
Kalimi shumë i shpejtë nga bota kur dita nuk shtyhej, po vitet fluturonin, duket se i ka ardhur fundi. Tani për disa kohë, dita nuk do të shtyhet, dhe kaq. Ndoshta për pak kohë vitet do të kthehen mbrapsht, derisa të harrojmë të numërojmë, ose ngadalë të shpikim numra të rinj. Këto ditë mbushur vetëm më një lajm dhe shumë ankesa, duket se ka vend për të gjithë për ëndërruar. Komunistët duket se kanë shansin të ëndërrojnë sërish. Treni i botës duket se ka kuptuar se me shumë se radha për të blerë celularin e fundit, vlen radha në spital kur nje virus dal nga patatinat në Wahan, (ndoshta) ai që na tregoi se jemi delikat, se ngrohja globale nuk është barcoletë për paranojakë Ojf-sh. Se shpresa bomba atomike do dalë në kohë nga kapelja magjike ose parukja mistike e Presidentit Trump e do na shpëtojë nga UFO apo meteorë, është letërsi Netflixi. Me pak fjale mjaftoka një mikrob, i vogël sa nje mikrob, i dalë nga shpretka e një lakuriqi nate cfarëdo, për të na hedhur tuç, pa filluar ende loja me shtete e aleanca. Kaq duhet të mjaftonte që bota të kuptonte se gjithçka po bëjmë është një gabim. Por, ndërkohë ka filluar ankthi tjetër, ai i ekonomisë.
Ekonomia
Problemin e ikjes në pikjatë të ekonomisë duket se e hedhin ekonomistët që abuzojnë më shumë me ekonominë. Duke marë flamurin e këtij shqetësimi, ekonomistët liberalë kanë vënë në lëvizje gjithë ushtrinë e pareve, që ankohet për paratë që po ikin pa kthim. Ata e dinë që nuk është problemi të ekonomia, ashtu si ishte deri më sot. Virusi që se shohim për fat të mirë na ka bërë të shohim të vërtetën me lupën më të madhe që ka njeriu, frikën.
Frika për jetën na ka mbyllur brenda banesave, ku me alkohol e sapun po luftojmë për jetën. Me kaq kemi kuptuar që na duhet sapun, ujë, alkohol. Më pas kuptuam se na duhej të ushqeheshim. Duhen ushqimet patjetër. Po ku mbillen fasulet, nga vijnë pulat dhe pilafi?
Se dimë, se ekonomitë e botës janë zhytur në shërbime, sidomos ato të lluksit. Dimë, Iphone, Steve Jobes, dimë Microsoftin, Bill Gates, dime Facebookun, po s’dimë kush na jep bukën e përditshme; as nuk na shkon në mendje të interesohemi ku prodhohet mielli dhe si e ka emrin shitësi i dyqanit aty poshtë. Heronjtë tanë janë virtual, se jemi sajesa të botës së re.
Nëse do të bënim një eksperiment me veten, nëse bota do të shkojë vërtetë në zgrip nga mungesa e vaksinës që do na shpëtonte botën siç e njihnim, nëse kemi ushqim, sapun, ujë dhe alkohol, në fund të kësaj situate do të jemi të gjithë mirë e bukur.
Qytetari evropian dhe kur ishte i majtë në thelb, di se ishte i privilegjuar, ndaj heshti kur bota mund të ndryshohej. Thellë brenda vetes e ka ndjerë se do vinte një dënim. Sot ironia është se vendet me ekonominë më të fortë, nuk po i mbrojnë dot qytetarët e tyre nga humbja e jetës.
Nëse nga shtëpitë do të dilnin, prodhuesit e shampanjës, makinave ferrari, celularëve të shtrenjtë, punonjësit e bursave, drejtorët e bankave, analistët e tv, bossi i Twiterrit; e nëse do të shikonim Instagram 24 orë në ditë Kardashian me motrat yje, asnjë për be s’do dilte gjallë (dhe nuk do të ishte turpi i vetëprekjes).
Për hir të së vërtetës, ankthin për të dalë nga shtëpitë nuk e kanë fshatarët që mbjellin e mbarshtojnë bagëti. Punëtorët e vërtetë. Ata dhe pa masa sigurie janë në një largësi sanitare që krijon çdokush atje ku jeta vazhdon. Qytetet e vogla dhe fshatrat ku njerëzit njihen me emër dhe jo me pasworde e kode rrjetesh josociale.
Megjithatë jam i bindur se të gjithë do detyrohemi të dalim nga shtëpitë tona. Fansat e Kapitalizmit kanë çdo mjet për të na bindur për të dalë për të punuar. Përndryshe zbulohet që jetojmë në një matrix të panevojshëm, ku paguajmë qimet e kokës për ta parë Cristiano Ronaldon dhe nuk paguajmë as dorëzat për mjekun pa emër, ai që do na luftojë për jetën tonë me Virusin elegant deri në tejdukshmëri. Duhet maska e sistemit, se përndryshe sistemi nuk ka fytyrë.
