famshëm, të tillë si aktorët Jet Li dhe Donnie Yen, një mundës mongol. Z.Ma fitoi ndeshjen dhe e përfundoi atë me lëvizje tai-chi. Fjalë lavdëruese u shfaqen rreth heroit: “Mos ndiq doktrinën, vetëm karmën. Një zemër e pamposhtur. Pa rival deri në vdekje… “

Në atë kohë, megjithatë, miliarderi nuk ishte më ikona që mendonte se ishte. I arritur nga rivalët Tencent, JD.com dhe së shpejti Pinduoduo, Alibaba nuk ishte më në rritje. Midis pesëqind milion kinezëve mbushur me mikrokredi, shumë të rinj të zhytur në ekonominë e re shprehin pakënaqësinë në rrjetet sociale: ata ndihen të bllokuar nga ky borxh i përhershëm që nuk i lejon të kursejnë për të pasur shtëpinë e tyre.

Nga ana e menaxhimit, ky pronar i profilit të lartë krenohet që rrethohet me të rinj, nga të cilët ai merr energji dhe ide, ndërsa u jep atyre mësime vetëmohimi dhe vuajtje me qëllim të shenjtërimit të largët. Më 18 tetor 2017, ai u ftua nga Universiteti Shtetëror i Moskës, një kampus prestigjioz prej dyzet mijë studentësh. Burri nuk është më njeriu i dobët me bluzë të verdhë, i cili foli gjashtë vjet më parë në Universitetin e Stanfordit, me veshjet dhe kodet gjuhësore të Steve Jobs ose Bill Gates. Xhaketë kamoshi blu, këmishë e bardhë me jakë, Jack Ma i Moskës është i sigurt në vetvete: “Lërini njerëzit të shqetësohen për revolucionin teknologjik. Unë nuk po qaj sepse nuk do të më ndihmojë. Janë rivalët ata që duhen bërë për të qarë. Asgjë nuk është falas, asgjë nuk është e lehtë. Nëse doni të keni sukses, duhet të paguani çmimin. Kam kaluar tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë orë në aeroplan vitin e kaluar. Në Alibaba, ne punojmë ditë e natë. Ne përpiqemi të jemi unikë, të jemi ndryshe. Sot është e vështirë, e nesërmja do të jetë edhe më e vështirë, pasnesër do të jetë e bukur”.

“Një ditë në Alibaba është një ditë beteje”, shton dikush që dëshiron të përmendet me pseudonimin “Hong Cha” (“Çaji i Zi”). Ai punoi për dy vjet në selinë e Cainiao, filiali i logjistikës së grupit, në Hangzhou, një qytet që është bërë shumë tërheqës dhe ka dhjetëfishuar popullsinë në njëzet vjet. “Nëse qyteti nuk është në nivelin e Shangait artistikisht, ai merr frymë nga tregtia elektronike, ekonomia e re, si z.Ma”. Burri përshkruan ditët në përputhje me rregullin e “996”, formuluar publikisht nga z.Ma : punoni nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të darkës, gjashtë ditë në javë.  Pas pranimit në punë, shtatë ditë shpenzohen plotësisht duke mësuar vlerat e Alibabës.

“Hong Cha” siguron që, gjatë dy viteve, të ardhurat e tij të kenë arritur, mesatarisht, në 257.000 euro në vit, përfshirë një pjesë në aksione. Homologu, sipas tij, është një organizatë e posteve ku secili është në konkurrencë me të tjerët. “Arkitektura e Alibaba-s është shumë e centralizuar. Ka dhjetë mijë pozicione të tipit P8 si imi në Kinë, por vetëm treqind a katërqind P10, drejtues të lartë. Shefi im, i cili është në këtë nivel, kishte katër skuadra P8 nën krahun e tij dhe premtoi të promovonte vetëm një në P9. Të kalosh në këtë gradë do të thotë të shohësh rritjen e pagës dhe dyfishimin e vëllimit të punës. Merni me mend rivalitetin…” Ai gjithashtu evokon vlerësimet vjetore, të quajtura “3-6-1”: “Tridhjetë përqind e drejtuesve janë klasifikuar si të jashtëzakonshëm, 60% të aftë, 10% si të pakualifikuar. Pas dy vitesh rresht me 10%, duhet të largohesh nga kompania”.

Por në të njëjtën kohë është e nevojshme të promovohet shpirti i ekipit (teambuilding) i cili konsiderohet thelbësor. “Na vendosin në grupe me dhjetë persona, zgjidhen pyetje dhe duhet t’u përgjigjemi. Janë gjëra pak intime, si për shembull aty ku kemi puthur për herë të parë të dashurën. Mendova me vete se ishte diçka kulturore e shitësve, profesioni origjinal i Alibabës. Kompania ka një Bulletin Board System (BBS), një forum në internet ku punonjësit flasin me emrat e tyre të vërtetë. Të gjitha temat diskutohen, asgjë nuk moderohet. “Ne shpesh lexojmë postime ku punonjësit ankohen për vlerësim të padrejtë nga eprori i tyre. Kjo çon në komente, fillimin e një krize dhe zakonisht të dy palët largohen përfundimisht nga kompania. Punonjësit i shijojnë këto lloje polemikash. Gjithashtu, në këtë forum z.Ma u flet të gjithë punonjësve për të sjellë debate të jashtme ose kur ngrihen çështje të rëndësishme. “Hong Cha” thotë: “Në fund, skllevërit e vërtetë janë akoma në Pinduoduo [konkurrenti me kosto të ulët i Taobao-s]. Ata punojnë treqind e tridhjetë orë në muaj, nuk vijnë në shtëpi deri pas darke, ky është rregulli”.

Në Evropë, grupi dëshiron të krijojë një platformë logjistike pranë aeroportit të Liège. Në Francë, miliarderi kinez po ndjek një projekt më personal. Në vitin 2016, ai bleu Château de Sours, një ish-ndalesë për pelegrinët në Camino de Santiago, në Saint-Quentin-de-Baron (Gironde). ” Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë  për këtë njeri derisa autobusët e turistëve kinezë përshkuan fshatin për t’u përpjekur ta shihnin”, pranon z. Jack Allais, kryetar i bashkisë nga 2014 në 2020.

Z.Ma mbylli vendin ku servirej vera për të mbajtur larg turistët që mbijnë pa paralajmërim, vendosi sistem anti-breshër në terrenin prej 200 hektarësh, solli varietete rrushi portugeze dhe spanjolle, vendosi permakulturë, ndaloi pesticidet dhe hoqi dorë nga emërtimi i kontrolluar i origjinës (AOC). Njëzet milion euro janë investuar tashmë. Shishet e para të kësaj vere të re priten në vitin 2023, të gjitha për eksport. Asgjë folklorike : këtu, ashtu si gjetkë, z.Ma synon të zhbëjë modelin dominues, sheh larg dhe shpenzon pa llogaritur. Të paktën për momentin…

*Gazetar