Të drejtat e njeriut
Mënyra sesi kapitalizmi megjithë kapital doli faqebardhë nga lufta e ftohtë, ishte se përveç garës ekonomike, i dha rëndësi sa per sy e faqe, të drejtave të njeriut. Një seri ligjesh kjo, që ka një rrugëtim të gjatë në historinë e njeriut, që nga habbeas corpus, e deri në ditët tona; ku me pak mundim e logjikë kemi kuptuar se dhe e drejta e shprehjes, prona, apo dhe siguria që ligjet janë këto që janë, dhe s’mund të dënohesh pa arsye, janë thelbësore për njeriun. Por maska ka rënë pas virusit. Jeta e njeriut nuk është aq e rëndësishme sa të na cënojë ritmin e jetës. Duam të vrapojmë në metro dhe të festojmë egërsisht në Instagram. Duhet të dalim, fundja vetëm pleq po vdesin. Harrojmë se “pleqtë” janë ata që krijuan kushtet për ekonominë e sotme. Pse po e tradhëton veten ideja e vetme ekonomikisht funksionale, siç e quajnë profesorët e ekonomisë liberale. Pse prova e vetme që kapitalizmi ishte fitues në garën e çmendur që sa kaluam me luftën e ftohtë, nuk ishin sipas tyre armatimet, as spiunët, por pikërisht mirëqënia e qytetarëve perëndimorë. Si ka mundësi që pikërisht siguria që banesa jote s’do të prekej, mendimi yt publik do të respektohej tani po zëvendësohet me gijotina masive për njerëzit 70 vjeç e sipër. Pse dukej sikur pasja e internetit të shpejtë, është më domosdoshmëri se jeta e qytetarëve. Pse ky konsensus në masë? Apo me frikshëm besimi se gjithçka po luhet për të kursyer pensione? Dramë që ushqehet nga thashetheme të dëshpëruara. Po këtu jemi futur të zona gri e teorive të konspiracionit që ja vlejnë të jenë sektor më vete.
Teoritë e konspiracionit
Dy janë arsyet sepse teoritë e konpiracionit po gjejnë gjithmonë e më shumë mbështetës në botën perëndimore. E para se e dinë që qeveritë e tyre do bënin pakt dhe me djallin për të ndejtur në pushtet sa më gjatë. Se sistemi ku jetojnë e ka humbur dëshirën për të luajtur demokracish. Dhe e dyta, se me kalimin e kohës është krijuar besimi që po ta kenë njohurinë sa më shumë njerëz, kjo do pengojë vendimarrësit anonimë që të vazhdonin përpara më planet ogurzeza. Ndoshta dhe një aryse e tretë, se këto teori shtojnë klikimet në faqet informative, por kjo është me pak e rëndësishmja.
Qytetarët, dhe ata përendimorë, e dinë tanimë se ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Dëshmitarë pasivë të trajtimit të emigrantëve, nuk mund të hiqen si të paditur. Mjaft për ligjin e barabartë, për t’u kthyer i pabarabartë ishte dhe ngjyra e lekurës, ajo e pasaportës, firma e pantallonave e me radhë. Qytetarët e perëndimit janë të ndërgjegjshëm se qytetërimi i tyre është shumë shpesh një fasadë që në fillim shërbeu për ta vrarë “komunizmin” e më pas për justifikuar luftën për fitim me çdo mjet e pa kushte. Me makiazhin e perëndimit, me bukrinë e pallateve, me ritmin në dukje rebel të muzikës rock, kapitalizmi u mbështoll e transformua si në përrallën e kësulkuqes, në fytyrën gjysheje, që pavarërisht veshëve të mëdhenj, nuk dëgjonte dhimbjet e atyre që nuk ishin ujku në përallë. Me fytyrën e gjyshes së dashur kapitalizmi eksportoi kapitalizëm në formën e petullave (kupto demokraci) kudo ku njerëzit e meritonin të ishin të mbytur me petulla dhe celularë.
Qytetari evropian dhe kur ishte i majtë në thelb, di se ishte i privilegjuar, ndaj heshti kur bota mund të ndryshohej. Thellë brenda vetes e ka ndjerë se do vinte një dënim. Sot ironia është se vendet me ekonominë më të fortë, nuk po i mbrojnë dot qytetarët e tyre nga humbja e jetës. Justifikimi është absurd, i rastësishëm dhe shkencërisht jo e qartë nëse do të jetë kështu. Po vdesin vetem “pleqtë”. Ata që patën jetën më të mirë në thelb.
Kapitalizmi do të mbijetojë, se kapitalizmi është si Sfinksi dhe do rilind nga krizat e veta. Jam i sigurt që Kapitalizmi do realizojë atë që thashethemet konspirative imagjinojnë. Gjemania dhe Franca do të blejnë “ekonominë” italiane dhe atë spanjolle, pikërisht siç ndodhi me Greqinë (Ju kujtohet Varufakis shpresoj). Askush s’do mërzitet dhe nëse Kina urtë e butë, do mari copa nga tortat e shteteve të sëmura. Jo se është konspiracion, por se i tillë është ky sistem. Më i forti merr gjithçka.
Ekonomistët e djathtë që do kenë më shumë zë, për të justifikuar çdo dramë të re. Ata do kenë zë, se ishin të parët që na thanë se ekonomia e tharrësve të flokëve ra pikjatë se berberët nuk dolën në punë. Ekonomistët liberalë do kenë më shumë zë, se do duhet të sulmojnë qeveritë e majta, që nuk qenë të afta të firmosur në masë genocidin senil, duke penguar tregtinë e shampanjës dhe maskave më gurë të çmuar.
Në fund, konspiracioni do shmangë fajtorët e vërtetë. Askush s’do merret me sistemin, por do fajësojë çifutët anonimë që drejtojnë botën dhe që s’dimë si t’i gjejmë; kështu që për qetësim do mallkojmë lakuriqin që nxori për pak kohë lakuriq sistemin që vret vërtetë.